Arsyet që afruan në kohë një lëvizje të pritshme dhe zërat për ribërjen e kabinetit aktual

Prifti komplikon ekuacionin e numrave të mazhorancës

Ilir Meta, Kyetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, kishte gjashtë muaj që i kërkonte Kryeministrit Sali Berisha të largonte nga posti i Ministrit të Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjetikës, Dritan Priftin, nënkryetarin e LSI. Konflikti brenda partisë së dytë të koalicionit qeverisës ishin ndezur dhe zërat qarkullonin për një përplasje të pakthyeshme mes kryetarit dhe mikut besnik, tashmë të dikurshëm. Megjithatë mos dalja në publik e sherrit dhe tentativat për një pajtim, krijuan përshtypjen e një zbutje të kontradiktave. Madje Kryeministri Berisha e quante këtë aspekt të mbyllur, duke harruar vigjëlencën ndaj ish-kundërshtarit të egër. Por atëherë kur askush nuk e priste, përplasja u hap sërish. Zv.Kryeministri në javën e parë të shtatorit thërret ministrin në një mbledhje urgjente të kupolës drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por Prifti thotë se jam jashtë shtetit. Në qarqet politike qarkullojnë zërat e një rrokade mes kreut të LSI-së dhe numrit dy të saj. Por më 13 shtator, Ilir Meta, mbledh kryesinë e LSI-së dhe shkarkon ceremonialisht Priftin. Vetë ministri i Ekonomisë ndodhej në varrimin e gjyshes së tij, në Kuçovë. Të nesërmen mediat do të publikonin edhe foton duke vënë kurorën në nderim të njeriut të afërt. Mbledhja e kryesisë së LSI-së u zhvillua shpërthyese, ku anëtarë të saj akuzuan rëndë Priftin duke e akuzuar edhe për afera korruptive dhe lojë të dyfishtë me PD-në. Në fund, vendoset që Prifti të mos jetë në qeveri, duke propozuar Ilir Metën në postin e “METE”-s dhe Edmond Haxhinaston, nënkryetarin e LSI-së që ishte emëruar jo shumë kohë më parë në këtë detyrë, në postin e shefit të diplomacisë. Kreu i LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministri i vendit, Ilir Meta, deklaroi menjëherë se këto ndryshime kanë të bëjnë fillimisht me atë vetë. Sipas Metës, pas një viti në krye të diplomacisë, ai kishte kuptuar se të qenët ministër i Jashtëm, pengonte veprimtarinë e tij si kryetar i LSI-së, për shkak të kohës së madhe që ky pozicion e detyronte të ishte jashtë Shqipërisë. “Arsyeja kryesore është pikërisht një lloj “konflikti” midis angazhimit tim si kryetar i LSI-së, jo thjesht si parti, por dhe si forcë qeverisëse brenda vendit, dhe angazhimit tim si ministër i Jashtëm”, thekoi Meta. Dhe menjëherë lëshon një deklaratë që duket si mesazh për kreun e qeverisë. Gjatë një interviste të dhënë ditën e shkarkimit të priftit Meta, nuk mohoi bashkëpunimin në të ardhmen me Partinë Socialiste dhe me parti të tjera që i përkasin spektrit të majtë. Sipas Metës, LSI vijon të mbetet një parti e majtë dhe në koalicioni me PD-në ka ardhur si rezultat i nevojë të vendit për të ecur në rrugën e integrimit. Por ai thekson se LSI do të vijojë të zbatojë marrëveshjen katërvjeçare të lidhur me PD-në, vitin e shkuar.
Prapaskenat
Konflikti i Metës me Priftin ka qenë i hershëm dhe çdokush në LSI kishte që në fund të gushtit që e dinte se Dritan Prifti nuk do të ishte më pjesë e qeverisë. Kjo sepse mbledhja e kryesisë në të cilën do të merrej vendimi për shkarkimin e Priftit ishte planifikuar të në ditët e para të shtatorit dhe nuk ishte realizuar për shkak se ministri Prifti gjendej jashtë Shqipërisë në një takim pune. Por nuk vonoi dhe reagimi i Priftit i cili deklaroi se kishte kërkuar shtyrjen e mbledhjes së kryesisë për shkak të pjesëmarrjes në funeralin e gjyshes së tij. Por kjo kërkesë duket se nuk është pranuar për shkak të lajmërimit paraprak që i ishte bërë kësaj mbledhjeje. E gjitha kjo ishte një lëvizje që dukej se ishte përgatitur prej kohësh. Por kjo lëvizje ishte edhe një tronditje politike për qeverinë në kohën e kulmit të akuzave për korrupsion nga opozita. Ku Dritan prifti ishte më i shënjestruari. Ndaj dhe përgjigja e Berishës ishte e shpejtë, por e dykuptimtë.
Berisha
Kryeministrit Berisha iu deshën vetëm pak orë për të pranuar zyrtarisht të gjitha propozimet për ndryshimet në qeveri nga ana e aleatit të tij më të madh në qeverisje, zëvendëskryeministrit, Ilir Meta. Por dakordësinë dhe dijeninë e tij për këto ndryshime Berisha e bëri pak minuta pas vendimit të aleatit të tij, përgjatë një prononcimi nga Kamza ku po inauguronte një shkollë të re. “Meta më ka kërkuar rreth 6 muaj më parë largimin nga Ministria e Jashtme. Nuk e pranova në atë kohë, pasi kisha një axhendë të ngjeshur dhe shumë të rëndësishme. Ne pranojmë ndryshimet e aleatëve”, pohoi Berisha. Por kreu i qeverisë arriti të japë përshtypjet e tij pozitive për punën e Dritan Priftit përgjatë një viti në një dikaster të rëndësishëm të qeverisë së tij. Këtë qëndrim ai e përforcoi edhe më shumë në momentin kur zëdhënësja e tij, Erla Mëhilli, nëpërmjet një deklarate për shtyp theksoi e Kryeministri Berisha në përputhje me propozimet zyrtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i propozoi Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të dekretojë ndryshimet e kërkuara në qeveri. Por përveç vlerësimit për punën e Priftit, Berisha nuk harroi të vlerësojë edhe punën e përfaqësuesve të tjerë të LSI-së në kabinetin e tij. “Kryeministri Berisha falënderon zotin Meta për kontributin e tij të vyer, në drejtimin e suksesshëm të Ministrisë së Jashtme dhe diplomacisë shqiptare, si dhe falënderon zotin Prifti për kontributin e tij të çmuar, në udhëheqjen e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe reformave të rëndësishme të ndërmarra në këtë fushë”, u shpreh Mëhilli në deklaratën e saj për shtyp. Nga ana tjetër, Kryeministri berisha theksoi në mënyrë të qartë se PD nuk do të bënte asnjë ndryshim në ministrat e saj në qeveri. “PD nuk ka asnjë motiv të bëjë ndryshime të sajat në qeveri”, theksoi kreu i qeverisë “Berisha”. Megjithatë, afrimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe për pasojë shpallja e kandidaturave të mazhorancës për bashkitë dhe komunat e vendit, pritet të sjellë edhe ndryshime të reja në kabinetin Berisha. Kështu burime pranë PD-së, bëjnë të ditur se në fundin e muajit tetor mazhoranca pritet të shpallë si kandidaturë të saj për Tiranën, ministrin aktual të Punëve të Brendshme, Lulëzim Bashën. Kjo lëvizje do të krijojë një vend të rëndësishëm bosh në kabinetin qeveritar, nisur nga fakti se një ministër duhet të jap fillimisht dorëheqjen dhe më pas të përfshihet në një tjetër garë. Kjo periudhë pritet të shfrytëzohet nga kryeministri Berisha për të bërë edhe ndryshime të tjera në kabinetin që ai drejton, nisur nga marrëdhëniet me aleatët e tij dhe po kështu edhe vetë kërkesat brenda PD-së. Por nuk munguan zërat oponentë ndaj ndryshimeve në qeveri edhe brenda mazhorancës. Ish-ministri i Jashtëm dhe ish-bashkëpunëtori më i afërt i shefit të ekzekutivit, Besnik Mustafaj, tha se qëndrimi i LSI-së për ndryshime në kabinet vjen për performancën e saj në qeveri, që duket se ka çaluar te ministri Prifti. Mustafaj nuk ka dashur të komentojë arsyet e vendimit për ndryshime, por theksoi se është shenjë jo e mirë deklarata e Kryeministrit Berisha për ministrin në ikje, Dritan Prifti. “Nuk ka një përputhje vlerësimi që bën LSI dhe Berisha për këtë ministër. Duket sikur Kryeministri bën një paralajmërim për të mos e prekur këtë politikan. Unë mendoj se duhet marrë seriozisht paralajmërimi i Berishës, që bëhet nëpërmjet superlativave që i drejton punës së Priftit në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”, thekson Mustafaj. Ish-deputeti i PD-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, pas një kohe distance nga arena politike për t`iu nënshtruar profesionit të shkrimtarit dhe publicistit, ka thyer heshtjen duke përcjellë edhe disa mesazhe për Kryeministrin Berisha dhe qeverinë që ai drejton. “Berisha humbi një rast për t’i bërë analizë qeverisë, e që këtë stinë vjeshte të bënte ndryshimet e duhura”, tha Mustafaj. Propozimi ‘i hershëm’ i kreut të LSI-së, Ilir Meta, drejtuar Berishës për ndryshime në kabinet, e ka gjetur këtë të fundit në një moment të papërshtatshëm për të kryer ndryshimet edhe brenda ministrive që drejtohen nga e djathta. “Ne demokratët kemi pakënaqësi për disa ministra dhe më shumë pakënaqësi mund të kenë qytetarët. Do të ishin të duhura ndryshimet në këtë stinë të re”, thaë Mustafaj. Si njohës i mirë i diplomacisë, Mustafaj është i mendimit se ministri i ri, Edmond Haxhinasto, do të vijojë në rrugën e nisur prej Ilir Metës në dikasterin e Ministrisë së Jashtme. Por lëvizjet tani kontrollohen nga kreu i LSI-së, i cili ka 3 vota të vyera që i shërbejnë shumë mazhorancës. Por natyrisht Meta nuk është më ai i forti i 2005-ës, pasi nuk i ka 4 kartonët, pasi Prifti ka bërë të ditur thuajse hapur se do ti qëndrojë besnik mazhorancës. Por përplasja brenda LSI-së është rritur, duke sjellë si pasoja akuza-kundërakuza, madje edhe kërcënime për vdekje dhe denoncime penale.
LSI, kërcënime dhe puthje
Dashuri dhe urrejtje” mund të quhet “filmi” më i ri që po projektohet nga “ekranet” e Lëvizjes Socialiste për Integrim pas mbledhjes dramatike të kryesisë që vendosi largimin e Dritan Priftit. Ministri në largim i Energjetikës, Dritan Prifti, ka denoncuar në prokurori kolegun e tij, Spartak Braho, duke e akuzuar për kërcënim me jetë, ndërsa zv.kryeministri Meta deklaroi publikisht se e priste me mall dhe përzemërsi. Në një shkresë zyrtare Prifti i është drejtuar zyrtarisht me një letër Kryeprokurores Ina Rama, ku i kërkon të nisë hetimet në lidhje me kërcënimet që ka marrë nga Braho nëpërmjet telefonit dhe mediave. Nga ana tjetër, kryetari i LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministër, Ilir Meta, deklaroi në lidhje me këtë situatë se çdo njeri që ka një vepër penale duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe në momentin që konstatohet një gjë e tillë, kjo forcë politike e përjashton nga radhët e saj. “Do ta takoj Priftin me mall dhe dashuri të pashtershme”, theksoi Meta , duke lënë të kuptohej se për të nuk kishte problem nëse përfaqësuesit e LSI-së kishin debate mes tyre. Sipas Priftit, ai tashmë ka prova të qarta se nga i vijnë kërcënimet e tij. “Deri para pak kohësh nuk mund të paragjykoja se nga më vinin këto kërcënime, por kohët e fundit mendoj se konteksti i tyre mund të jetë politik. Shprehja e tij për mua, “nuk merrem me të ikurit dhe të vdekurit”, është kërcënuese dhe më tregon se në kokën e Spartak Brahos unë mund të jem dhe “i vdekur”, deklaron Prifti në letrën e tij dërguar Kryeprokurores Ina Rama. Po kështu, ministri i Ekonomisë thekson në letrën e tij se Braho ka një të shkuar si prokuror i regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe në aktivitetin e tij ai mburret ka dënuar njerëz me vdekje dhe litar. “Ai ka dhe një djalë që punon në prokurori. Në media, herë pas here në vitet e kaluara kanë dalë akuza për lidhjet e tij me botën e krimit, pavarësisht se të pakonfirmuara ligjërisht”, vijon akuzat Prifti. Në këtë kuadër ai i kërkon prokurorisë që të dhënat të cilat ai i bën publike, të merren parasysh për të zbuluar kërcënuesit e vërtetë. Nga ana tjetër, për këtë çështje erdhi edhe reagimi i anëtarit të kryesisë së LSI-së, ish-deputetit Spartak Braho. “Zoti Tan Prifti është i tronditur nga vdekja e papritur e gjyshes, prandaj flet dhe komunikon përçart si në kllapi dhe i tromaksur. Ai duhet ta përballojë humbjen e madhe dhe si myzeqar trim nuk duhet të ketë frikë nga ëndrrat me të vdekur, me të plagosur apo me gjak, por vetëm nga ligji”, deklaroi Braho në një deklaratë të tij. Ende nuk dihet nëse prokuroria do të hapë zyrtarisht një çështje në lidhje me këto deklarata.
Opozita
E majta nuk është kënaqur me largimin e Priftit por ka avancuar aksionin e saj, duke përfituar menjëherë. Kreu i opozitës, Edi Rama, vetëm dy ditë pas largimit të Dritan Priftit foli për zgjedhje të parakohshme. Me një aksion politik të plotësuar me opsionin e protestave, selia rozë së fundmi duket se po heton në praktikë një kuadër të papërkufizueshëm skenarësh që shkojnë nga një sfidë elektorale normale në 2011-n deri tek eventualiteti i zgjedhjeve të parakohshme. Të paktën kjo është direktiva verbale e përcjellë nga kreu socialist, Edi Rama, në kontaktet e fundit me strukturat e partisë në bazë, të cilat kanë nisur punën për përballimin e sezonit të ri politik. Rama, shfrytëzoi çështjen e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, për të rikonfirmuar angazhimin opozitar për të larguar nga pushteti shumicën e drejtuar nga Sali Berisha. “Largimi i ministrit të Ekonomisë në një mbledhje partie dhe justifikimet e Kryeministrit në një oborr shkolle, ishin një tjetër shembull i shpartallimit moral të këtij pushteti. Asnjë procedurë normale, asnjë edukatë qeverisëse, asnjë lloj transparence me publikun… Dje nga qeveria iku Prifti, po jo djalli që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë, korrupsioni gërryes që po shkatërron ekonominë e familjeve shqiptare për të pasuruar një grusht njerëzish. Shqipëria sot është më e kërcënuar se dje. Kjo qeveri duhet vetëm të largohet dhe ne do të bëjmë çdo gjë që mundemi për ta larguar”, tha Rama. Ndërsa për deputetin socialist Bashkim Fino, ndryshimet në qeveri janë “një lëvizje konjunkturale, që nuk vjen si pasojë e një analize të thelluar për sa i përket qeverisjes dhe çështjeve të korrupsionit, por që vjen si pasojë e problemeve të brendshme të një partie të koalicionit. Nëse do të kishte të bënte me analizën e vërtetë të qeverisjes, atëherë z.Berisha do duhet të kishte zëvendësuar gjysmën e kabinetit, për të cilën PS ka ngritur akuza të bazuara mbi fakte. Është pra një larje hesapesh që LSI bën me Dritan Priftin dhe kjo duket edhe te fjala e Berishës, që duke e cilësuar Priftin si një nga ministrat më të mirë, kontraston me atë se çfarë veprimi ndërmori LSI-ja”. Kurse Spartak Ngjela, kreu i PLD-së, e ka analizuar situatën më politikisht: “kërkesa e LSI-së vjen në një kohë të vështirë për Sali Berishën. Në një farë mënyre ajo ka gjetur kohën për të imponuar disa ndryshime, që përndryshe mund edhe të mos pranoheshin nga Kryeministri Sali Berisha. “Kryeministri është i trembur, është i frikësuar sepse ka një konflikt të hapur ndërkombëtar. Ai e di shumë mirë se shumë shpejt do të ballafaqohet edhe me protesta popullore nga ana e opozitës. Është i frikësuar dhe Ilir Meta gjeti rastin për t’i marrë Ministrinë e Ekonomisë, ku ka interesa të mëdha”.