Klima politike e momentit në vendin tonë është mbërthyer aktualisht me përzgjedhjen e emrit dhe mundësinë e arritjes së numrit të votave të mjaftueshme të presidentit të ri të shqiptarëve duke anashkaluar çdo problematikë tjetër politike, parlamentare, ekonomike, etj. Gjithë debati politik zhvillohet mbi këtë argument edhe pse nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa zgjedhja e emrit të presidentit të republikës është një nga momentet decisive të jetës politike të një vendi. Krerët e partive më të rëndësishme parlamentare kanë zhvilluar takime, ku çfarë është biseduar është mbajtur tepër sekret. Të gjithë janë dakort me parimin që presidenti duhet të jetë konsensual. Kjo duket e domosdoshme pas eksperiencës me presidentin në largim Bamir Topi, drejtimi i të cilit në insitucionin më të lartë shtetëror la shumë për të dëshiruar. Mosfunksionimi i marrëdhënies dhe mungesa e një konsultimi paraprak midis presidentit dhe parlamentit, apo shumicës parlamentare që ka votat e mjaftueshme për emërimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, bëri në këto vite që të krijoheshin shpesh ngërçe institucionalë. Për të mos shkuar më tutje me ligjet e nxjerra nga parlamenti dhe dekretimin e tyre nga presidenti. Në këtë aspekt ka patur konflikte politike të cilat bëheshin publike pa kaluar më parë nga zyrat respektive të insititucioneve. U bë praktikë që si kryeministri ashtu dhe presidenti ti mësonin opinionet dhe vendimet e njeri tjetrit vetëm nëpërmjet mediave, pa kërkuar në asnjë moment që të konsultoheshin paraprakisht. Pavarësia e pushteteve në një demokraci të vërtetë nuk do të thotë vendimmarrje të pavaruara nga ana e tre pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqsorit, por ka edhe një ndërthurje reciproke të tyre. Ashtu si parashikohet edhe nga vetë kushtetuta. Shumë nga titullarët e institucioneve të larta shtetërore zgjidhen jo në mënyrë të njëanshme, pra jo vetëm nga një institucion, qoftë kryeministri, parlamenti apo dhe vetë presidenti. Në të gjitha rastet ata propozohen nga njëra palë dhe dekretohen nga pala tjetër, ose votohen, në rastin e parlamentit. Kjo bën të kuptosh fare qartë që nëse nuk ka një marrëveshje paraprake midis pushteteve apo insitucioneve të tyre, për një emërim apo për një propozim për votim do të ishte e kotë të kryheshin këto proçese, sepse siç ka treguar edhe eksperienca, në shumicën e rasteve kanë dështuar. Vitet e fundit ka ndodhur që emrat e propozuar apo ligjet e aprovuara të përfundonin suksesshëm ishte një probabilitet. Probabilitet, i cili në shumicën e rasteve ishte shumë i ulët. Që kjo mos të ndodhë kërkohet një bashkëpunim insitucional, por edhe jo vetëm. Duhet edhe një bashkëpunim më opozitën, e cila nuk duhet lënë e tëra e mospërfillur përsa i përket zgjedhjes së presidentit, edhe në rastin kur shumica mund ti ketë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur atë. Ndaj është folur shumë për mundësinë e vetme të zgjedhjes së një presindetit konsensual, jo vetëm për të përfaqësuar unitetin e kombit, si shprehet në kushtetutë, por edhe të ketë aprovimin e si rrjedhojë mbështetjen e një spektri më të madh politik të vendit. Rasti i Presidentit Topi, i cili nuk u zgjodh në mënyrë konsensuale nuk rezultoi i suksesshëm. Nëse të gjitha palët janë dakort parimisht për presidentin konsensual dhe e quajnë këtë një arritje politike, kjo nuk është veçse një mburojë për të arritur tek thelbi i vërtetë i çështjes. Cili do të jetë emir i tij. Sa do t’i plotësonte kushtet për të qenë i tillë. Por jo vetëm kushtet. Çështja tjetër është se edhe presidenti konsensual, sa konsensual do të mbetet ai gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Këtu pikërisht është një çështje fati apo probabiliteti që shqetëson së shumti politikanët e pozitës dhe opozitës. Që rreziku të jetë sa më minimal, duhet tejkaluar çështja e emrit dhe duhet menduar më parë se nga cila fushë apo spektër i jetës së vendit duhet të vijë ai. Pra duhet të vijë nga politika apo nga shoqëria civile, nga biznesi apo nga një karrierë shtetërore? Këto janë pyetjet që kërkojnë më tepër përgjigje para sesa të kalohet tek emri konkret e më vonë tek konsensualiteti i tij. E natyrisht, eksperienca ka treguar se kur emrat vijnë nga politika, shanset për konsensualitetin e vazhdimësisë së ushtrimit të detyrës së tij, janë gjithnjë e më të vogla. Këtë dëshmon,edhe pse shumë e shkurtër, historia e demokracisë shqiptare. Atëherë pse mos të “eksperimentojmë”?