Vetëm një javë pas ndalimit të dyqaneve kebab dhe rritjes së kufizimeve për hyrjen në Sheshin San Marko në Venecia, një tjetër goditje vjen për turistët e këtij qyteti. Autoritetet e qytetit duan të miratojnë planet për të ndaluar ndërtimin e hoteleve të reja.

“Situata është mjaft e rëndë”, tha Massimiliano De Martin, për gazetën lokale Corriere del Veneto. Ai vazhdoi më tej duke thënë se kjo është një zgjidhje e rëndësishme për mandatin tonë dhe na vë në të njetën linjë me politikën e Unesco-s”. Ai shtoi më tej se në qendrën historike, ka aktualisht rreth 47,000 dhoma që jepen me qira dhe ne duhet në mënyrë absolute ta mbrojmë qytetin tonë, i cili po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga numri në rritje i turistëve.

Qyteti i Venecias ka parë gjatë viteve të fundit një rënie të konsiderueshme të rezidentëve të përhershmëm, dhe nëse vazhdohet me këto rimte në 2030, ky qytet nuk do të ketë më asnjë rezident të përhershëm.

Ndalimi, që pritet të konfirmohet gjatë kësaj jave, do të pengojë zhvilluesit në zgjerimin e hoteleve ekzistuese dhe mbi të gjitha në ndërtimin e hoteleve të reja. Pritja e miratimit të një ligji të tillë ka krijaur tension në vend, sidomos në mesin e atyre që zotërojnë nëj biznes të tillë, por autoritet kanë deklaraur se ata nuk do të preken nga një ligji i tillë.

Verën e kaluar situata ka qenë shumë e tensionuar midis turistëve dhe rezidentëve të përhershëm të këtij qyteti, ku këta të fundit shpërndanë fletushka të shumta në zonat më të vizituara të Venecias, ku shkruhej: “ Turistë shporruni”.

Një nismë e tillë pritet të ndërmerret edhe në qytete të tjera turistike si Barcelona dhe Palma de Majorka, ku rezidentët e përhershëm të këtyre dy vendeve shprehen se për shkak të numrit gjithnjë e në rritje të turistëve janë rritur edhe çmimet e shtëpive për banorët vendas, si edhe ata shpesh herë kanë qenë pjesë e akteve të ndryshme vandaliste.