Në Shqipëri, lindin më shumë djem se sa vajza. Sipas një raportimi të INSTAT, Raporti gjinor në lindje është 1,09, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 109 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 1,05.

Por, diçka që vihet e për popullsinë e rritur në vend, është numri më i lartë i grave kundrejt burrave.
“Raporti gjinor për popullsinë gjithsej është 99.7, që do të thotë se për çdo 100 gra në Shqipëri jetojnë 99.7 burra. Viti 2019, është viti i dytë që nga Cens 2011, që numri i grave në Shqipëri është më i lartë se ai i burrave. Për moshat mbi 40 vjeç, numri i grave është më i madh se ai i burrave, ku për çdo 100 gra jetojnë 94.7 burra.”-thuhet në raport.

Nga të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjes, e raportuar nga INSTAT, familjet shqiptare me kryefamiljarë burra janë 5,5 herë më shumë se familjet me kryefamiljare gra. Pra, vijon të kemi familje patriarkale në vendin tonë. Nga ana tjetër, anketa tregon se numri i grave të cilat jetojnë vetëm është rreth 2.6 herë më i madh se ai i burrave.

“Për grupmoshat e reja nën 44 vjeç, numri i burrave të cilët jetojnë vetëm është më i madh se ai grave, ndërsa për grupmoshat mbi 44 vjeç raportet ndryshojnë dhe numri i grave të cilat jetojnë vetëm është 2.9 herë më i madh se ai i burrave. “- thuhet në raportin e INSTAT.

Gratë që jetojnë të vetme me fëmijët e tyre janë disa herë më shumë se numri i burrave në të njëjtat kushte dhe këto diferenca janë të konsiderueshme për të gjitha grupmoshat.

 

/SHQIP.AL