Speciale: Big Brother ndër vite

Personazhet më të famshëm në katër edicionet e këtij reality show vijnë në këtë rubrikë duke na treguar veten e tyre. Çfarë janë duke bërë aktualisht? Ku punojnë?

Çfarë kujtimesh kanë nga eksperienca e tyre televizive dhe çfarë këshillash u japin të rinjve që duan të ndjekin ëndrrën e tyre… por dhe si u shkon dashuria

Neda: “Kam dashurinë dhe lumturinë që ajo të fal”

Një nga vajzat më simpatike dhe origjinale që do të spikaste në Big Brother 4. Ishte njëra prej atyre që bëri xhelozë shumë të tjerë, duke marrë parasysh tipin e saj, mënyrën e të shprehurit, snobizmin që e karakterizon si dhe këtë dashuri që ndjeu për Ogrenin.

Aktualisht ajo po vazhdon të bëjë atë që di të bëjë më së miri; Po ëndërron dhe po jeton ëndrrat e saj. I kalon ditët duke u ndjerë e lumtur, në krah të dashurisë, familjes së saj, fakultetit, miqve dhe pasioneve, të cilat nuk do t’i harronte apo zëvëndësonte kurrë, e

dhe nëse e tërë rrjedha e jetës së saj guxon të ndryshojë. Nëse e pyesim për kujtimin më të bukur që ka nga BB ajo përgjigjet: “Kujtimet, më duken “qenie” të krijuara nga përjetimet dhe në bazë të tyre, ne vendosim se çfarë të mbajmë me vete në mendjen dhe zemrën tonë kudo.

Kujtimi im më i bukur në BB, është gjithashtu edhe përjetimi im më i madh… një përqafim pafundësisht i gjatë  me Ogrenin, në derën e pishinës…  Dhe, ishte pikërisht ai momenti që kuptova se sa e dashuruar isha me të.” -shprehet ajo.

Jeta e Nedës ka ndryshuar më së miri pas BB. “Big Brother, di të të ndryshojë jetën në mënyrë radikale, nëse ti e lejon atë! Nga ana tjetër, mund të jetë vetëm një experience më shumë, nëse ti vendos të jetë kështu.

Këtë vendosa edhe unë, sidomos për arsyen se e kam pëlqyer gjithmonë jetën që kam bërë… Qëllimi që kisha për hyrjen në BB, nuk ishte të përmirësoja jetën time. Mirëpo, nëse do më pyesje; Si është zbukuruar më shumë jeta jote pas BB-së?

Do të thoja që ajo tashmë është realizuar në qëllimin më të madh që ka; dashurinë dhe lumturinë që të fal ajo. Sigurisht, nuk mund të lë kurrë pa përmëndur edhe miqtë që tashmë janë më të shumtë!”-thotë Neda.

Vetevetja dhe të mos qenurit e tradhtuar është një nga gjërat më të rëndësishme për Nedën. Ajo sugjeron se “Nuk duhet bërë asgjë brenda asaj shtëpie, nëse jashtë në kushte normale, nuk do ta bënit kurrë!

Në fund, e rëndësishmë është të mos humbasësh veten!” E nëse e pyesim për dashurinë është e kotë sepse të dashuruarit, Ogrenin, është një nga gjërat që ajo di të bëjë më mirë.

 

Ogreni: “Asgjë nuk mund ta ndryshojë lidhjen me Nedën”

Ogreni ishte një nga djemtë më interesantë që spikati për karakterin dhe personalitetin e tij në Big Brother 4. Përmes debateve që zhvilloi arriti të kishte jo vetëm vëmendjen e kundërshtarëve të tij por mbi të gjitha të vajzës që bëri për vete, Nedën.

Diskutimi dhe të qenit gjithmonë kundërshtar e vuri atë në qendër të çdo debati të së shtunës, aty ku banorët mblidheshin dhe diskutonin për problematikat e javës. Tashmë ai e kujton Big Brotherin si një eksperiencë të bukur që ia vlejti të merrte pjesë.

Një nga arsyet që ia ka vlejtur pjesëmarrja ka qenë edhe njohja me Nedën. “Pas daljes nga Big Brother, unë e Neda ju dedikuam njëri-tjetrit plotësisht, duke u njohur dhe përshtatur më shumë edhe me kushtet e jetës reale.

Kemi udhëtuar dhe i kemi plotësuar çdo ëndërr e çdo dëshirë njëri-tjetrit. Ndërkohë, kam qënë në pritje ndërmjet intervistave dhe ofertave të punës, për të zgjedhur mundësinë më të mire për mua.

Ajo mundësi më në fund erdhi dhe tashmë jam i punësuar në sektorin e menaxhimit dhe marketingut, ku unë menaxhoj një filial të “Euromax”. Por nëse e pyesim për kujtimin më të bukur që mori nga Big Brother ai përgjigjet kështu:

“Big Brother, është në vetvete një kujtim shumë i bukur dhe si i tillë do të mbetet gjatë në mendjen time. Mirëpo, ai është I ndërtuar nga detaje të ndryshëm dhe të kundërt. Ndër to, si më të veçantin dhe atë që më ka falur emocionet më të forta mund të konsideroj ditën e ditëlindjes sime,

e cila u bë shumë herë më e bukur nga surpriza që më organizoi Neda. Por ajo që ndryshoi ndjeshëm në jetën e Ogrenit ishin dy momente shumë të rëndësishme në jetën e një njeriu si pika vërtet të forta ishin dashuria dhe miqësia.

“Pas përfundimit, ndryshimet e vetme që u bënë në jetën time ishin në dashuri dhe miqësi. Sigurisht Neda dhe shumë njerëz që kam njohur pas BB-së, që tashmë janë kthyer në miq të mirë të mitë”,- përfundon ai.

Edhe Ogreni ashtu si shumë banorë të tjerë ka për të dhënë sugjerimin e tij që lidhet me psikologjinë e fortë që duhet të ketë çdo banor për t’i shpëtuar kësaj lufte të fortë emocionale në këtë realitet televiziv.

“Është e vështirë të përballosh një presion dhe luftë psikologjike si ato që të ofron Ogreni shtëpia e BB-së, ndaj banorët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj tyre. Ka nga ata që janë shumë të natyrshëm, për shkak të forcës psikologjike dhe atë të karakterit.

Të tjerë, bëjnë gabime shumë të mëdha të tipit të krijimit të strategjive që jashtë shtëpisë, dhe e nisin lojën të impostuar. Këto mënyra janë bërë tashmë “cliché” dhe të lexueshme nga publiku, dhe pasojat bien gjithnjë në kurriz të vetë konkurentit.

Një gabim tjetër që një konkurent nuk duhet të bëjë kurrë për mendimin tim, është krijimi i lidhjeve të stisura dhe të pandjera”, -thotë Ogreni. Por nëse dashuria do të ishte e pabesueshme në këtë lloj formati për Ogrenin nuk mund të quhej kurrsesi e tillë.

“Ka disa njerëz për të cilët mesa duket dashuria dhe ndjenjat, nuk marrin kurrfarë vlere ndaj egove personale dhe mllefeve të brendshme… Do më vinte keq për disa prej tyre.

Por për të tjerë që janë të pajisur me një mikrofon, disa kamera dhe statusin e drejtuesve të programeve, më vjen vetëm për të qeshur. Uroj e shpresoj, që njerëz të tillë të zbulojnë një ditë se çfarë është një ndjenjë e vërtetë që tejkalon çdo kufi! Ne të dy jemi bashkë!

Dhe nuk ka zëdhënës të asnjë zemre të ligë e shpirti të ftohtë ta ndryshojë këtë!”, – përfundon i bindur e i lumtur ai.

 

Arjon Muca: “Puna në television ishte ëndrra ime”

Ishte djali nga Vlora që u spikat në edicionin e dytë të BB. Plot sharm, elegant dhe fin, i komunikueshëm dhe i qeshur dukej si ishte lindur për të qenë pjesë e ekranit televiziv.

Dhe Arjoni pas përfundimit të eksperiences së reality-s nisi një karrierë të bukur televizive. Fillimisht në Top Channel me një program në prime time dhe tashmë në tv Klan.

“Sa herë që rifillon BB pavarësisht faktit që kanë kaluar 3 edicione deri më sot, ngelet sigla pjesa ime më emotive.

Ajo më rikujton emocionet që krijoheshin brenda meje në situatat e papërshkrueshme emotivisht brenda asaj loje; emocion, shans, ndjesi, përvojë…quaje si të duash. Ajo që më mungon më shumë nga ajo experience ngelet ama dëshira e të qenit i “lirë”,

shprehet Arjoni. E pyesim se çfarë ka ndryshuar në jetën e tij. “Ka ndryshuar në kompleksitetin e të tërës. Do të thotë që ka ndryshuar gjithçka dhe asgjë. Jeta ime, familjare dhe sociale ka ngelur po e njëjta”.

“Kam patur mundësinë të bëj atë që ëndërroja, tregon Arjoni, dhe këtë ma mundësoi Big Brotheri. Më ndihmoi të bëhesha i njohur për publikun e gjerë jo më si “banor”  por si prezantues, në krah të Hueyda El Sajed në emisionin “Një këngë për ty”.

Më pas prezantova disa evente private. Fillova dhe në Rtsh si prezantues, u bëra imazh i një kompanie prestigjoze brenda e jashtë Shqipërisë “Bella Confex”. Interesante ishte për mua edhe koha që punova në Radio Tirana,

ku moderoja një program me të ftuar të ideuar nga mua”, tregon me entuziazëm Arjoni. Tashmë e shohim çdo të dielë pasdite. “Mu dha mundësia e realizimit të një përvoje të re shumë të bukur e që më pëlqen jashtë mase.

Ëndrra ime ka qenë dhe mbetet televizioni, ndaj dhe ndihem shumë i realizuar tek bëj rubrikën e të rinjve tek “E diela shqiptare” me “Këndin 4D në televizionin Klan”. Përsa i përket ndonjë këshillë për ata që duan të realizojnë po të njëjtën përvojë si ai duke marrë pjesë në një reality show ai shprehet:

“Unë nuk jam askushi për ti dhënë këshilla sesi dikush duhet të menaxhojë ndoshta shansin e vetëm që i jepet në jetë. Shumë njerëz e dëshirojnë dhe nuk iu mundësohet. Por besoj, ajo që do të bëja unë po të rikthehesha pas,

do ishte të vazhdoja të mbështetesha përsëri tek familja dhe tek ata njerëz që me qetësi e dashamirësi më kanë dhënë këshillën e duhur për menaxhimin e situates ku ndodhesh i katapultuar”. Jeton i lumtur dashurinë e tij me Violën,

bukuroshen e njohur të ekranit si velinë në programin “Fiks Fare”. Kur e pyesim sesi shkon marrëdhënia me të, ai përgjigjet: “Perfekt! Jetoj çdo ditë me lumturinë që më ka dhuruar Viola dhe me qetësinë e vetëbesimin që të jep një person që të do pa kusht”.

 

Arbër  Cepani: “Kthimi i studentëve shqiptarë, projekti im aktual”

 

Arbri është fituesi i BB1. Me çmimin prej 50 mijë eurosh që fitoi bëri bamirësi pët shkolat e fëmiljve në nevojë ashtu si kishte premtuar që do të bënte qysh në ditët e para në shtëpinë më të famshme në Shqipëri kur ende fitorja ishte një ëndërr e largët për të.

Bëri për vete shqiptarët, të cilët e votuan duke parë tek ai një djalë model, me prirje intelektuale, shumë qytetar dhe mbi të gjitha i qetë dhe i matur ndoshta edhe më tepër sesa mosha që ai kishte.

“Aktualisht jam duke u marrë me “Asan”, rrjetin e studentëve shqiptarë në botë, që është një rrjet gjithëpërfshirës e që synon të kryej “brain gainin”, ose e thënë shqip, rikthimin e trurit shqiptar; të studentëve që përfundojnë studimet jashtë vendit”.

“Kujtime të bukura nga Big Brother kam për gjithë 100 ditët e qëndrimit tim aty Brenda. Që nga miqësitë që u krijuan e deri tek emocionet dhe ndjesitë më të vogla”.

Teksa përpiqet me vështirësi të risjellë kujtimet të veçanta nga ato momente jete të përjetuara në mënyrë intensive para syve të qindra mijëra shikuesve, në memorien e tij mbetet e freskët sikur ta kishte jetuar sot përjetimi i çasteve të natës finale të spektaklit,

kur do të shpallej edhe fituesi i parë I “vëllait të Madh” shqiptar. “Pa dyshim nuk mund të mohoj që kujtimi më i bukur ishte nata finale dhe fitorja. Ishte gjithçka një emocion i papërshkrueshëm” rrëfen Arbri. Kur e pyesim sesi ka ndryshuar jeta e tij pas daljes nga BB1,

përveç fitores së shumës së çmimit ai thotë: “Pasi bëhesh pjesë e një emisioni të gjatë mediatik me një vëmendje dhe audiencë të jashtëzakonshme si Big Brother, kur përfundon kjo eksperiencë normalisht jeta e përditshme të merr një rrjedh tjetër.

Nëqoftëse përpara hyrjes në BB kisha marrdhënie ndërpersonale vetëm me të afërmit dhe miqtë, pas daljes nga ky reality, jeta ime sociale ndryshoi dhe mori një tjetër ritëm, shumë më dinamik”.

Arbri nuk mund të fshehë nostalgjinë që ka për atë periudhë dhe ka ndjekur edhe fillimin e këtij edicioni të pestë. Për banorët këshilla që do të jepte është “thjesht ta shijojnë në maksimum këtë eksperiencë.

Është diçka që nuk do të të jepet mundësia ta provosh dy herë në jetë, prandaj duhet ta jetosh çdo ditë, çdo javë, çdo muaj nëse do ta kesh mundësinë e qëndrimi aty brenda”.

 

Nga: Arjan Konomi