Eksperienca e këtij fundviti tregoi që dhjetori do të mbetet një muaj i pasur kulturor. Ngjarjet qenë të shumta. Duke filluar kështu me filmin me metrazh të gjatë, 50 vjetorin e cirkut, rikthimin e Ilir Kernit, konkursin ‘Onufri’, e deri me ardhjen e një ndër grupeve më të famshme siç janë Aba-t. Sigurisht zhurmat e festave të fundvitit, Krishtlindjet dhe Viti i Ri, e bënë këtë muaj edhe më të pasur

Muaji dhjetor dallohet për veçantinë e tij. Edhe pse në ditë të ftohta ai është gjithmonë i mbushur me shumë aktivitete. Konkurse, ekspozita, balet, opera, festivale apo edhe të ftuar specialë që dhurojnë emocione nëpër rrugët e kryeqytetit. Ajo për të cilën kemi më shumë nevojë, siç është përjetimi i vlerave dhe kënaqësive estetike, muaji dhjetor na e dha më shumë se çdo muaj tjetër. Të jetosh në kryeqytet nuk do të thotë të kesh vetëm alternativa të pafundme kafenesh. Në Tiranë mund të provosh pak nga të gjitha, pasi edhe risia e informacionit kulturor është rritur vërtet. E megjithatë mos të harrojmë atë për të cilën shumë e zgjodhën Tiranën këtë fundvit. Festimi i Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri është bërë tashmë traditë që të festohet me shumë zhurmë, lëvizje, ritëm në bare e lokale gjithandej. E njëjta panoramë interesante u përsërit edhe këtë vit. Tirana festoi nën zhurmë festat e dhjetorit me kryeqytetasit dhe të ardhurit e tjerë.

TIFF teston filmin me metrazh të gjatë

Muaj që lamë pas ka shfaqur për spektatorin shqiptar premiera botërore dhe aventura filmike në ekranin e madh të kinema “Imperial” dhe në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar, por surprizat e këtij eventi, nëse mund të quhen kështu, kanë qenë filmat me metrazh të gjatë. Me transmetimin e 14 filmave me metrazh të gjatë, është zgjeruar hapësira e prezantimit të filmave, pasi është shtuar kategoria e filmit me metrazh të gjatë dhe kategoria DigiArt Film televiziv me metrazh të shkurtër. Sipas drejtorit të festivalit, Ilir Butkës, kjo risi ishte për t’i sjellë një frymë të re TIFF-it në edicionin e tij të shtatë. Filmat përshëndetës të festivalit janë përzgjedhur “Akadimia Platonos” e regjisorit Filippos Tsitos’s, si dhe dy filma të pashfaqur më pare, “La perla” dhe “The severage innocents”, të marrë nga Arkivi Qendror i Filmit. Ndërkaq, kinemaja kineze e viteve ’70 prezantohet me filmat “Nga fitorja në fitore”, “Kalim në lumin Jance” etj. Ky eveniment kulturor ishte vërtet emocionues pasi u ndoq me vëmendje jo vetëm nga publiku i thjeshtë, por edhe nga profesionistë të fushës, regjisorë, aktorë e artistë të tjerë.

“3 Tenoret”, përsëritje emocionesh

Vodafone Albania ka mbështetur sërish artin dhe muzikën, këtë herë duke qenë pranë një prej koncerteve më të rëndësishme vjetore të organizuara në Shqipëri. Koncerti klasik “3 Tenorët” u mbajt pranë Pallatit të Kongreseve me pjesëmarrjen e Ardian Xhemës, Armando Kllogjrit dhe Rame Lahajt. Përveç tyre nuk munguan të ftuarit specialë, tenoret napolitanë Xhakomo Mosta, Vito Ruso, Francesko Tupo dhe Maestro Luixhi Otaiano. Koncerti “Tre Tenoret” është një ndër eventet artistike më të rëndësishme dhe më të shumëpritura të vitit, që ka patur mbështetjen e kompanisë Vodafone për vite me radhë. Edhe këtë vit pritshmeria e publikut ishte e lartë, për të shijuar një mbremje me muzikë të mrekullueshme shoqëruar nga zërat më të mirë të muzikës klasike vendase dhe botërore.

“Arrëthyesi” sjell Ilir Kernin në Tiranë

Për pesë net me radhë, publiku kryeqytetas pati mundësinë të ndiqte baletin tradicional në vigjilje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Me interpretimin e tij në Tiranë të baletit “La Sylphide”, i mirënjohuri Ilir Kerni, tanimë 50-vjecar, tha se deshironte ta mbyllte karrierën e tij në teatrin ku lindi dhe u rrit si artist. Kështu, baleti i mbështetur mbi një përrallë, “Arrëthyesi”, erdhi këtë fundvit për publikun kryeqytetas nën koreografinë e tij. Premiera solli në Teatrin e Operës dhe Baletit mjeshterinë e një prej kompozitorëve me fame botërore, siç është Çajkovski. “Arrëthyesi” është një balet i mbështetur mbi një përrallë me dy akte në tre skena dhe e kompozuar në 1891-1892 nga Çajkovski. U luajt në Teatrin Imperial të Rusisë në vitin 1892. Në Perëndim baleti “Arrethyesi” u bë ndoshta baleti më popullor, veçanërisht në periudhen e Krishtlindjeve.

“Onufri”, konkursi pa skulpturë

Data 24 dhjetor solli në sallën kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve përgatitjet e fundit për konkursin ndërkombëtar të arteve pamore, “Onufri 09”. Disa prej artistëve ishin të pranishëm dhe u kujdesën për veprat e tyre. Kuratori Parid Teferiçi, edhe ai nuk i mungon kësaj tabloje. Jo pa keqardhje ai u shpreh se këtë vit, skulptura do të ishte një zhanër që do t‘i mungonte “Onufrit”. Veprat të cilat kuratori ka parë gjatë fazës parapërgatitore, nuk përputheshin me konceptin e tij kuratorial. Teferiçi ka qenë më shumë i fokusuar që nëpërmjet punëve të artistëve pjesëmarrës, të shpërfaqej një pjesë e realitetit shqiptar dhe vendin që ai zë në krijimet e artit bashkëkohor po shqiptar. Për këtë arsye, edhe pse “Onufri” nuk e ka një temë të caktuar, ai vendosi ta quante “Onufri, dëshirë dhe dëshmi”, të paktën kjo ka qenë ndjesia e tij teksa ka vëzhguar e ka përzgjedhur punët pjesëmarrëse.

“Qyteti pa kufij”, prezantim në Marubi

Në ekranin e kinemasë ‘Marubi’ u shfaqur filmi “En la Cuidad sin lìmites” (125 min). Filmi është një nga realizimet e vitit 2002 të regjisorit spanjoll Antonio Hernández. Në këtë prezantim kanë luajtur aktorët Leonardo Sbaraglìa, Fernando Fernán-Gómez, dhe Geraldine Chaplin. Filmi ishte i subtitruar në anglisht dhe është shfaqur në kuadër të së ‘Premtes Spanjolle’. Si gjithmonë edhe kësaj radhe kultura spanjolle e prezantuar përmes interpretimit në rol, ka ngjallur emocione te shikuesit.

Cirku mbush 50 vjeç

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm që do të spikaste muajin dhjetor ishte edhe 50 vjetori i cirkut shqiptar. Një spektakël i vërtetë që u zhvillua përmes emocionesh dhe fituesish.

Një suprizë e veçantë gjatë këtij audicioni ishte ekzekutimi i vlerave më të mira të përfaqësuara nga mjeshtra veteran si: Pavli Sallata, Bajram Kurti, Halil Minzolli, Fatos Alla, Ali Juca dhe breza më të rinj të artistëve ekzekutues si, Stela Bllashmi, Manushaqe Mullai dhe shumë të tjerë. Në një mozaik të numrave të ajrit, akrobacisë, plastikës, xhonglimit, numrave të shpejtësisë dhe kllounatës, u ringjitën në arenë “Fjongoja fluturuese”, “Klasa e qeneve”, “Basketbollisti xhongler”, “Plastika- Vajza e kabaresë” si dhe lojëra humoristike të klounëve tanë”. Nuk munguan gjithashtu as performancat e fëmijëve të grupit “Spektër” që i shtuan koloritin shfaqjes. Spektakli magjik ishte garantuar nën kujdesin artistik të mjeshtrit Fatos Roshi dhe në interpretimet e akrobateve të talentuar Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku, Xhejms Kodra, etj.

“Ditët e Albanologjisë”, ekspozojnë thesaret kulturore

Një pjesë e thesareve të kulturës dhe trashëgimisë së Shqipërisë, duke nisur që nga antikiteti e që hedhin dritë mbi qytetërimin shqiptar, u ekspozuan në kuadër të “Ditëve të Albanologjisë”, në ambientet e Qendrës së Studimeve Albanologjike. Të pranishëm në këtë ekspozitë të quajtur “Thesaret e kulturës shqiptare”, ishin veç kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e vleresoi hulumtimin e gjurmeve historike, si pjese e identitetit shqiptar; edhe shumë personalitete të të tjerë të politikës. Përmes objekteve të shumta arkeologjike prej qeramike, terakote etj, si dhe zbukurimeve apo veshjeve që u përkisnin fiseve ilire dhe mandej krahinave të ndryshme të Shqipërisë nëpër shekuj, u paraqiten vetem nje pjese te fondit te arte te trashegimise kulturore qe ka vendi yne. ‘Ditët e albanologjisë’ janë organizuar për të kërkuar një sensibilizim për publikun për të treguar se në këtë vend zhvillohet jo vetëm kultura, por dhe puna shkencore që së fundmi ka rezultuar e suksesshme dhe rezultative.