Sa e rëndësishme është për njeriun që të jetë mirënjohës? Për jetën, për gjithçka që zotëron! Në një botë të përfshirë nga pandemia, në mesin e të tremburve dhe të të guximshmëve, të gjithë po provojnë se çfarë do të thotë mungesa e lirisë. Nikki Haley u drejtohet studentëve të sapodiplomuar të 2020, duke u thënë se, të rinjtë janë e ardhmja, dhe kjo e ardhme nuk do të jetohet realisht, në rast se nuk jemi mirënjohës. Për të, e rëndësishme është që të rinjtë të kuptojnë se, mirënjohje do të thotë, të shohësh gjithçka që ke dhe të kuptosh se nuk ka qenë e gjitha merita jote.*

Tani po provojmë se çdo të thotë të të kufizohet liria dhe të kërcënohet shëndeti

Nga Nikki Haley | Botuar në: The Wall Street Journal

Urime për studentët e diplomuar në vitin 2020!

Ju me siguri nuk e kishit përfytyruar kështu ditën tuaj të diplomimit. Familja jonë me një pjesëtar të sapodiplomuar, nuk e kishte menduar se do ta festonte këtë rast duke ndenjur në shtëpi, të veshur me pizhama. Por jeta gjen mënyra të çuditshme për të na sfiduar.

Në këto rrethana të pazakonta, edhe fjalimet e diplomimit duhet të jenë të ndryshme. Shumica e tyre zakonisht përqendrohen në krenarinë që ndjeni për çka keni arritur ose shpresat e ndritura për të ardhmen. Sot, unë do të doja të përqendrohesha në diçka tjetër: mirënjohjen. Nuk e kam fjalën për mirënjohjen në kuptimin e kartave të Hallmark, por në kuptimin aktiv dhe përpjekjen për ndryshim – të jemi mirënjohës për të mirat që kemi duke ndihmuar të tjerët.

Të qenit mirënjohës ka të bëjë me të ardhmen, jo të shkuarën.

Mirënjohje do të thotë të shohësh gjithçka që ke dhe të kuptosh se nuk ka qenë e gjitha merita jote. Mirënjohja e vërtetë dhe aktive kërkon që të kesh përgjegjësinë të ndash bekimet në jetën tënde me njerëzit e tjerë, të bësh një përpjekje të vullnetshme për të përmirësuar jetët e të tjerëve. Të jesh mirënjohës nuk do të thotë të mbyllësh sytë ndaj të ligave të kësaj bote, por të hapësh sytë ndaj të mirave. Dhe kjo botë ka shumë të mira.

Prindërit e mi erdhën në Bamberg të Karolinës së Jugut nga India, në fillimin e viteve 1970. Babai im mbante një çallmë dhe vazhdon ta mbajë edhe sot e kësaj dite. Nëna ime shpesh vishte një sari. Ata kanë përjetuar diskriminime të shumta dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për vështrime paragjykuese. Por gjithashtu kanë parë sesi ka ndryshuar me kohën Karolina e Jugut. Gjetën mundësi të reja, ndërtuan një shtëpi dhe mua dhe vëllait na kujtonin pa reshtur sa me fat ishim që po rriteshim në Amerikë.

Kur isha e vogël, nuk do ta kisha menduar kurrë se një ditë do të bëhesha guvernatore dhe ambasadore. Por mendoj se nëna dhe babai im mund ta kishin besuar. Përvoja e tyre në Amerikë nuk ishte aspak e përsosur, por e dinin se fëmijët e tyre do të kishin mundësi të jashtëzakonshme në këtë vend.

Atëherë, këto janë këshillat e mia për të qenë mirënjohës në mënyrë aktive. Së pari, kini kujdes nga mediat sociale. Ato e shkatërrojnë ndjenjën e mirënjohjes. Jetët që shfaqen në Twitter dhe Instagram janë të rregulluara me kujdes, por ato foto gazmore nuk janë bota reale. Jeta është më e çrregullt dhe jetët e rreme nëpër mediat sociale mund të ndjellin zili tek të tjerët – pra një mungesë mirënjohjeje. Kjo zili është një recetë për pakënaqësi, duke na bërë që të fiksohemi me ato që nuk kemi në vend që të jemi mirënjohës për ato që kemi.

Vendi ynë po përjeton një krizë në ndjenjën e mirënjohjes. Shumë amerikanë udhëhiqen nga arroganca dhe i marrin si të mirëqena të mirat që kanë. Sot, po provojmë se çdo të thotë të të kufizohet liria dhe të rrezikohet shëndeti. Kjo gjendje e vështirë na ka detyruar të kuptojmë se liria dhe shëndeti janë dhurata, jo garanci.

Kjo më sjell tek këshilla ime e dytë: Jini mirënjohës që jetoni në Amerikë në vitin 2020. Në OKB, unë jam marrë me vende të rrënuara nga dhuna, mungesa e ligjit dhe e tolerancës. Edhe tani, jemi me fat që sistemi ynë ligjor mbron të drejtat tona. Jemi me fat që jetojmë në një vend ku mund t’i zgjedhim vetë udhëheqësit tanë dhe t’i kritikojmë ata lirisht pa pasur frikë nga ndëshkimi.
Amerika nuk është e përsosur, por ne zotërojmë një bashkësi të shkëlqyer mjetesh – lirinë, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut – me anë të të cilave mund të krijojmë një bashkim edhe më të përsosur. Mos i merrni si të mirëqena këto dhurata. Jini mirënjohës për to, ruajini ato. Përdorini për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten, familjen, më të pafatët dhe brezat që do të vijnë.

Ju keni marrë shumë dhe keni kaq shumë për të dhënë. Ju uroj më të mirat për të ardhmen.

Zonja Haley ka shërbyer si guvernatore e Karolinës së Jugut nga viti 2011 deri në 2017 dhe ka qenë ambasadore e Amerikës në OKB nga viti 2017 deri në 2018.

*nga redaksia