Shumë prej tyre janë britanikë që po arratisen nga Brexit

 

Ah, Italia! “Njëkohësisht shkolla dhe sheshi i lojërave të botës”, siç e përshkroi një nga personazhet e E.M. Forster: qytete të mbushura me artin dhe arkitekturën më brilante perëndimore, peizazhe tërheqëse, ushqime të shijshme dhe një klimë me diell. Çfarë vendi ideal për të jetuar – përveç taksës, që imponohet me 23% duke filluar nga euro i parë i fituar dhe me nivele progresive më të larta deri në 43% për të ardhurat mbi 75,000 € (89,000 $), shkruan The Economist.

Por një numër i vogël njerëzish shumë të pasur – individë me vlerë të lartë të ardhurash neto, në zhargonin e zyrave private dhe agjentëve të pasurive të patundshme – po jetojnë ëndrrën italiane, duke paguar taksa që për nivelin e tyre janë modeste. Disa qindra prej tyre i përkasin një skeme ku paguajnë një shumë vjetore prej 100,000 €, plus 25,000 € për secilin anëtar të familjes. Tarifat fikse, të cilat zbatohen vetëm për të ardhurat jo-italiane, janë të vlefshme për 15 vjet.

Pas kësaj, nëse programi nuk rinovohet, përfituesit do të bëhen subjekt i regjimit normal të Italisë. Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, thuhet se është ndër ata që e kanë përdorur skemën. Në vitin 2018, një vit pasi skema hyri në fuqi, ai befasoi botën e futbollit duke u transferuar në një skuadër italiane, Juventus.

Programi i paraqitur nga administrata e qendrës së majtë të Matteo Renzi, është një nga disa ndërhyrjet e Europës Jugore për të joshur të huajt e pasur. Disa kanë qenë mjaft polemike. Më 20 tetor, Komisioni Europian hapi procedurat e shkeljes kundër Qipros dhe Maltës mbi skemat e tyre të shtetësisë së investitorëve, pasi dy parlamentarë qipriotë u filmuan duke rënë dakord për lëshimin e një pasaporte për një person fiktiv kinez, fajtor për pastrim parash.

Vjet, Greqia nisi një skemë e cila, ashtu si ajo e Italisë, përfshin një taksë të sheshtë prej 100,000 €, por kërkon që aplikantët të investojnë 500,000 € në asete greke dhe të kalojnë gjysmën e vitit në vend. Portugalia hodhi një rrjetë më të gjerë peshkimi, duke ofruar një përjashtim dhjetëvjeçar tatimor mbi të ardhurat me burim të huaj, që synojnë të joshin njerëzit e dalë në pension.

Por pas protestave të BE-së, qeveria i shtrëngoi rregullat këtë vit, duke vendosur që të ardhurat e pafituara të të sapoardhurve t’i nënshtrohen një takse prej 10%. Italia gjithashtu drejton programe për ata që fitojnë më pak: stimuj për të joshur emigrantët italianë të kualifikuar dhe një taksë prej 7% për gjashtë vjet, mbi pensionin dhe të ardhurat nga investimet e të huajve që vendosen në jugun e varfër të vendit, në qytete me më pak se 20,000 banorë.

“Skema e taksës së sheshtë nuk është vetëm një masë e izoluar, por pjesë e një tendence” – thotë Giulia Cipollini nga Withers Studio Legale, një firmë avokatie në Milano. Në vitin 2019, Italia miratoi 421 kërkesa për taksë të sheshtë, nga 264 një vit më parë. “Britania është juridiksioni nga ku janë larguar numri më i madh i njerëzve”, thotë ajo.

Disa janë britanikë që po arratisen nga Brexit. Të tjerë janë shtetas nga vende të tjera që ishin regjistruar në skemën “non-dom” të Britanisë. Teksa ishte duke shijuar një insalata caprese, në një restorant luksoz në zonën rurale të Toskanës, një qytetar francez citoi një nga dispozitat më pak të njohura të skemës italiane: përjashtimin nga dhuratat dhe taksat e trashëgimisë.

“Kjo, për shumicën prej nesh, është arsyeja e ndryshimit”, thotë ai. Fakti nëse ai dhe të tjerët do të jenë përfitim për Italinë në një periudhë afatgjatë, do të varet nëse pasuria e tyre do të reflektohet si fitim për pjesën tjetër të popullsisë. Por gjithsesi, këta të pasur po japin tashmë një efekt: rezervimi i avionëve privatë për fundjava të gjata në Sicili, ankorimi i jahteve të tyre në brigjet italiane, rikthimi i lavdisë së mëparshme të pallateve luksoze të Firences dhe organizimi i eventeve frymëzuese për sipërmarrësit e rinj. Siç thotë një fjalë e urtë italiane, amor fa molto; il denaro fa tutto – dashuria bën shumë; paraja bën gjithçka.

Monitor.al