Teqeja e Sari Salltikut është një nga më të njohurat në Krujë. E jo vetëm kaq. Emri i tij do të kujtohet për legjendën që krijoi pas vdekjes së tij. Cila është historia e të shenjtit Sari Salltiku?

Si përhapi ai bektashizmin e kulluar?
Mistere dhe shumë të vërteta

Një udhëtim midis misticizmit dhe besimit në një nga vendet më të veçanta në Shqipëri, në teqen e Sari Salltik që ndodhet në malin mbi Krujë. Vend besimi dhe pelegrinazhi në kërkim të gjetjes së qetësisë shpirtërore dhe të një fati më të mirë

Fundnëntori ka diçka që të magjeps në malin e Krujës. Kjo ndoshta edhe pse një borë e lehtë ka rënë në bredhat e kudondodhur dhe ajri është aq i freskët saqë kënaqesh vetëm duke marrë frymë. Rrugëtimi për në kala dhe muze, nuk është i vetmi variacion që të jep qyteti i vjetër, që e ka marrë emrin nga krojet.
Nëse do të marësh kthesën majtas, pra duke lënë pas vetes pazarin karakteristik të Krujës, do nisësh udhëtimin për në malin e Skënderbeut, ose siç njihet nga vendasit mali i Krujës, që është i lartë 1176 metra dhe në majë të tij është dhe vendi i shenjtë i Sari Salltikut. Pika referuese që lë pas vetes, që është dhe e fundit para se të ngjitesh drejt malit, është gjykata dhe rajoni i policisë i këtij qyteti. Ndërsa rruga përshkruhet në këmbë dhe me makinë.
Nëse do të ecesh me këmbë duhet të gjesh një ditë me diell të pastër për të shijuar të gjitha pamjet e rralla që të jep lartësia e këtij mali. Mali i Krujës është si ballkoni i Adriatikut dhe që aty mund të shohësh aeroportin “Nënë Tereza”, qytetin e Fushë Krujës, Lezhën, të gjithë bregdetin e Durrësit, si dhe një mori zonash të tjera rurale. Ndërsa nëse vendosni ta ngjisni malin me automjet, zgjedhja ju kushtëzohet nga rruga, sepse patjetër ju duhet një makinë e madhe e tipit foristradë. Rruga nuk është e shtruar, por e ngushtë, ndërsa gomat e makinës mbulohen nga balta. Po ashtu do t’ju duhet që të merrni ushqimin me vete, pasi në mal nuk mund të gjesh gjithmonë ndonjë lokal apo dyqan hapur, me përjashtim të rasteve të festave, ku mali kthehet si një

qëndër tregtare dhe aty mund të gjesh çfarë të duash. Ndërsa lumi i Drojës është ai që të shoqëron përgjatë një humnere të ashpër që vazhdon deri në pikën e mbërritjes dhe mali përngjan si një komandant me fustanellë.

Në teqenë e “Haxhi Shajnit”
Mali i Krujës përfshin dy komponentë, që ia vlejnë për t’i vizituar, duke nisur me selinë e Sari Salltikut në majë të malit, po ashtu me teqen e “Haxhi Shajnit”, një objekt i shenjtë i fesë bektashiane, ose siç quhet ndryshe dhe “gjurma e të shenjtit”, që ndodhet para se të hysh në Krujë. Në këtë teqe është bërë tanimë traditë që të sapomartuarit e zonës përreth e vizitojnë atë, në ditën e tyre të dasmës, marin bekimin, bëjnë fotografi dhe nisen ma karvanin e makinave të tyre, me bori takuar. Në “gjurmën e të shenjtit” shkojnë edhe besimtarë të fesë bektashiane, që në Krujë është e përhapur shumë, po ashtu edhe njerëz të tjerë që nuk i përkasin këtij besimi. Zonja që takon në portën hyrëse të pret si një krutane e vërtetë, pasi të gostit me karamele, të fton në dhomën e ndenjes së teqesë së “Haxhi Shenjtit”, të bën një kafe turke dhe të jep muhabet. “Kështu bëj me të gjithë, thotë ajo dhe nga më të ndryshmet janë bisedat me vizitorët, por më shpesh ata më pyesin për kuptimin e gjurmës që ndodhet në ambientet e teqesë”. E ndërkohë takojmë dhe babain e saj, i cili na jep disa informacione më të detajuara rret kësaj teqeje.
Mahmut Subashi, mirëmbajtës i kësaj “Haxhi Shenjtit” tregon: “Teqeja hapet në orën 06:30 dhe mbyllet kur të falet dielli. Kështu bëjmë çdo ditë. Ky objekt është ndërtuar këtu e 500 vjet më parë. Në brendësi të teqesë, ndodhet dhe “gjurma e të shenjtit”, pra gjurma e parë e Sari Salltikut, në ikje e sipër. Është një gjurmë që krutanët e ruajnë me fanatizëm. Sari Salltiku ky shenjtor i madh, gjurmën e dytë të tij e ka lënë në Korfuz, ku edhe atje ka një teqe të tillë dhe në atë vend është dhe varri i shenjtë. Ndërsa çiftet që vijnë dhe marrin bekimin e tyre në sezonin veror të dasmave, kanë arritur numrin 25 brenda një dite, një rekord ky i vendosur këtë vit”

Në malin e Krujës
Rruga që përshkruan nuk është e mirë dhe ka kthesa të forta, por të gjitha këto harrohen, ku para syve të del një mrekulli e vërtetë, një portret i gdhendur në bronx, portret ky i shenjtërisë së tij Sari Salltikut. Ai përfaqëson një objekt kulti por pa dyshim edhe me vlera turistike. Poshtë shtatores është një shpellë me thellësi 20 metra dhe lartësi 3 deri 4 metra. Në mes të shpellës gjendet një burim me ujë të ftohtë, i shoqëruar me disa shkallë. Gjatë stinës së verës vizitorët shuajnë etjen në burimin e njohur të shpellës, i cili është shumë i ftohtë. Në mes të shpellës është një teqe e vogël ku njerëzit kryejnë ritet e tyre, ndezjen e qirinjve, apo dhe marjen e ndonjë guri nga shpella, e cila shërben si hajmali fatsjellëse.

Në anën e majtë ndodhen tre varre mistike dervishlerësh, ku njerëzit përulen dhe bëjnë lutjet e tyre.Ndërsa në ballë të malit ndodhet një konvikt, ku flejnë ata që i zë nata në mal, po ashtu kjo ndërtesë shërben edhe për pritjet që bëjnë krerët e fesë bektashiane, kur mali ka ditën e festës së tij. Sari Salltiku, që në kohët e mesjetës është përdorur si një objekt kulti nga besimtarët bektashianë, por në vitin 1967 ajo u prish nga regjimi komunist. Më vonë në vitin 1991 ajo u rindërtua dhe iu rikthye identiteti nga vetë popullsia krutane. Edhe sot mund të gjesh dëshmi të lidhjes së qytetit të Krujës me figurën e Sari Salltikut, mjafton të dëgjosh se si kjo popullsi betohet për Sari Salltikun, që vjen në formën “për Sallsatajkun”.
Ky vend vizitohet jo vetëm nga banorët e Krujës por edhe nga banorë të zonave përreth. Në malin e Krujës ka disa lëndina ku njerëzit i shfrytëzojnë në raste festash dhe jo vetëm, për të organizuar piknik, apo për të zhvilluar lojëra futbolli apo volejbolli. Por një gjë tjetër ta vret syrin në këto anë të mrekullueshme, prerja e pemëve pa kriter. Në anën e sipërme të objektit fetar ndodhet një rrafsh toke i gjerë dhe i rrjepur, pasi aty mund të gjesh vetëm trungje pemësh të prera. Një fakt ky i përhershëm dhe permanent në këtë zonë dhe që e prish të gjithë panoramën piktoreske që natyra ia fali malit të Krujës.

Ardhja e Sari Salltikut në Krujë
Sari Salltiku ka ardhur në Krujë në mesin e viteve 1300. Ai përhapi bektashizmin e kulluar duke parandjerë ndofta vorbullën e mërive etnike në Ballkanin e trazuar.
Ky shenjtor kishte miqësi të ngushtë me vetë sulltan Bajazitin dhe këtë e paranon dhe studiuesi i famshëm francez A. Degrand, në veprën e tij “Sovenirs de la Haur – Albanie”. Po ashtu janë dhe autorë të tjerë arabë dhe turq që janë frymëzuar nga bëmat e shenjtorit. Por e para pyetje që të vjen në mendje, ndërsa shijon bukurinë e egër të malit të Krujës, është pikërisht:
Çfarë e solli deri këtu, këtë shenjtor të madh?
Ajo që ka mundur të mbizotërojë në vëmendjen e studiuesve të mistikës myslimane është pikërisht fakti se nxënësi i Ahmed Jeseviut të famshëm, donte të çonte deri në fund dëshirën e udhëheqësit të tij shpirtëror, dëshirë që lidhej me idenë që eshtrat e tij të ishin prezente në shtatë mbretëri.
Legjenda thotë se në perëndimin e viteve të mistikës së tij, kur pa se qielli përreth po mbushej me re të shumta mërish dhe inatesh të verbër, la porosi që trupi i tij, pas kalimit nga kjo jetë të ndahej në shtatë mbretëri: të Moskës, Çekisë, Sllovakisë, Edrenesë, Bogdanit, Dalmacisë etj. E vërteta është se sot në botë, janë shtatë mezare të tij, ndërsa pelegrinët me miliona.
Është një tejkalim kufijsh tokësor dhe përafrim me kufijtë hyjnor. Kruja por edhe Tirana, Durrësi, Laçi e deri Bulqiza janë të mbushura me histori besimtarësh bektashianë që rrëfejnë mrekullitë e atij vendi ku prehet Sari Salltiku, histori këto që i kemi dëgjuar shpeshherë mbi mistikën e tyre.

Pa atdhe nuk ka fe
Fjala, jeta dhe vepra e tij, frymëzuan gjenerata të tëra shqiptarësh, të çdo lloj besimi, të jetonin dhe besonin sipas kësaj moto profetike të fesë bektashiane. Duhet përmendur fakti se kryeqëndrën e saj botërore, kjo fe e ka në Tiranë, ndërsa Kryegjyshi Botëror i bektashinjve është Haxhi Dede Reshat Bardhi.
Ky fakt pohon edhe një herë që Shqipëria është një vend strategjik përsa i përket feve dhe bashkëjetesës mes tyre. Ndërkohë që nisma për evakuimin e jetës dhe veprave të Sari Salltikut kanë marrë udhën e tyre dhe i kanë paraprirë ngjitjes së islamit të kulluar deri në këto maja të larta të Krujës.