Mungesa e turistëve të huaj, sidomos në gusht, i ka çuar në pikiatë importet e mallrave të akcizës, të cilët e thelluan tendencën rënëse të nisur që në fund të tremujorit të parë, për shkak të pandemisë.

Ndërkohë që ekonomia ka tentuar t’i kthehet normalitetit, sektori i turizmit dhe në përgjithësi konsumi këtë verë është goditur nga mungesa e vizitorëve të huaj në vend.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, importi i karburanteve gjatë 8-mujorit shënoi rënie me -1,2%, por tkurrja ishte më e dukshme në gusht, kur importet ishin 8.7% më të ulëta se në gushtin e vitit 2019. Burimet nga tregu e lidhin këtë rënie me një kërkesë më të ulët, si rrjedhojë e kufizimeve të udhëtimeve nga jashtë.

Për të njëjtat arsye, shihet të këtë rënë edhe importi i cigareve, por ka qenë edhe më e fortë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë 8-mujorit, importet e cigareve shënuan rënie me 14%, por në gusht, ritmet e rënies u thelluan më tej, me 26% më pak se gushtin e vitit 2019.

Ecuri të njëjtë shënuan edhe importet e kafesë, të cilat shënuan rënie vjetore me 5,7% në 8-mujor, por në gusht tkurrja ishte me 28%.

Burimet nga tregu pohuan se, rënia e importeve të kafesë lidhet edhe me mbifurnizimet gjatë pandemisë.

Gjithashtu në muajin gusht u vu re një ulje e importeve të birrës me 8.7%, teksa rënia në 8-mujor ishte me 4.4%. Burimet nga tregu thanë se, konsumi i birrës u lidh direkt me rënien e konsumit për shkak të numrit më të ulët të vizitorëve në vend dhe mbylljen e lokaleve të muzikës në orët e vona, ku zakonisht konsumohej birra.

Rënia e importeve të mallrave të akcizës ka ndikuar negativisht të ardhurat në buxhetin e shtetit. Gjatë 8-mujorit, doganat grumbulluan 11.1% më pak se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, ndërsa në muajin gusht hendeku ishte 15 milionë euro më pak se në gushtin e vitit 2019, ose 12.3% rënie.

Gjatë periudhës janar-korrik, numri i shtetasve të huaj, që kanë vizituar Shqipërinë, ka pësuar rënie me 64.7%.

 

Monitor.al