Gati gjysma e bizneseve të vogla dhe te mesme në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria e kanë ndërprerë plotësisht punën qoftë edhe përkohësisht për shkak të pandemisë gjatë vitit 2020, ndërsa 82 për qind e tyre kanë raportuar rënie të konsiderueshme te të ardhurave në krahasim me para krizës pandemike.

Këto rezultate dolën nga një anketë që Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomike (OECD) ka bërë së fundmi me segmentin e vogël dhe te mesëm të bizneseve në Ballkan.

Ndërmarrjet e mesme dhe të Vogla (NMV) në Ballkanin Perëndimor përbëjnë 99% të të gjitha ndërmarrjeve dhe gjenerojnë rreth 65% të vlerës së shtuar të sektorit të biznesit në ekonomi. Ato ofrojnë 73% të punësimit ne totalin e bizneseve, shprehet organizata, e cila në të njëjtën kohë i bën thirrje qeverive në Ballkan që të rrisin mbështetjen ndaj këtij segmenti të biznesit.

Sfida më e madhe me të cilën përballen ndërmarrjet ishte rënia drastike e kërkesës për produktet ose shërbimet e tyre.

Humbja e papritur e kërkesës dhe të ardhurave të shkaktuara nga masat e kufizimeve, duke se e ka goditur qarkullimin e parasë dhe konsumin.

Ndërmarrjet e vogla dhe mesme kanë burime të kufizuara financiare për t’i bërë ballë një krize afatgjatë, veçanërisht krahasuar me ndërmarrjet më të mëdha, mbijetesa e tyre kërcënohet dhe në këtë mënyrë ato bëhen shkak për efekte negative zinxhir në të gjithë ekonominë.

NVM-të në Shqipëri dhe Ballkan janë të varura nga lëndët e para të importuara për të prodhuar produkte përfundimtare, ndaj gjatë periudhës së kufizimeve kanë hasur në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit.

Gati 60% e ndërmarrjeve të anketuara në Sondazhin e Biznesit të Ballkanit Perëndimor ishin në gjendje të mbanin punësimin në distancë. Por duke qenë se shume prej tyre janë të varura nga proceset fizike ato nuk e mbajtën dot prodhimin nën kontroll për shkak të mungesës së punonjësve.

OECD këshillon se vendet e Ballkanit përveç masave direkte të mbështetjes me kredi dhe grante, duhet të aplikojnë reforma të tjera strukturore për të forcuar qëndrueshmërinë e segmentit të vogël dhe të mesëm të biznesit.

Qeveritë duhet të përmirësojnë përpjekjet për transformimin dixhital të NVM-ve. Përparimi teknologjik dhe dixhitalizimi do të ndihmonin NVM-të, ndër të tjera, të menaxhojnë punën në distancë, opsionet e pagesave dixhitale.

Gjithashtu vendet e Ballkanit duhet të shfrytëzojnë qasjen globale për të investuar në ekonominë e gjelbër, pasi kjo do të ishte një mundësi për të siguruar fonde që NMV-të të përshtateshin me aktivitetet që nuk emetojnë karbon.

Inovacioni në rritje në Ballkan mund të gjenerojë hapësira të reja për biznes për NMV-të sugjeron OECD-ja, e cila rekomandon zhvillimin e produkteve inovative.

Një hapësire tjetër për rritje është inkurajimi dhe zgjerimi i tregtisë elektrike në këtë segment të biznesit./ B.Hoxha

Monitor.al