Seria e dytë e makinës lider gjermane rritet në përmasa, por peshon më pak, duke fituar kështu titullin Grand Sport

Zakonisht, për arsye të dukshme, konstruktorët e makinave mundohen të mbajnë distancën më të madhe të mundshme ndërmjet gazetarëve të specializuar dhe modeleve të reja të makinave. Por ndonjëherë, janë vetë ata që ftojnë shtypin të testojë makinat e reja përpara se ato të zbulohen, për të marrë ndonjë reagim të menjëhershëm. Kjo është situata për modelin e ri Opel Insignia: ai do të debutojë në muajin mars në Sallonin e Gjenevës. Gjatë projektimit të gjeneratës së dytë të liderit gjerman, teknikët e kompanisë me bazë në Rüsselsheim kanë pasur parasysh kritikat ndaj modelit paraardhës, i cili ishte shumë i rëndë dhe ku hapësira mungonte, të paktën në raport me përmasat e jashtme. Kjo është arsyeja pse makina peshon më pak (deri në 175 kg), edhe pse përmasat janë rritur: është 5,5 centimetra më e gjatë dhe me hap 283 cm (+9.2 cm). Në qoftë se këtyre iu shtohet edhe gjerësia dhe hapësira më e madhe mes rrotave, ndërkohë që lartësia është ulur me 2.9 cm, kuptohet qartë se përmasat e bëjnë më elegante, duke i bindur drejtuesit gjermanë t’i shtojnë emrit Insignia, prapashtesën Grand Sport. Në prezantimin e parë publikut do t’i shfaqen vetëm dy versione me benzinë, njëri me motor 1.500 turbo 165 kf (i familjes SGE, Small Gasoline Engines, që përfshin edhe motorët 1.000 me tre cilindra dhe ata 1.400 me katër cilindra) dhe tjetri dylitërsh, 250 kf, i kombinuar me kambio automatike të re me tetë marshe, me traksion integral. Natyrisht, do të ofrohen edhe versionet me motorë diesel nga 110 deri në 170 kf. Nga një vështrim i shpejtë i modelit Insignia me motor turbo benzinë 1.6 litra (i cili rezulton pak i dobët në shpejtësi të ulëta dhe i zhurmshëm në shpejtësi të larta) dhe kambio manuale, ju mund të vlerësoni progresin e arritur te modeli i ri, më i zhdërvjellët dhe sportiv (sedilja e drejtuesit është 3 cm më e ulët). Me pak fjalë, pesha ndihet më pak dhe drejtimi është më i këndshëm, falë edhe mirëfunksionimit të kambios manuale me gjashtë marshe dhe motorit më pak të zhurmshëm. Veç kësaj, motori dylitërsh, i pajisur me boshte ekuilibrimi, përshtatet mjaft mirë me kambion e re. Suspensionet me amortizatorë me zbutje të ndryshueshme si dhe nga traksioni integral me “torque vectoring” aktiv në aksin prapa, tek i cili mungon diferenciali ndihmojnë në manovrimin e mjetit. Spikasin fenerët Intellilux Led Matrix, për të cilët informacioni është dhënë në përmbledhjen djathtas.

SHUMË DRITË, POR JO VERBUESE

Fenerët me drita LED “inteligjente” u provuan për herë të parë nga një grup gazetarësh në mars të vitit 2012 pikërisht me një makinë Insignia. Kompania Opel, megjithatë, nuk mundi të arrinte e para në treg (këtë gjë e bëri Audi me modelin A8), por i ka përdorur te modeli Astra. Avantazhi i këtyre fenerëve qëndron në faktin se, në sajë të telekamerës së përparme, rrezja e dritës modulohet duke ndezur dhe duke fikur dritat LED në mënyrë individuale (janë 32 të tilla), për të krijuar zona të errëta vetëm në raport me makinën që po parakalohet apo atë që vjen përballë, duke mos i verbuar drejtuesit e mjetit dhe duke ruajtur një ndriçim maksimal.

Insignia Grand Sport
MOTORI – L4 turbobenzinë 1.490 cm3
FUQIA MAKSIMALE – 121 kW (165 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 250 Nm në 2.000 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat e para
KAMBIO – manuale me 6 marshe
0-100 km/h – i papërcaktuar
KONSUMI MESATAR – i papërcaktuar
PËRMASAT gjat. 490 – gjer. 186 – lart. 147 cm
PESHA – e papërcaktuar
ÇMIMI – i papërcaktuar