Kur flasim për zhvillimin e një vendi radhisim pikat e tij të forta, pozicionin gjeografik, pasuritë natyrore mbi dhe nën tokësore që mund t’i shfrytëzojmë.

Thënë shkurt: Shfrytëzimi me efikasitet i resurseve që ky vend ofron.
Parë në këtë aspekt: Vendi ynë është një vend i bekuar nga Zoti, ka katër stinë qe dallojnë nga njëra tjetra,ka toka pjellore, diell në pjesën më të madhe të vitit, ujë të bollshëm duke përfshirë edhe ato termale, bregdet të lakmueshëm me ujëra të kristalta, pasuri nëntokësore si: metale, naftë, gaz natyror, metale duke filluar nga hekuri, kromi ,nikeli e deri tek ato të rrallat si janë: bakri, kobalti, floriri etj.

Ka një natyrë të pasur me flor e faun gjithëlloj qe rrallë se i gjen në vend tjetër.
Ka histori të rrallë edhe pse të pa shkruar. Vendbanime e infrastrukturë të herëshme dhe arkeologji të lakmueshme.Ka një gjuhë të pasur e cila edhe pse me studime të pjesëshme është nder më të herëshmet dhe më të rrallat ndër ato indoevropiane.

Fatkeqësisht ky vend është zgjuar vonë ose me saktë pushtuesit ia kishin zënë frymën dhe nuk e lejonin tv shikonte dritën e diellit. Ky ka qënë fati i vendit tonë, por ky fat ndoshta është merituar se aq është punuar.
Falë veprimtarisë së njerëzve patriot e me integritet në dije dhe ideal,u formua edhe pse i sakatuar e i përgjysmuar.
Në regjimet e mëparshëm nga qeveritë respektive, u hodhën hapa në drejtim të zhvillimit ekonomik kulturor e social te vendit. Disa hapa drejt zhvillimit u hodhën në periudhën midis luftës së parë e të dytë boterore.

Po kështu edhe periudha mbas luftës së parë botërore, ku vendi ynë u rreshtua e instaloi regjimin komunist i cili per hir te se vertetes, duhet pranuar se solli zhvillime ekonomike. Regjimi komunist e kuptoi se dega kryesore e zhvillimit të Shqipërisë ishte zhvillimi bujqësor.

Në këtë sektor shteti komunist për rreth 45 vite investoi shumë dhe u kapën tregues shumë inkurajues dhe me efektivitet siç ishte: sistemimi dhe kullimi i tokave, boniteti i tyre, ngritja e qendrave shkencore bujqësore (Instituteve bujqësore), kultivimi dhe zgjedhja e farërave, planifikimi dhe qarkullimi i bimëve, shkollimi në masë të gjerë, ngritja e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, ne 75% te sipërfaqes së punueshme, shtimi dhe mbrojtja e pyjeve etj.

Të dhënat tregojnë se rendimentet e marra në bimët e arave në disa zona fushore i kalonin dhe rendimentet që merreshin në fermat Europiane.
Me përmbysjen e sistemit komunist në vitet ´90 kjo pasuri kombëtare u shkatërrua pa shkak e askush nuk mbajti pergjegjësi për këtë krim në shkallë kombëtare.
Qeveritë e këtyre 30 viteve në ekonominë e tregut e kuptuan ose ua thanë se vendi ynë ka tre mundësi kryesore zhvillimi.1- Zhvillimi Bujqësor ; 2- Zhvillimi i Turizmit; 3- Shfrytëzimi me efektivitet e racionalitet i pasurive natyrore nën dhe mbi tokësore. Pas 30 vjetësh na rezulton se as njëra dhe as tjetra nuk është zhvilluar, por vetëm janë shkatërruar, shpërdoruar.
Turizmi u shkatërrua nga gllabërimi i bregdetit dhe ndërtimet pa planifikim e studim, Pasuritë u dhane pa kriter, pa studim e plane biznesi të efektshme.
Kompanitë që i kanë përfituar ose ua kanë dhënë dhuratë dalin me humbje sic jane ;minierat e nafta.

Por le të ngelemi tek Bujqësia si dega bazë e zhvillimit që punëson rreth (55-60)% të popullsisë.
Prej vitesh është diskutuar e ridiskutuar! Në bujqësi janë levruar shume fonde, por efektiviteti deri më sot eshte minimal. Bujqësia është një prej pikave më të forta të vendit tonë e cila do zhvillonte fshatrat e varfër, do të frenonte braktisjen e fshatit dhe gjallëronte e fuqizonte ekonominë në tërësi.
Një prej premtimeve elektorale të çdo partie që ka marrë qeverisjen ka qenë pikërisht: Zhvillimi i Bujqësisë. U krijuan fonde për t’iu dhënë një dorë fermerëve të investonin dhe të zhvillonin tokat e tyre. Disa përfituan nga ky fond e disa investuan nga kursimet e tyre. Siç thamë dhe më lartë fonde janë dhënë, por produkti është minimal. Madje eksportohen prodhime bujqësore nga shtetet fqinje.
Tregu ynë është i tejmbushur me perime të ardhura kryesisht nga Maqedonia, Greqia ,Italia etj

Pyesim sot!
Mbillen të gjitha tokat? Vaditen të gjitha tokat? Ka një infrastrukturë për evadimin , magazinimin dhe ruajtjen e prodhimit të fermerëve? Kanë fermerët kontrata e tregje në Europë? Ka shteti agjentë tregëtare në sigurimin e tregjeve ?
JO!
Ata që i mbijetuan kësaj humbje vazhduan me shpresë. Rezultati ?
Prodhimet e vendit tonë i shesin fshatarët në rrugë me një çmim qesharak dhe pjesën tjetër e hedhin sepse nuk ka treg.
Mos u mërzisni! Bujqësia do të jetë përsëri temë në zgjedhjet e ardhshme! Të paktën kështu mendova unë derisa dëgjova projektin e rëndësishëm: Canabis Medicinal!
Sigurisht, kjo do të sjelli një hop në ekonomi. Më shumë njerëz të angazhuar, pra të punësuar. Do rritet eksporti i cili do të sjell më shumë të ardhura, etj…
Por unë kam disa pyetje:

A e dini ju që fshatrat tona edhe nëse ka prodhim me treg të sigurt nuk kanë logjistikë? Nuk ka shkollë për fëmijët e atyre që do punojnë, nuk ka rrugë, shpesh nuk ka dhe ujë dhe drita.

A e dini ju që ne si shtet kemi pak si ‘biografi të keqe’ kur përmendet droga?

A e dini ju që ky është një projekt që do kërkon një mbikqyrje të rreptë të shtetit? (Me atë nivel korrupsioni unë dyshoj se mund do ta ketë këtë kontroll).

A e dini ju që ky ‘projekt’ ka shumë mundësi të sjelli të ardhura vetëm për ata që sjell gjithmonë?

E nëse vetë shteti ka një vit që po përpiqet të finalizojë këtë projekt zhvillimi, mund të harxhonte të paktën një muaj për të hapur treg për prodhimet bio të Shqipërisë.

Se ju e dini, që tokat tona prodhojnë drithera perime fruta agrume produkete blektorale e Bletarie etj me një shije që shumë pak vende i kanë.

A nuk do ishim sot aq të përfolur sa Greqia e cila punëson dhe mban me mijëra emigrantë shqiptarë dhe të huaj me anë të bujqësisë?

I dashur vendi im! Sa pak gjëra duhen bërë që të lulëzosh dhe të shkosh nga e mbara! Pak mendje të ditur prej shkencëtari e jo militanti ! Pak idealizëm ! Kaq!

* Nga Silvana BEGAJ, pedagoge në Suedi