Kriza ekonomike e vitit të kaluar i bëri individët dhe bizneset më kursimtarë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 solli një zgjerim të mëtejshëm të pozicionit financiar të individëve si kreditorë neto dhe njëherazi pozicioni debitor i bizneseve vijoi të ngushtohej.

Ky pozicion matet nga Banka e Shqipërisë si diferenca mes depozitave dhe kredive për secilin segment të klientëve të sistemit. Për të dy grupet, kontributin kryesor e dha rritja e ndjeshme e depozitave bankare, në përmasa më të mëdha krahasuar me rritjen e kredisë.

Individët regjistruan një rritje të njëkohshme të bazës së depozitave dhe të tepricës së kredisë, me kontribut kryesor nga monedha vendase. Statistikat tregojnë se totali i depozitave gjatë vitit 2020 u rrit me rreth 58 miliardë lekë. Depozitat në valutë dhe ato në lek vijojnë të ruajnë pesha të barabarta në stokun e depozitave të mbajtura nga individët rezidentë, ndërsa depozitat e jorezidentëve bëjnë që në total struktura e depozitave të anojë lehtësisht nga valuta, kryesisht nga euro. Edhe portofoli i kredisë së individëve shënoi rritje pozitive vitin e kaluar, me 12 miliardë lekë më shumë që nga fundi i vitit 2019. Por, kjo rritje ishte në nivele dukshëm më të ulëta krahasuar me depozitat.

Si rezultat, në fund të dhjetorit të vitit 2020, pozicioni kreditor i sektorit të individëve u ngjit në nivelin e rreth 862 miliardë lekëve, nga 816 miliardë lekë që kishte qenë një vit më parë. Bizneset vazhdojnë të kenë një pozicion neto debitor, që nënkupton se kredia është më e madhe se depozitat. Por, gjatë vitit 2020, depozitat e biznesit u zgjeruan në total me rreth 35 miliardë lekë ose 18.5%. Kjo ecuri ishte e kundërt me vitin 2019, kur depozitat e biznesit pësuan rënie.

Trajektorja e depozitave të biznesit dëshmon që bizneset shqiptare nuk kanë vuajtur për likuiditet gjatë kësaj periudhe. Ngadalësimi i ekonomisë e uli volumin e aktivitetit të biznesit, që ka vendosur në punë më pak para gjatë kësaj periudhe. Kjo ka bërë që më shumë fonde të ngelen të disponueshme në llogaritë bankare. Gjithashtu, tendenca e përgjithshme për të kursyer pas krizës, fenomen i vërejtur në shumicën e ekonomive europiane, duket se veç konsumatorëve ka prekur edhe bizneset.

Pasiguria për të ardhmen, e lidhur me ciklin e pandemisë së Covid-19, ka krijuar një tendencë për ulje të shpenzimeve dhe ruajtje të burimeve financiare deri në daljen nga kriza. Pavarësisht një rritje të portofolit të kredisë me rreth 10 miliardë lekë, pozicioni debitor i bizneseve u ngushtua në rreth 184 miliardë lekë, nga 199 miliardë lekë që kishte qenë një vit më parë.

 

/MONITOR.AL