Pandi Mele është një nga piktorët e rrallë dhe të njohur shqiptar, fama e të cilit tashmë është bërë ndërkombëtare. Arti i tij duket se ka spikatur gjithandej. Presidenti amerikan, Barack Obama, së fundmi i ka dërguar një letër falënderimi për pikturat e tij vërtet të bukura. Një prej tyre është edhe vetë portreti i presidentit në Shtëpinë e Bardhë. Në pikturat e tij të pasura, shumë qartë, lexohet filozofia e thjeshtë e një jete mbi të gjitha shqiptare

Nga Thimi Çollaku

Pas rreth gjysmë shekulli pune krijuese, ndodhemi para një galerie të vërtetë të krijimeve të piktorit Pandi Mele.

Tematika e krijimtarisë e piktorit të rrallë Pandi Mele është mjaft e larmishme dhe njëkohësisht origjinale. Temat dhe motivet për veprat e tij, ai i ka marrë nga e kaluara jonë e lashtë, nga jeta e përditshme e Shqipërise; burim i tyre mbetet problemi mbarëkombëtar, bota e madhe që na rrethon. Tradita shqiptare përshkon si fill i kuq gjithë kijimtarinë e piktorit, ku në çdo punim vihet re diçka shqiptarte. Në galerinë e pasur të veprave të Pandi Meles spikasin kostumet kombëtare me tërë larminë e tyre. Pasqyrimi i pasurisë folklorike ndihet në shumë vepra apo detaje veprash si (“Dardharja”, gravure bardhë e zi, “Nusja kosovare”), i arkitekturës karakteristike shqiptare (“Kruja”, gravure bardhë e zi), aq të larmishme dhe origjinale. Legjenda, në përgjithësi, dhe legjenda e Rozafës, në veçanti, zë një vend të veçantë në krijimtarinë e tij. Ai ka përpunuar disa variante me motivet e Rozafës për ta lënë atë të gjallë, sikurse ka ardhur deri tek ne, edhe për brezat e ardhshëm, si një  pasuri të madhe shpirtërore identifikuese mbarëkombetare.

Piktori ka ditur të përjetësojë me penelin e tij figurat më përfaqësuese të kombit tonë që reflektojnë atë çka është më e mirë dhe më e ndritur me një shpirt kombëtar. Të tillë janë cikli grafik për filmin dokumentar që i kushtohet Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, kompozimi “Aleksandër Moisiu me Stanislavskin në Moskë” dhe “Nënë Tereza”. Këtyre veprave tani së fundi i shtohet edhe portreti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obamës.

Filozofia shqiptare

Të gjitha pikturat e Pandi Meles duket sikur flasin të njëjtën gjuhë. Vihet re filozofia e jetës shqiptare, një detaj që e karakterizon atë artistikisht. Kështu në krijimtarinë e tij ka lëvruar pikturën e ikonografisë, duke ripërtërirë traditën e lashtë e të shkëlqyer të mjeshtrave tanë të së kaluarës si Onufri e David Selenica. Ndër këto punime do të veçonim ikonat e mirëfillta “Krishti”, “Shën Gjergji”, “Shën Pjetri” etj. Interes të veçantë paraqet dhe cikli “Imazhe ikonografike”, që përfshijnë  pamje të tilla si grafikat me ngjyra “Dyert e bukura”, “Puthja”, “Rekuijem”, “Shpërfytyrimi”, “Ringjallja”, si dhe të tjera.

Ky cikël punimesh, në shikim të parë, duket sikur e ka bazën në artin bizantin, por ashtu sikurse dhe artistët tanë mesjetarë ditën t’i japin atij frymën dhe ngjyrat kombëtare, ta bëjnë  të dallueshëm nga artet e këtij lloji, që u zhvilluan në vendet e tjera, ashtu dhe Pandi Mele me talentin e tij, i ruan ciklit të vet vulën shqiptare, i jep shumë karakteristika moderne, bashkëkohore, madje dhe të së ardhmes dhe kjo, jo vetëm nga pikëpamja artistike, estetike por dhe të ritmikës dhe të zhvillimit dialektik të filozofisë së jetës shqiptare.

Përmes realitetesh

Tipike e simbolikës së piktorit është servirja e shumë realiteteve të realizuara mes kohëve të ndryshme, të shkuarës dhe të tashmes. Gravurat e piktorit me motive nga veprat e Migjenit, me një ekspresivitet të theksuar, japin dinamizmin tronditës të përfytyrimeve të poetit. Simbolika migjeniane është interpretuar përmes zmadhimesh sugjestive.Bien në sy linjat e mprehta, fytyrat dhe gjymtyrët që zgjaten, apo duar  që ‘zmadhohen’ në lëvizje të dëshpëruara. Vepra që lëvrojnë imazhe të tilla mbeten “Zoti të dhashtë”,“Legjenda e misrit”, “Bukuria që vret”, e shumë të tjera.

Pa dyshim, që edhe e sotmja e ka vendin e vet ne krijimtarinë e artistit. Me një gjuhë  të pastër artistike në serinë e gravurave në katër fletë, “Shokët”, ai zbulon njëherësh mendimin dhe jep jetën e përditshme të njerzëve të punës, atmosferën e veprimtarisë krijuese, si bazë e qenies së shoqërisë dhe individit.

Në tematikën e piktorit, një vend të rëndësishëm zë eksodi dhe mërgimi, tema që i ka kushtuar një cikël grafikësh. Tablo që dëshmojnë për një realitet sa të dhimbshëm aq edhe tronditës, por thelbësisht shqiptar.

Mesazhe kudo
Piktori i ka lëvruar gati të gjitha gjinitë e arteve të bukura në pikturë. Por mbi të gjitha ai mbetet mjeshtër i përsosur i grafikës shqiptare bashkëkohore.

Në punimet e Pandi Meles spikasin peisazhet e gjalla me pamje nga vendi ynë; një skanim origjinal që i bëhet  gjeografisë shqiptare pa harruar edhe ato më të vrazhdat.  Portreti zë një tjetër vend po aq të rëndësishëm.

Çdo vepër mbetet një mesazh njerëzor, që flet me gjuhën e lartë artistike, që komunikon me shikuesit, që synon t’i transmetojë atij  dashurinë për vendin, për njerëzit, për punën, për kulturën, të tashmen dhe të ardhmen, për të gjitha ato ndjenja të larta njerëzore që ka ushqyer artisti dhe që e kanë frymëzuar që nga fëmijëria. Me plot bindje mund të themi që krijimtaria e tij e pasur mbetet një shkolllë e mirëfilltë për të gjithë nga pak.

Presidenti amerikan Barcak Obama do të vendoste portretin e tij në Shtëpinë e Bardhë, i cili ishte realizuar nga mjeshtri shqiptar Pandi Mele. As vet piktori nuk do ta imagjinonte, për më tepër të merrte edhe një letër falënderimi.

Si pjesë e thesarit tonë mbarëkombëtar, shumë nga veprat e Pandi Meles, në pikturë dhe grafikë, kanë zënë vend nderi në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, në galeritë e arteve dhe muzeumet e disa qyteteve të Shqipërisë, pa përmëndur galeritë private të arteve, që tashmë janë përhapur mjaft. Me punimet e tij Pandi Mele është prezantuar denjësisht në shumë nga ekspozitat kombëtare të artit në Shqipëri.