Si prolog i këtyre radhëve, le të shërbejë kujtesa se zgjedhja e Metës si President i Republikës së Shqipërisë u bë nga socialistët e Rilindjes. Po, po, bile me aklamacion nga po këta që sot po mblidhen që ta shkarkojnë.

Sigurisht, kjo nuk qe një rastësi. Ndaj do të duhet t’i kthehemi pak historisë jo të largët, për ta shpjeguar këtë zgjedhje që tingëllon e çuditshme sot, por nuk është e tillë.

Synimin për t’u bërë president, Ilir Meta ia pati shprehur, pesë vjet më parë, edhe Sali Berishës, atëherë kryeministër, në kohën kur qeverisnin së bashku në koalicionin PD-LSI. Ishte koha kur në 2012, Parlamenti ndodhej para detyrimit të zgjidhte presidentin e vendit, por që përfundoi me zgjedhjen partiake të Bujar Nishanit.

Por, sikurse e kanë konfirmuar shumë syresh, Berisha nuk i hapi rrugë “dëshirës” së Metës, dhe arsyeja e përfolur, por jo pak e besueshme, ishte videoja e famshme që u bë sebep për ngjarjet tragjike të 21 Janarit, ndonëse ishte po i njëjti Berishë që nuk kurseu as veten dhe as Partinë Demokratike nga njolla e errët kur do t’i shkonte çiftit Meta për vizitë kortezie në shtëpi, një natë para gjykimit të videos nga Gjykata e Lartë.

Sot, kur i kthehemi rrjedhës së ngjarjeve të dikurshme, nuk do të habiteshim që ky mohim që Sali Berisha i bëri pretendimit të Metës, të ketë qenë edhe shkaku që themeluesi e lideri i padiskutueshëm i LSI-së, filloi, pa humbur fare kohë, komunikimin me Edi Ramën, i cili në atë periudhë ndihej pothuaj i pashpresë për të ardhur në pushtet.

Darka e famshme e ngjalave në Lalz, bash në shtëpinë e Metës, e shumëpërfolur se aty ngjizi menuja politike e aleancës së ardhme famëkeqe të qelbësirave, siç do ta quante një analist sallaks, duhet të ketë pasur në themel edhe angazhimin dhe detyrimin e kreut të PS për ta bërë Ilir Metën, President.

Premtimi i dhënë, u mbajt në seancat e fundit të legjislaturës së shkuar, pothuajse në prag të zgjedhjeve parlamentare të radhës, kur socialistët me dallgën e votave të tyre dhe me duartrokitje të stuhishme, e “nderuan” djalin plëngprishës, por edhe socialist të thekur me fronin më të lartë të Republikës.

Fill pas këtij momenti, nisi të shpleksej çudia e fushatës elektorale ku Partia Socialiste, e cila u vuri shqiptarëve Metën President, nuk pranoi të garonte me aleatin LSI në krah, si 4 vjet më parë, por bëri kujdes madje që ky formacion politik të mos bashkohej me kundërshtarin, Partinë Demokratike.

Rama, indirekt, konfirmonte që kish kryer punë me Metën. Pra nuk kish arsye që të rrinte peng i LSI-së, ndaj kërkonte edhe timonin, edhe tepsinë, krejtësisht në dorën e tij, pa LSI në prehër që ta shqetësonte, sikurse trumbetonte, i pari i Rilindjes, kudo që shkonte me çitjane e atlete, shoqëruar nga sazet e dajret e ahengut politik.

Tashmë, në aleancën e famshme “të qelbësirave” me LSI-në, siç u pa, ishin zëvendësuar ca qelbësira nga formacione të një tjetër karakteri, por që votat i garantonin edhe më fort. Atëherë ishte viti me prodhimin më të mbarë të bimës së famshme të kanabisit, në vend, dhe kur forcat e rendit kishin pasur një angazhim serioz e mjaft rezultativ për ta ngjyrosur tablonë politike me ngjyrën e fortë të jeshiles së drogës.

Gjithkush mund ta mbajë mend lehtë fushatën e paprecedentë që bëri Presidenti i zgjedhur, por ende jo në detyrë, për t’i garantuar sa më shumë vota formacionit të tij politik, jo edhe aq të vogël. Plot zëra u ngritën në mbrojtje, duke e konsideruar këtë sjellje si jo të kundërligjshme, por që sidoqoftë ishte e pamoralshme për sa kohë Meta do të duhej, që nga momenti i zgjedhur si President, të fliste vetëm në emër dhe për të gjithë qytetarët e vendit e jo veç për interesat e grupimit që kish përfaqësuar deri në ato momente.

Politikisht, i vetmi justifikim i kësaj sjellje, mbetet të ketë qenë sinjali që Rama i ka dhënë Metës se, pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit, nuk kishte më asnjë detyrim për taborin e formacionit politik me stemën e kuqe me trëndafil të çelur.

Me numrat e reduktuar në Parlament dhe jashtë aleancës qeverisëse, Meta e ndiente humbjen e fuqisë dhe mundësisë për t’i bërë presione Ramës. Ai vlerësoi se “e ngecur”, nën kurthin e ambicies, Presidenca e tij do të përfundonte krejtësisht honorifike dhe pushteti i tij do të ishte pothuaj i papërfillshëm. Ndaj gjeti një rrugë tjetër, si e si të luftonte për të arritur vetë, me çdo kusht, numrat e LSI në Parlament, që nëpërmjet tyre më pas të mund të kushtëzonte mazhorancën qeverisëse. Por, për fatin e tij “të keq”, nuk ia arriti dot. Ai mbeti kësisoj një President pothuaj krejtësisht i mënjanuar dhe pa asnjë ndikim në qeverisje, e jo vetëm aty.

Pa më të voglin dyshim, Kryeministri fuqiplotë me votat e mazhorancës të garantuara në Parlament, pa nevojën e LSI-së, nuk la pa përmendur dhe pa i mëshuar fjalorit politik, se si ai dhe anëtarët e tij të kabinetit qeveritar, nënvleftësonin qiramarrësin e pallatit të bardhë në bulevard, pranë sheshit “Nënë Tereza”. Kujtoni indiferencën e Bushatit për Metën President, kur u gatua marrëveshja me Greqinë apo “injorimin” e vetë Ramës në përpjekjen që ai bëri për të imponuar, tani vonë, çunakun kosovar Cakaj si ministër të Jashtëm të Shqipërisë.

Por tani, situata është krejt tjetër. Kryeministri Rama vijon në krye të qeverisë e mazhorancës, por Parlamenti pas ikjes së opozitës reale, edhe pse u mbush me mbeturinat e listave sipas Kodit Zgjedhor, ka mbetur me vetëm 122 deputetë. Me kaq mandate, është pak për ta konsideruar këtë Parlament kushtetues kur detyrimi është që ai të ketë fiks 140 deputetë. Zërat në mbrojtje të Ramës e mazhorancës nuk mungojnë. Biles, jo pak janë edhe juristë të mirënjohur. Përtej ndjesës së modestisë, duhet thënë hapur, se nuk ka nevojë të kesh ndonjë formim të thekur juridik për të kuptuar dhe për të arsyetuar se Parlamenti aktual, i mbetur cung në numra, është jo konstitucional. I pari, duhet të jetë kreu i mazhorancës apo në rastin më të keq, kryetari i Parlamentit, që duhet të kërkojnë shpërndarjen e tij.

Por ja ku mbërritëm te paradoksi, i cili po formësohet nga procesi që Rilindësit po ndërmarrin për të shkarkuar Presidentin, duke na dhënë një nga shembujt më të qartë që tregon se Parlamenti ndodhet në kushtet e paaftësisë së përmbushjes së detyrave dhe obligimeve kushtetuese, pikërisht për një arsye të vetme: pamundësisë për të pasur në sallë numrin e nevojshëm prej 140 deputetësh.
Kur komisioni i posaçëm do të sjellë në seancë plenare kërkesën e nënshkruar prej 55 deputetëve rilindës për shkarkimin e Presidentit (këtu ne po e konsiderojmë të mirëqenë se kjo kërkesë është e ligjshme dhe e mbështetur në fakte e shkelje të rënda e të pakundërshtueshme) do të duhej që të gjejë mbështetjen me votë nga të paktën një shumicë e kualifikuar prej 93 deputetësh, pra mbi 2/3 e numrit kushtetues prej 140 deputetësh. Sot, me praninë maksimale të mundshme prej vetëm 122 deputetësh, shumica e kualifikuar do të duhet të arrinte nivelin e mbështetjes nga mbi 3/4 të këtij numri.

Çudia do të nisë të ngjizet pikërisht në këtë moment: sikur në votimin e fshehtë të rezultojë se kuorumi prej 93 votave të nevojshme për mbështetjen të mos arrihet. Paradoksalisht, kjo do t’i atribuohej mungesës kushtetuese prej 18 deputetësh, të cilët, në rast se do të ishin të pranishëm, mund të kishin plotësuar votat që do të mungonin, në kuorumin e domosdoshëm për 93 vota.
Parlamenti ynë do të ndodhej në pamundësinë për të marrë, në emër të sovranit, vendime të rëndësishme (sa kohë që kërkohet shumicë e cilësuar) jetike për vendin, për të vetmin shkak, atë të mungesës së numrit të detyrueshëm kushtetues të deputetëve që e përbëjnë atë, pra të 140-ës.

Ky rast është i mjaftueshëm për të treguar kufijtë e groteskut ku mund të arrihet. Por e parë më gjerë, në Parlament, pavarësisht rrethanave, çdo zë është i domosdoshëm. Fjala qoftë edhe e një individi në një moment të rëndësishëm e jetik për vendin, mund të bëjë që votimi i parashikuar në një drejtim të ndërrojë krah dhe të ndikojë në rrjedhën e historisë. Ndaj domosdoshmëria e 140 mandateve është kushtetuese, detyruese, pikërisht se secili prej tyre është shprehje dhe zë i sovranit që nuk duhet dëgjuar i cunguar.

Mbrojtja e Metës sot dhe e institucionit kushtetues të Presidentit, si i vetmi institucion plotësisht i ligjshëm dhe i përputhshëm me Kushtetutën, është një detyrim si për opozitën reale, ashtu edhe për opozitën parlamentare, por edhe për këdo deputet apo edhe individ me mend nga mazhoranca.

Hapi i hedhur për shkarkimin e Presidentit nuk do t’i shërbente Shqipërisë në këtë moment kritik. Ndaj, do të ishte mirë të reflektohej sa më parë nga të gjitha palët, për të mos arritur në një pikë ku nuk ka më kthim mbrapa.

Arbër Tepelena