Rutina e përditshme na ka shndërruar të gjithë ne në robotë. Shumë prej nesh duan të arratisen prej saj dhe të kalojnë disa orë në natyrë.

Kur ne jemi në natyrë ndihemi të relaksuar, të lumtur, ndihemi më të gjallë. Natyra është si karburant për shpirtin tonë.

Arkitektët e studios “Dror” (Nju Jork) kanë krijuar një masterplan për një park të mrekullueshëm në një “qytet pa një park qendror”, në Stamboll, Turqi.

Ky është një park publik, shumë i ndryshëm nga ata që kemi parë deri më tani. “Parkoman”, rreth dhjetë kilometra larg Stambollit, ku ndodhet një pyll i dendur, “do të jetë një shteg në harmoni me biodiversitetin dhe pyllin”, i menduar për të mëdhenj dhe të vegjël, “një oaz paqeje larg kaosit dhe stresit të përditshëm”.

Struktura zbavitëse, si një rrugë e ngritur mes pemëve, do t’u japë mundësinë vizitorëve të shëtisin në natyrë ose të çlodhen duke u lëkundur në mënyrë komode në tenda. Nuk mungojnë as trampolina origjinale gjigante.

Parku “Parkoman” do t’ju japë mundësi që të lëkundeni në pyll… Ju jo vetëm mund të shijoni bukurinë e natyrës nga toka, por edhe të ndjeni gjethet dhe freskinë nëpërmjet degëve.

Sipas masterplanit të prezantuar nga studio amerikane, parku ndahet në pesë zona, secila me karakteristika unike; The Plaza, The Loop, The Pool, The Groove dhe The Chords. Ky projekt ka nisur në vitin 2003 dhe është ende në fazë projektimi.

“Dror” e ka përshkruar këtë park si një “histori dashurie mes njeriut dhe natyrës, në një qytet pa një park qendror”.