Bagazhet e pasagjerëve në fluturimin e të hënës në mesditë të Austrian Airlines janë shoqëruar nga thasët me valutë të huaj të bankave shqiptare që transportohen drejt Vjenës në “normalitetin e ri” të krijuar nga forcat e shtuara policore në ambjentet e aeroportit.

Pas vjedhjes spektakolare të më shumë se 10 milionë euro nga 4 banka tregtare brenda aeroportit të Rinasit, policia e shtetit filloi shoqërimin e blindave me valutë ndërkohë që aeroporti patrullohet edhe nga forcat e ushtrisë. Fotot e siguruara nga Monitor të hënën e datës 11 nëntor, tregojnë se në avionin e Austrian janë ngarkuar thasët me para të disa bankave të shoqëruara nga forcat e sigurisë fizike të kompanive të ndryshme si “Nazeri 2000”, “Breçani”, “Octapus security”.

Duhet të jenë disa banka që kanë kryer këtë javë transferimin e parave jashtë vendit si një procedurë normale ndërkohë që për vjedhjen e muajit prill disa banka janë dëmshpërblyer nga siguruesit dhe risiguruesit dhe banka të tjera vazhdojnë procedurat në gjykatë mes kompanive të sigurimit dhe bankave të siguruara.

Bankat transportojnë jashtë Shqipërisë një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), të cilat i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit dhe për këmbime cash valutore. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Ngjarja e ndodhur në Rinas, e dyta kur grabiten paratë brenda në aeroport, ka rritur ndjeshëm primet e sigurimit të bankave të nivelit të dytë ndërkohë që edhe kompanitë e risigurimit që veprojnë në Londër, Hanovër, Gjenevë etj kanë rritur kostot për kompanitë shqiptare të sigurimit të transportit të parave në udhëtim.

/MONITOR.AL