Skemat që aplikohen për pastrimin e parave duket se janë në metamorfozë të vazhdueshme. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave në raportin vjetor të 2017 përmend të paktën katër lloje skemash të reja të përdorura ku mes të tjerave të përfshira janë Call Center-at, transferta me vendet e Amerikës Latine apo edhe deklarime si të ardhura nga emigracioni. Por cilat janë në fakt katër tipologjitë e përmendura në raport?

Tipologjia 1

Transferta nga shoqëri të regjistruara në vende parajsa fiskale, në favor të shoqërive ‘call center’ dhe tërheqja e menjëhershme e fondeve

Shoqëria A me objekt veprimtarie ‘call center’, në llogarinë e saj në një nga bankat që operojnë në vend që në fillimet e aktivitetit kishte përfituar disa transferta të dërguara nga vendet e BE, nga shoqëri të regjistruara në vende të parajsës fiskale (i ndryshëm nga vendi i dërgimit të transfertave).

Nga verifikimet e kryera rezultoi se:

Në të njëjtën adresë që ushtronte aktivitetin kompania A, kishin regjistruar selinë edhe disa biznese të vogla të tipit Person Fizik (rreth 11 PF) me të njëjtin objekt veprimtarie si të shoqërisë A dhe të regjistruara në të njëjtën datë në QKB. Këto biznese ishin regjistruar në emër të punonjësve të shoqërisë dhe kishin moshë tepër të re.

Nga analizimi i llogarive të bizneseve PF është vënë re se ka patur transferta në hyrje që në momentin e regjistrimit të tyre nga të njëjtat shoqëri që më parë i kishin dërguar transferta edhe shoqërisë A. Fondet e mbërritura në llogaritë e bizneseve PF ishin pothuajse në të njëjtat vlera (10,000-15, 000 EUR për transfertë) dhe të gjitha këto fonde tërhiqeshin menjëherë nga shtetasi Z, i cili ishte person i autorizuar për kryerje transaksionesh në bizneset PF si dhe njëkohësisht i punësuar menaxher në shoqërinë A.

Gjatë analizimit të mëtejshëm të rastit është konstatuar se shoqëritë dërguese, jashtë vendit kanë qenë të lidhura me shoqëri të tjera në Shqipëri me veprimtari ‘call center’ të sapo krijuara dhe me ortak shtetas me moshë të re, raste për të cilat është dërguar informacion kohë më parë në organet ligj zbatuese për dyshime lidhur me aktivitetin që ato ushtrojnë.

Tipologjia 2

Transferta të kryera me vende të Amerikës Latine nga shtetas me lidhje familjare me persona të dënuar për trafikim lëndësh narkotike

Për një periudhe 2-vjeçare shtetasi A kishte përfituar transferta të shumta nga shtetas të ndryshëm nga një vend në Amerikën Latine, shteti N, por ajo që binte në sy ishte se për një periudhë 6 mujore (në 2014) shtetasi A kishte dërguar edhe rreth 20 transferta në vlerë totale 82,000 EUR drejt shtetasve të ndryshëm në këtë shtet.

Lidhjet ndërmjet shtetasit A dhe shtetasve dërgues/përfitues ishin të paqarta, transfertat ishin me vende me risk lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike, për rrjedhojë rasti u dërgua për verifikime të mëtejshme në organet ligj zbatuese.

  1. Vëllai i shtetasit A si dhe bashkëshortja e shtetasit A (shtetasja B) kishin dërguar një numër të konsiderueshëm transfertash drejt vendit N për një periudhë rreth 2- vjeçare.
  • transfertat ishin kryesisht në vlerat 200-1,000 EUR, por kishte edhe transferta në vlera të ulëta deri në 20 EUR/ transferta;
  • dërgesat ishin të shpeshta 18-20 transferta në muaj dhe në favor të shtetasve të ndryshëm. Nga verifikime të tjera të kryera në lidhje me të afërm të ngushtë të bashkëshortes së shtetasit A, për vëllain dhe të atin e saj rezultoi:
  1. Shtetasi X, (babai i shtetases B) kishte përfituar në shtetin N disa transferta të dërguara nga Shqipëria. • shtetasi X nga burime të hapura rezultonte të ishte i arrestuar më parë për trafikim lëndësh narkotike.
  2. Shtetasi Y (vëllai i shtetases B): • rezultonte të ishte arratisur nga ambientet e paraburgimit, pasi ishte dënuar me 25 vjet për vrasje të një punonjësi policie; • ishte arrestuar në një shtet jo Evropian për vjedhje dhe trafikim lëndësh narkotike; • ishte arrestuar në shtetin N, pjesë e një grupi trafikimi lëndësh narkotike.

Tipologji 3

Qarkullimi i shumave të dyshimta në sistemin banker

Shtetasi A zotëron llogari personale në një bankë të nivelit të dytë që prej 2015 dhe në vitin 2017 i ka mbërritur një transfertë nga shoqëria X nga një vend i BE në vlerë 310,000 USD, për të cilën ka kërkuar tërheqjen e shumës pa dhënë asnjë informacion lidhur me burimin e fondeve, dërguesin e tyre apo qëllimin e dërgimit.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se:

  • shoqëria X që ka dërguar transfertën e mësipërme është një nga aksionerët e shoqërisë Y, e regjistruar në Shqipëri, me të cilën shtetasi A ka marrëdhënie biznesi pasi e furnizon me karburant, dhe për shkak të kësaj marrëdhënie, ka kërkuar një hua në vlerë 310,000 USD për investim në biznes;
  • nga të dhënat e QKB, shtetasi A është aksioner në katër shoqëri, të cilat operojnë në të njëjtën fushë veprimtarie;
  • gjatë periudhës që shtetasi A është përfshirë në këto subjekte (2011-2017) ka qarkulluar një numër të konsiderueshëm transaksionesh bankare në vlera të larta, veprime të cilat kanë kryesisht natyrë biznesi;
  • nga një informacion në burimet hapura, ky shtetas është arrestuar me akuzën e mashtrimit. Informacioni i analizuar është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit, nga të cilët na është konfirmuar se shtetasi A figuron i evidentuar me precedent kriminal për veprën penale “Mashtrim” dhe është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Bazuar në këto indicie DPPPP ka nxjerrë urdhër bllokimi. Në vijim është regjistruar një procedim penal ndaj këtij shtetasi si dhe është vendosur sekuestrimi i shumës 310,000 USD

Tipologji 4

Të ardhura të siguruara nga aktiviteti i jashtëligjshëm

Shtetasja A ka depozituar në një bankë të nivelit të dytë shumën 80, 000 EUR duke deklaruar të ardhura nga emigracioni. Ndërkohë në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtën bankë, shtetasi X (dhëndri i shtetases A) ka hapur llogari të përbashkët me bashkëshorten e tij shtetasen B, ku ka depozituar shumën 65,000 EUR si kursime familjare dhe puna në emigracion në një vend të BE. Në lidhje me këto depozitime nuk është paraqitur asnjë dokument justifikues.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se:

  • shtetasja B ka investuar në pasuri të paluajtshme në vlerën prej 150,000 EUR; nuk kanë biznes të regjistruar në QKB. Në lidhje me shtetasin X kemi kërkuar informacion në organet e zbatimit të ligjit dhe në vijim jemi informuar se shtetasit X dhe B janë të dyshuar nga autoritete e një vendi të BE, vendi M si persona të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Nga informacioni i marrë nga banka rezulton që më pas shtetasi X i përfaqësuar me prokurë nga shtetasja A ka kryer një transfertë prej 70,000 EUR në shtetin M për blerje shtëpie. Pas këtij informacioni materialet janë referuar në organet e zbatimit të ligjit, është nxjerrë urdhër bllokimi për rastin dhe më pas jemi informuar se është nxjerrë edhe urdhër sekuestrimi.