Banka e Shqipërisë në vrojtimin e fundit mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Familjeve për 6 mujorin e dytë të 2019-s, ka intervistuar të anketuarit lidhur me pasurinë e tyre financiare.

Rreth 94% e familjeve (totali i kampionit të intervistuar) zotërojnë 1-2 prona të patundshme, kryesisht shtëpi banimi dhe kjo peshë ka rënë me 2 pp krahasuar me vrojtimin e kaluar; 2% deklarojnë se zotërojnë më shumë së 2 prona të patundshme (shtëpi dhe tokë/dyqan etj.), dhe 4% kanë deklaruar se nuk zotërojnë asnjë pronë. Në grupin e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare, rezulton se depozitat dhe/ose llogaritë bankare vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të familjeve (71% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (85% e rasteve). Këto pesha kanë rezultuar në rritje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë.

Nga përgjigjet e dhëna rezulton se për periudhën e vrojtuar, 24% e totalit të familjeve të kampionit (huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 43% e grupit të familjeve huamarrëse, deklarojnë se ‘nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare’ dhe të dyja këto pesha kanë rënë respektivisht me 22 pp dhe 9 pp krahasuar me vrojtimin e kaluar.

Nga analiza vetëm e pjesës së familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (duke përjashtuar rastet që ‘nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare’), rezulton se ‘depozitat dhe/ose llogaritë bankare’ mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të kampionit të familjeve (71% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (85% e rasteve).

Këto pesha kanë rezultuar në rritje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me një vit më parë (respektivisht me 4pp dhe 5pp krahasuar me 6MI-2019 dhe me 7pp dhe 9pp krahasuar me 6MII-2018). Nga ana tjetër, përdorimi i formave të tjera të investimit të pasurisë financiare, të përmbledhura në termin “investime të tjera”, ka rezultuar në rënie krahasuar me vrojtimin e kaluar si në rastin e totalit të kampionit të vrojtuar dhe në rastin e grupit të familjeve huamarrëse.

Në përgjithësi, pesha e rasteve të mbajtjes së pasurisë financiare brenda sistemit (ku përfshihen depozita/llogari bankare dhe investime të tjera) ka rezultuar në rritje në dy gjashtëmujorët e fundit kundrejt peshës së rasteve të pasurisë së mbajtur jashtë sistemit (ku përfshihen kursime në para të mbajtura jashtë banke ose të dhëna hua). Kjo prirje vihet re si në rastin e totalit të kampionit të familjeve dhe në rastin e grupit të familjeve huamarrëse.

Vrojtimi gjeti se rezulton se ka pasur një rënie të numrit të të punësuarve në këtë periudhë, çka ka sjellë uljen e të ardhurave dhe ka detyruar që ata të tkurrin shpenzimet.

Më shumë se 50% e familjeve kanë të ardhura mujore deri në 50 mijë lekë, ndërsa në kahun tjetër dhe shpenzimet janë në këto nivele (ndërkohë paga minimale që po marrin si ndihmë pas krizës së punësimit nga Covid-19 është 26 mijë lekë).

Monitor.al