Marrëdhënia nuse-vjehrrë është një nga më të përfolurat sot. Ka qenë gjithmonë dhe duket se raporti mes tyre jo vetëm që duhet trajtuar me kujdes por duhet ditur se si të ndërtohet.

Çfarë duhet të bëjnë bashkëshortët, çfarë nuset, e si duhet të sillen “nënat xheloze”? Të gjithë kanë fajet dhe përgjegjësitë e tyre. Ja çfarë duhet bërë për të shuar këtë “luftë” shekullore

 

Një nga diskutimet më të pashmangshme, ose arsye për të diskutuar që ndodh të bëhen rëndom, sidomos mes vajzave të sapomartuara e grave është marrëdhënia tipike nuse-vjehrrë.

Problemet mes tyre, xhelozitë, zënkat, hatërmbetjet, ironitë, apo edhe siç jo shpesh ndodh një marrëdhënie e mirë, e mbarëvajtur me kujdes, përbën një nga debatet më emocionale në historinë shoqërore. E kjo ka ndodhur shumë shpejt, që në momentin kur Eva u bë vjehrrë.

Shumë prej komedive e kanë trajtuar si një nga subjektet më të pëlqyera, duke vënë në qendër gjithë dilemat dhe peripecitë që shkakton ky raport i vështirë e real mes grash.

Shumë martesa thuhet se janë shkatërruar për shkak të nënave xheloze, vjehrrave, që i duan djemtë e tyre më tepër se ç’duhet, sidomos në momentin kur në jetën e tyre shfaqet një bashkëshorte që merr drejtimin e jetës së tij.

Në të vërtetë komeditë përpiqen të pasqyrojnë realitetin në të cilin jetojmë e konfrontohemi çdo ditë, duke i ngarkuar ca dhe me efektet hollivudiane të ngjyrosura edhe me shumë hiperbolë, apo krahasime nga më qesharaket që regjisorët i bëjnë për të patur sukses.

Megjithatë thelbi që transmetohet është po ai, problematika e një raporti të vështirë vjehrrë-nuse që jetohet sot, e për më tepër që është i përbotshëm. Nuk është një stereotip shqiptar. Ndaj mos ta marrim çështjen shumë personale.

Por ç’duhet bërë në këto raste? Ajo që sugjerohet është vendosja e kufijve mes çiftit të ri dhe vjehrrës, sa më parë për përcaktuar qartë hapësirat e gjithsecilit. “Jeta jonë është e jona dhe duam ta bëjmë ne, ashtu si na pëlqen”.

Kjo është një moto e çifteve të reja, të sapomartuara, që shpesh nuk arrin të thuhet me zë të lartë për shkak të pamundësive apo barrierave të ndryshme që ekzistojnë. Nga ana tjetër edhe nuset, apo bashkëshortet e reja, duhet të dinë të sillen me maturi e ta trajtojnë këtë raport me shumë delikatesë.

Për të dyja palët ka mënyra dhe mundësi për t’u përmirësuar që jeta juaj të bëhet më e lehtë.

 

Pse vjehrrat janë të gjitha njësoj?

Përpara se marrëdhëniet mes jush dhe vjehrrave tuaja të prishen, apo në të kundërt të përmirësohen, është e nevojshme të krijohet një background (kuptim) më i thellë se pse ato sillen ashtu.

Siç është thënë edhe më parë, jo të gjitha janë njëlloj, dhe ato shfaqen me të gjitha format e këtij stereotipi. Po pse duket se të gjitha vjehrrat janë njësoj? Thjesht sepse ato janë nëna.

Kështu e shpjegon shkenca e psikologjisë. Këto gra kanë qenë nëna për të paktën 18 vite, para se të jetojnë me nusen apo dhëndrin e tyre. Kanë rritur fëmijët e tyre të dashur për vite me radhë duke bërë të pamundurën për ta, për t’u kujdesur në momente të vështira apo gëzimi.

Janë munduar t’u realizojnë çdo dëshirë përmes sakrificave dhe gjendjeve të ndryshme emocionale. I kanë veshur, ushqyer, mësuar në shkollë, duke qenë kështu të vetmet gra në jetën e tyre. Të parat ku fëmijët e tyre u janë drejtuar për këshilla, në rast nevoje.

E papritur fëmija e tyre, djali ka dikë tjetër. Nuk ka rëndësi nëse fëmija e tyre është vajzë apo djalë. E sapoardhura, që vjedh vëmendjen e tyre, e sidomos afeksionin, shihet si një armik-e.

Edhe pse jo të gjitha vjehrrat nuk e ushqejnë ndjesinë negative të urrejtjes, ekziston gjithmonë një shkallë e vogël xhelozie dhe posesiviteti. U duket sikur po humbasin atë me të cilin ndanë gjakun për nëntë muaj e për të cilët sakrifikuan në gjithçka.

Personi i ri, nuk ka bërë “asgjë” krahasuar me atë që kanë bërë nënat e bashkëshortëve dhe duan t’i uzurpojnë ato. Kjo është “e padrejtë”!

 

Bashkëshortët duhet t’i mbështesin nuset

Të dy të martuarit si nusja ashtu dhe djali duhet të jenë më se dakord për kufijtë që duhen vendosur mes këtij raporti delikat që krijohet me prindërit e dytë.

Për shembull, nëse Xheni nuk do donte që mamaja e Tomit të futej në dhomë pa trokitur (asnjëherë nuk i dihet se ç’mund të ndërpresë), atëherë patjetër Tomi duhet ta mbështesë bashkëshorten e tij.

Në fakt është e nevojshme që Tomi duhet të forcojë këtë lloj marrëdhënie rregullash dhe kufijsh, pasi nëse ai ia lë në dorë Xhenit gjërat mund të jenë të vështira për të dhe marrëdhëniet nuse vjehrrë janë më të lehta për t’u acaruar.

Nëse Xhenit i duhet të vendosë atëherë do të ndodhë që nëna e Tomit ta shohë atë si një armike që fut hundët, dhe jo si bashkëshorten e denjë të djalit. Kjo është më se e vërtetë kur dhe nipërit apo mbesat janë të përfshirë.

Nëse kufijtë nuk ishin të nevojshëm më parë kur nipërit vijnë në jetë,  ato do të jenë absolutisht të nevojshëm për t’u vendosur. Asgjë më shumë se sa një mbesë që lind nuk e përfshin atë në raportin e çiftit. Ajo do të jetë e sigurt nëse ata janë mirë me shëndet dhe se asgjë nuk i lëndon.

Përcakto një fushë të qartë të rregullave. A duhet që ajo të kontrollojë se si mbesa është veshur? Sa ndikim duhet të ketë ajo në mbarëvajtjen e jetës së vajzës së vogël? Janë të gjitha këto diskutime delikate, por në një moment të caktuar gjërat duhen ndarë e përcaktuar qartë.

Vetëm kështu nuk do të ketë hatërmbetje, ankesa apo mosmarrëveshje mes njëri tjetrit.

 

Të bëhemi vjehrra të mira

Por ka gjithmonë mundësi që vjehrrat të ndryshojnë faqe e të jenë po aq të mira sa nuset e tyre duan vërtet. Djali juaj sapo është martuar dhe ka në jetën e tij një tjetër grua që po kujdeset për të.

Një situatë që ndryshe do të shihej si kërcënuese për ju! Nuk keni pse bëheni vjehrra e stereotipit të shumënjohur botëror, ziliqare, xheloze dhe e keqe!

A ju pëlqente dikur që edhe vjehrra juaj e kishte zakon të bënte komente nga më negativet për mënyrën se si ishin veshur fëmijët, për gjellën që kishit gatuar apo sa e “pazonja” ishit ju në bërjen e punëve të ndryshme?

Ankesat e saj ju duken tani si një komedi e shëmtuar që nuk do donit ta kishit parë kurrë. Atëherë pse rrota e historisë përsëritet kaq lehtë duke ju bërë personazh të atyre skenave që dikur nuk ju pëlqenin aspak.

Një paralelizëm i tillë do t’ju ndihmonte për të parë se sa i shëmtuar është ai rol që ndoshta tani e pëlqeni teksa e praktikoni vetë.

 

A ka shanse që të jeni një vjehrrë e mirë?

Patjetër. Kujto gjithmonë  se si ka qenë për ty të jesh një nuse. Kujto se si je ndjerë ndërsa kontrolloheshe dhe kritikoheshe.

Përpara se të flasësh mendo se çfarë do të thuash. Edhe nëse qëllimi nuk do të ishe negativ në vetvete, mendoni se si do të perceptohet e si mund të ndikojë në gjendjen psikologjike të çiftit.

Në raste të tilla marrëdhëniet mes jush, si edhe djalit tuaj mund të marrin në kahe krejt të papritura. Nga negative deri te raporti i shembur, apo i shkatërruar! Ndaj reflektoni për gjithçka që mund të krijoni dhe bëhuni ju timoni që drejton një raport të nevojshëm familjar.

Duke drejtuar me kujdes mund t’i çoni gjërat vetëm në rrugë të sigurta e pozitive.

 

Çfarë do t’ju ndihmonte realisht

Është e rëndësishme të eksploroni motivet që keni. Të vjen të kritikosh nusen sa herë që e takon? Do doje që ajo të ishte ndryshe? Nuk të pëlqen besimi i saj, rrobat që vesh, preferencat e saj të çuditshme?

Mendo për të gjitha këto. E ndjen të nevojshme të paragjykosh? Do doje që edhe ti të paragjykoheshe në këtë mënyrë? E njëjta gjë mund të ndodhë me njerëzit e tjerë në lidhje me ju. Veshjet e tua, stili i jetesës apo gjithçka që bën mund t’u duket i çuditshëm.

Jeto dhe lërini të tjerët të jetojnë. Të gjykuarit e të tjerëve dhe të kërkuarit e vazhdueshëm për t’i kritikuar në mënyrë që të ndiheni superiore karshi tyre, përbën një problem krejtësisht tëndin të cilin duhet ta zgjidhësh me veten.

Është e rëndësishme të kujtosh se nëse thua diçka të shëmtuar dhe të pavend nuses tuaj, atëherë ka shumë shanse që ajo t’ia nxjerrë dufin djalit tuaj. Jo vetëm që do të humbisni respektin e saj por dhe të djalit kundrejt jush.

 

Kurrë mos fyej inteligjencën e saj!

Nëse mendoni se ajo, nusja juaj, është budallaqe (jo e mençur), ka shumë gjasa që të mos jetë ashtu. Mbi të gjitha është aq e sa zgjuar sa zgjodhi djalin tuaj. Gjithashtu do të ishte më etike nëse nuk flisni për nusen tuaj mes miqve apo familjarëve.

Ndaj mendohuni dy herë përpara se të flisni dhe kritikat lërini në raste shumë të rralla. Mos mendoni se gjithçka që bën nusja juaj nuk është bërë ashtu siç duhet, apo se ajo nuk ka aftësinë e duhur për të bërë siç ju mendoni.

Edhe nëse gabon, lëreni të veprojë ashtu, është fillimi i një jetë të re për të ndaj i lejohet. Nëse krahasoni çdo veprim të saj me gjënë e gabuar që mund të ketë bërë, kjo do të thotë që ju mendoni se ajo nuk është aq e zgjuar sa duhet. Duket se jeni gjithmonë e pakënaqur.

 

Po nuset çfarë duhet të bëjnë?

Edhe pse herë pas here ndodh që reputacioni i saj të bjerë nga lartësia e duhur, duhet të pranoni që vjehrra juaj është një grua e mrekullueshme. Në fund të fundit është mamaja e bashkëshortit tuaj ndaj meriton më shumë dashuri, respekt.

Duhet të keni një raport të mirë me të për t’i treguar atij, dhe fëmijëve se kjo është mënyra më e mirë për të kultivuar respektin ndaj familjarëve e sidomos prindërve. Por çfarë duhet të bëni më konkretisht, nëse raporti juaj ka marrë pak për keq? Ja disa këshilla të vogla por me shumë vlerë.

 

Respektojeni vjehrrën tuaj

Vjehrra juaj ka një jetë të tërë me eksperiencë. Edhe pse mund të ketë shumë raste që nuk jeni dakord me të, është e rëndësishme t’i tregoni asaj respektin që meriton.

Ajo mund të jetë një ndikim i madh në jetën tuaj, e sidomos përkundrejt bashkëshortit tuaj, ndaj fillojini gjërat mirë duke i dhënë asaj vendin që i takon në këtë raport mes jush.

 

Tregohu e gatshme për ta ndihmuar

Në mënyrë të veçantë ajo do të vlerësonte dëshirën tuaj, dhe etikën që do të tregonit për ta ndihmuar. Gatishmëria ndonjëherë vlen më shumë se energjia që ju do të shpenzonit për të bërë gjërat. Nëse shprehni dëshirën për ta ndihmuar do të tregoni veten si një person pozitiv.

Ofrojini mundësinë për ta çuar në vende që ka dëshirë të shkojë, ndihmojeni edhe me punët e vogla të shtëpisë, dhe mos prit gjëra si shkëmbim. Sjellja jote bujare do e bëjë atë të ndihet krenare për ato minuta që kaluat bashkë.

 

Komunikoni shpesh

Një nga ankesat më të shpeshta të vjehrrave është se ajo ndihet e lënë pas dore. Ka nevojë për më shumë vëmendje dhe se askush nuk kërkon mendimin e saj. Fakti që ju e telefononi nuk mjafton.

Është e nevojshme të komunikoni së bashku, të merrni mendimet e saj dhe ta bëni pjesë të jetës suaj herë pas here.

Është e rëndësishme nëse doni të keni një marrëdhënie të mirë me të. Tregojini për gjëra të vogla, konsideroje atë duke i dhënë një vend të rëndësishëm ose bëjë atë të ndihet e tillë nëse e ke të vështirë t’i japësh çdo pjesë të “fronit mbretëror”.

 

Bëje të ndihet krenare

Nëse do doje të kishe një marrëdhënie të mirë, bëjë të ndihet krenare. Me pak fjalë kjo do të thotë që t’i duhet të tregosh më të mirën tënde sa herë që jeni bashkë, kështu ajo do të ndihet krenare për faktin që ju jeni nusja e djalit të saj.

Sjelljet e këqija, si ironitë, debatet e vazhdueshme, mbajtja e mërisë vetëm do e përkeqësojnë raportin tuaj.

 

Trajtojani djalin mirë

Nëse e trajtoni bashkëshortin tuaj vërtet mirë, atëherë ajo do të harrojë shumë ndjesi negative dhe do të reflektojë në sjelljen me ju. Nuk do të ketë më arsye të luftojë me idenë nëse djali i saj bën një jetë të lumtur apo jo.

Një pjesë e mirë e marrëdhënies suaj është garancia që duhet t’i jepni nënës së bashkëshortit qetësinë se djali i saj është i respektuar, vlerësuar dhe trajtuar mirë. Sedra e saj do të jetë shumë herë më e qetë nëse djali vazhdon të përkëdhelet si dikur.

Përveç kësaj, të dyja do të keni shansin për të folur dhe qeshur më tepër mbi këtë fakt.