Muaji Prill erdhi i vakët përsa i përket prurjeve të reja artistike. Pati pak premiera si në teatër ashtu dhe opera. Kinematë nuk kanë munguar si gjithmonë me filmat më të fundit kinematografikë. Angelina Jolie vjen si protagoniste në “In the Land of Blood and Honey” një film anti-serb, ndërsa TK guxoi me “Henrin e VI”, një

shfaqje që do të jetë konkurrente në Festivalin Globe to Globe të Shekspirit. Të tjera argëtime u ndjenë në ekspozita, galeri apo spektakle televizive të sezonit.

“L’eilisir d’amore” opera e fundit në TK

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka shfaqur operën në dy akte “L’elisir d’amore” shkruar nga Felice Romani me muzikë të Gaetano Donizettit (1797-1848). Vepra është rivënie skenike nga Armand Bora. Një melodramë komike nga shek.XIX, histori e një djali të ri që përpiqet të fitojë zemrën e një gruaje të bukur dhe… e fiton. Kanë interpretuar Eriona Gjyzeli Dragoicea, Blerta Cina, Riad Ymeri, Elson Braha, Solen Alla,

Vladimir Sazdovski, Rezarta Qevani, Sofika Kole. Orkestra Simfonike e TKOB-it është drejtuar nga dirigjenti Edi De Nadai. Skenografia e realizuar prej Artur Muharremit ndërsa kostumet nga Gjergji Marko. Me dirigjent Dritan Lumshi shfaqja është ndjekur me shumë kërshëri në fund të muajit prill. “L’Elisir d’Amore” u vu premierë absolute në TOB në vitin 2004, me regji të Armand Borës, me solistë shumë të mirë: Ermonela Jaho, Marjana Leka, Eva Golemi, Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa. Ende nuk ka pasur një shfaqje të re për këtë sezon të ri të vitit, pasi shfaqja në fjalë është një rikthim pas disa vitesh.

Shpëtim Kelmendi prezanton poemën “Epifania” në Zenit

Një poemë mbi njeriun, shpirtin dhe natyrën

Poemën “Epifania” Shpëtim Kelmendi e përfundoi në krye të një dekade (1999-2011). Në qarkullim u hodh në 300 kopje (Zenit, 2011, 80 f.). “Epifania” përbëhet nga 24 këngë, me varg të gjatë e që mund të lexohet si një meditim i autorit mbi gjendjen dhe natyrën e sendeve, mbi origjinën dhe trajtën e punëve shpirtërore të njeriut, mbi natyrën e forcat e saj ndikuese. Tri sfera nën dritën e meditimit mbi hyjnoren, mbi Zotin. Citohet profeti Muhamed që është sjellë në hyrje të poemës: Zoti ka thesare nën fronin e tij dhe çelësat e këtyne thesareve ndodhen në gjuhen e poetëve. Prej këtej, autori ngre dy çështje për diskutim: vetëdija njerëzore për natyrën e fesë dhe vetëdija e poetit për natyrën e shkrimit dhe misionin e poezisë. Shpëtim Kelmendi sjell në mënyrë simbolike, një version letrar në dialektin gegë të epifanisë si dhe bëri një prezantim të “Epifanisë” në Galerinë Zenit ku të ftuarit lexuan këngë të pëlqyera. Në mbyllje dhe disa poezi nga Giuseppe Ungaretti, përkthime të Kelmendit.

“Henri i VI”, tragjedia që konkuron në festivalin

Globe to Globe të Shekspirit

Premiera merr duartrokitjet e para në teatrin shqiptar

Në ditët e fundit të muajit erdhi në skenë një nga tragjeditë më të njohura të Shekspirit “Henri i VI”. Gjithçka nis me Kopshtin e Glosesterit. Është skena e IV nga akti i parë i tragjedisë së Shekspirit “Henri VI”. Mbretërimi i Henrit VI ka hyrë në kaos me humbjen e territoreve franceze dhe familjet fisnike po i hanë kokat njëratjetrës. Është pjesa e dytë e trilogjisë mbi fatin e mbretit Henri VI të Anglisë që duan ta rrëzojnë nga froni. Magjistarët në këtë natë të errët presin një ] shpirt të ngrihet nga varri që t’i dëgjojnë parashikimin. Mariana Kondi hyn me trupin drejt dhe duart si kthetra që i kalon me lëvizje rrethore sikur nakatos diçka në ajër. Aktorja në rolin e Margaretës po ndiqet nga koreografja e ulur në radhët e para të platesë. Aktori Mehdi Malka që duhet të vijë rrotull skenës me një partnere dhe të mësojë me ankth “Ç’do bëhet me mbretin?”

Shpirti përgjigjet: “Duka që mbretin Henri do të rrëzojë, jetë akoma do të ketë/Do rrojë më gjatë, por do vdesë me dhunë” Po ç’fat e pret Dukën e Safolkut? Shpirti: “Në ujë vdekjen do gjejë dhe kështu fundin e vet.”

“Shqipëria Fantastike”, ekspozita personale e piktorit Ibrahim Kodra

Kjo është ekspozita personale e piktorit Ibrahim Kodra (1918-2006), e cila është mbajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kanë qenë jo pak por rreth 60 tablo  origjinale të viteve 1940-

2006, që janë përzgjedhur nga dy koleksione kryesore, i Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano dhe nga koleksioni i Kozma Dashit në Shqipëri. Fare pak punë të Kodrës dalin edhe nga fondi i GKAsë, përpos kontributit të koleksionistëve të tjerë private brenda e jashtë vendit.

Ekspozita qëndron hapur deri më 20 Maj. Është kuruar nga Rubens Shima dhe është bërë pjesë e kalendarit të ekspozitave të GKA-së në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Martin Parr bën që Shqipëria “të ndryshojë”

Capture Albania”, konkursi i fotografisë shpalli fituesin dy net përpara në një nga magazinat e Stacionit të Trenit në Tiranë ku u prezantuan në një ekspozitë punët më të mira. Ekspozita kishte për motiv frymëzimi Shqipërinë e pare më 1990 nga Martin Parr, fotografi i shquar britanik i cili bashkë me 12 gazetarë, vinte atëkohë për të parë ç’ndodhte me kështjellën e fundit të Komunizmit në Europë. Me çmimin e parë u vlerësua Edmond Prifti fotografia me ngjyra e të cilit ka kapur një moment në muzg të 21 janarit 2011. Piramidam e pushtuar në brinjët e saj të pjerrëta nga turma, të cilën nuk e shqetëson ai vel tymi i zi që tregon se ngjarjet kanë precipituar. Kjo turmë me indiferencën e saj e sfidon ankthin që të ngjallin disa shenja në kuadrin e fotografisë së Edmondit, si për shembull një vajzë që rri krejt indiferente aty pranë me laptop në

prehër. Me çmimin e dytë u vlerësua Sandër Morino, dhe me të tretin Edi Piqoni. Të tre janë përzgjedhje e vetë Martin Parr-it i cili nuk ka qenë prezent në Tiranë por i ka gjykuar fotografitë në distancë nëpërmjet internetit. Fotografët që kishin sjell punët e tyre në këtë ekspozitë ishin profesionistë por dhe të rinj, ndërsa tema qendrore ishte Shqipëria sot. Morën pjesë 160 fotografë me rreth 400 fotografi, por pas përzgjedhjes në tri faza, erdhën në finale 40 fotografë. Këta kanë kapur jetën e Tiranës, Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës, Sarandës, Durrësit.

Dominojnë peizazhet dhe portretet.

Angelie Jolie vjen në Imperial me “In the Land of Blood and Honey”

Një film anti-serb ku aktorja dëshiron të fillojë karrierën si regjisore

Në tokën e gjakut dhe të mjaltit” (In the Land of Blood and Honey) është premiera e filmit të aktores hollivudiane Angelina Jolie, i cili është shfaqur në kinema Imperial në fund të muajit. Fabula e filmit flet për luftën e Bosnjës (1992 – 1995), e cila ende pas 20 vjetësh konsiderohet si konflikti më vdekjeprurës në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.Lufta që filloi në prill të 1992 për shkak të shpërbërjes së Bosnjës nga Jugosllavia zgjati katër vjetë. Gjatë kësaj kohe pothuajse gjysma e popullsisë u detyrua të braktisë shtëpitë, ndërsa mbi 100 000 mijë persona u vranë. Vetëm në Sarajev ishin 11 541 vetë që humbën jetën. Për këtë aktorja ka preferuar që nisjen e karrierës së saj si regjisore ta bënte me një temë, ku në qendër kishte luftën e Bosnje Hecergovinës. Është dashuria e një myslimaneje nga Bosnja me një oficer të policies Serbe ngjarja që do të jetë në qendër të filmit. Danijel (Goran Kostiç) është polici që bie në dashuri me Ajla (Zana Marjanovic) një grua myslimane e cila është e burgosura e tij. Marrëdhënia e tyre filloi në një klub vallëzimi, por një sulm me bombë ndryshoi gjithçka papritur. Ai përdor pozitën e tij në kamp për të mbrojtur Ajlan dhe i vë asaj si detyrë të tërheq portretet e udhëheqësve të kampit. Aktorët përcjellin dhembjen si mesazhin kryesor të filmit. Filmi përqendrohet dhe tek përdhunimi si një nga pasojat më dramatike të luftës.

Tragjikomedia “Fqinjët”, bashkëjetesa shqiptaro-greke 

Konflikte dhe emocione mbi kombësinë e dy të dashuruarve

Tragjikomedia “Fqinjët”, nën regjinë e Alfred Trebickës, ka sjellë në fund të këtij muaji në skenën e Universitetit të Arteve realitetin e bashkëjetesës mes dy popujve, shqiptar dhe grek.

Vepra është shkruar nga dramaturgu Ruzhdi Pulaha, interpretimi i së cilës është realizuar nga emra të njohur të aktorëve si Violeta Trebicka, Marjana Kondi, Gëzim Rudi, Adelina Muça, Dasara Xhangolli, Marsias Lila, etj. Sipas regjisorit Trebicka, ajo që e ka shtyrë për të

vënë në skenë këtë shfaqje është materiali dramaturgjik për këtë vepër. “Mesazhi i veprës është që ne të shkarkojmë sa më shumë energji pozitive, qoftë në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, qoftë marrëdhënia me fqinjët. Kur them energji pozitive, duhet të them se duhet të shpërfaqim sa më shumë qytetari, civilizim, nëse pretendojmë të bëhemi pjesë e familjes së madhe europiane”,- është shprehur regjisori. Përmes situatave dramatike, tepër emocionuese dhe plot humor, autori ka sjellë mesazhe dhe ide që gjithsecili i ka ndeshur, ndërsa nëpërmjet nënteksteve ka hedhur dritë mbi shumë të vërteta historike dhe njerëzore. Stili, gjuha dramatike, karakteret, problematika, mesazhi, idetë që përcjell autori, por dhe ato që do të përcjellë realizimi skenik do të jenë kombëtare. “Vepra i shikon të gjitha fenomenet, të gjitha energjitë negative nga disa individë që janë në të dy kampet, shqiptar dhe grek, por në të tërën kanë një frymë pozitive, kanë frymën e bashkëjetesës njerëzore”, është shprehur Trebicka. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij dhe kantinën e verës në të cilën ka punësuar një familje të re shqiptare në biznesin e tij. Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë. Në vepër kanë interpretuar 11 aktorë, të cilët regjisori i ka ndarë në dy grupe, në atë shqiptarë dhe grekë. Ambicia e këtij projekti shkon përtej kufijve shqiptarë dhe veç Tiranës shfaqja do të ngjitet dhe në skena të tjera teatrore si një vepër e cila ka ardhur në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.