Marsi ka qenë muaji që na solli jo vetëm ditët e ngrohta dhe ndryshimet e solsticeve, por në mënyrë të veçantë një shpërthim emocional e frymëzim të artit në forma të ndryshme. Kanë dominuar në mënyrë të veçantë shfaqjet teatrale.  Vlen për t’u përmendur ekspozita e Orion Shimës, teatri “Jo vetëm shtrirë, por bëj diçka” që rikthen Luftar Pajën,  “Letra dashurie”, apo një tjetër vënie e fuqishme si ajo e “Doktor Shuster” që rikthen të madhin Robert Ndrenika me regji të Spiro Dunit

Mbrëmja poetike e Lasgushit vjen në skenën “Shekspir”

Mbrëmja poetike kushtuar Lasgush Poradecit është rikthyer për herë të dytë për shkak të pëlqyeshmërisë që pati nga publiku. Në Teatrin e Metropolit është rikthyer skenën “Shekspir” seria e leximeve publike dhe performancave që ky teatër ka ndërmarrë me klasikët shqiptarë. Rreth 16 poezi, “Vdekja e Nositit”, “Poradeci”, “Dremit Liqeri”, “Ti po vjen që prej së largu”, “Kënga Pleqërishte”, etj, interpretuar nga Kastriot Ramollari i cili vjen në skenë si një shëmbëlltyrë me veshjen karakteristike të Poradecit.

Mes valëve të detit, aktorët Yllka Mujo, Fatos Sela, Kastriot Rramollari, Rozi Kostani dhe Anila Bisha kanë interpretuar një sërë poezish të zgjedhura të Lasgush Poradecit, shoqëruar nga loja virtuoze në violonçel e Iljard Shabës dhe dy balerinët Endrit Shkoza dhe Ernet Miolli. Mbrëmja erdhi nën kujdesin regjisorial të Arjeta Dhimës dhe kostume të realizuara nga Enisa Arapi e Shpresa Bako.Ka qenë një mbrëmje e cila shënoi gjurmë në diëtët kulturore të këtij muaji, duke na rikujtuar edhe një herë forcën shprehëse dhe vargjet e shkrimtarit lasgush poradeci.

“Jo vetëm shtrirë, bëj diçka” sjell Luftar Pajën

Teatri “Bylis” ka shfaqur premierën e komedisë “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka” me protagonist Luftar Pajën. Regjisori Kiço Londo kishte parasysh portretin e këtij aktori mjaft popullor për skenën e qytetit të Fierit, kur mori në dorë komedinë e shkruar nga Michael Pertwee.

Një ministër i qeverisë britanike harton një ligj për të luftuar korrupsionin në Mbretërinë e Bashkuar, por kjo nuk e ndalon atë të ketë lidhje dashurie me sekretaren e tij, zonjushën Parkin dhe Uendin, gruan e një gazetari të njohur. Kundërshtarë të ligjit, kryesisht disa vajza hippy, rrëmbejnë mikun e ngushtë të ministrit, bashkautor i ligjit, ndërkohë që ai po martohej. Gjithçka kulmon me plane qesharake ku të gjithë kërkojnë të shpëtojnë karrierat e tyre dhe të fshehin të vërtetën.

Përkrah Pajës në rolin e Inspektorit Ruf, interpretojnë: Fatmir Xhelili (Uilliam Braun), Sotir Stefa (Beri Hobis), Mimoza Marjanaku (Xhen Fedo), Doriana Çaushaj (Zhizel Parkin), Gerta Metaj (Damina) dhe Brikena Sinanaj (Uendi). Arqile Lipe në rolin e Uillfred Potsit ka ardhur posaçërisht nga Greqia, vendi i emigrimit shumëvjeçar për aktorin e humorit. Skenografia është realizuar nga Gëzim Hajdini. Shfaqja vijon të shfaqet deri në datë 15 prill duke na sjellë çdo fundjavë ironi, të fshehta dhe interpretimin e shkëlqyer të aktorit Luftar Paja.

Regjisura shqiptare në bashkëpunim me atë franceze

Interpretojnë Luiza Xhuvani dhe emra të tjerë të filmit

Filmi më i suksesshëm i regjisorit shqiptar, një bashkëprodhim me Francën në vitin 2001, është shfaqur në Kinemanë Imperial Sheraton. Është ofertë e Pranverës së Frankofonisë. Historia e bazuar në tregimet “Parulla me gurë” të Ylljet Aliçkës është një komedi dramatike që merr shkas nga metoda e propagandës komuniste dhe rrëfen fatin kolektiv të shqiptarit nën diktaturë.

Në rolet kryesore kanë interpretuar Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Niko Kanxheri. Një film që vë në qendër jo vetëm disa nga emrat me të njohur por dhe suksesin e kinematografisë shqiptare që po provon së fundmi.

Pranvera Kulturore Greke, 10 ditë në Tiranë

Marrin pjesë artistët më të njohur shqiptarë

E kanë titulluar “Pranverë e kulturës greke në Shqipëri”, e synojnë të tërheqin interesin e sa më shumë njerëzve, duke përfshirë në këtë stinë kulturore aktivitete që lidhen me gjuhën, librin, pikturën, muzikën, fotografinë, kinematografinë.

Për të prezantuar këto aktivitete, që kanë marrë jetë në datë 19 mars, deri më 1 prill, ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, ka zhvilluar në rezidencën e tij një takim me mediat. Programi i “Pranverës greke” është hapur me ekspozitën “Greqia me sytë e piktorëve shqiptarë”, ku marrin pjesë një grup piktorësh të njohur, që sipas Pazios, trajtojnë në tablotë e tyre tema nga Greqia. Mes tyre mund të përmendim emra si Gazmend Leka, Naxhi Bakalli, Vladimir Myrtezai, Josif Droboniku, Stefan Taçi etj. Më tej ka vijuar ekspozita “Libri: Urë e kulturave”. Sipas Pazios, ekziston një mungesë njohurie në lëmin e botimeve si në Greqi, ashtu dhe në Shqipëri për letërsitë reciproke, dhe kjo ekspozitë ka shërbyer për njohjen më të mirë të autorëve modernë.

Një koncert për piano dhe flaut ka vijuar në sallën e Universitetit të Arteve. Kanë qenë dhjetë ditë të mbushura me art dhe frymëzim nga artistët shqiptarë duke vënë në fokus vlerat dhe artin grek.

Shqipëria merr pjesë në Panairin e Lajpcigut

Ditët e Panairit të Librit në Lajpcig, kanë ftuar botues të botës gjermanike dhe autorë nga mbarë bota, nën flamurin e një shteti. Edhe këtë vit Shqipëria merr pjesë në një këtë panair mjaft të rëndësishëm. Shoqata e Botuesve Shqiptarë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka zgjedhur për të prezantuar autorët Helena Kadare, Agron Tufa, Ermir Nika, Lindita Arapi, dhe Romeo Çollaku. Pa harruar shtëpitë botuese: “Onufri”, “Dituria”, “Ombra GVG”, “Argeta-LMG” dhe “Nereida” me botues që drejtojnë Shoqatën. Në fokus të Panairit të Lajpcigut, edicioni i 21, këtë vit është letërsia polake, ukrainase dhe bjelloruse, nën titullin “Tranzit”.

Janë ftuar rreth 2600 autorë, po kaq janë edhe aktivitetet, me një program të ngjeshur ku kontribuojnë artet dhe politika. Çmimi më i rëndësishëm që jep ky panair, Çmimi i Librit për Mirëkuptimin Europian 2012 ndahet mes historianit britanik Ian Kershaw dhe historianit amerikan Timothy Snyder.

TOB sjell baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”

Legjenda e vjetër rikthehet tërësisht shqiptare

 Vjen me koreografi të Agron Aliajt, libret të Ismail Kadaresë dhe muzikë të Feim Ibrahimit, orkestra dirigjohet nga Petrika Afezolli dhe në rolet kryesore interpretojnë balerinët Enada Hoxha, Gert Vaso, Greta Hushi, Elvis Abazi, Kevin Lila, Sokol Zhugri etj

Rikthehet pas 25 vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, legjenda e vjetër shqiptare, e eposit të kreshnikëve, e mishëruar në një balet “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Kjo pjesë, kanë premtuar autorët do të jetë tërësisht shqiptare në të gjithë komponentët e saj duke i bashkëngjitur çdo element tradicional. Pas aksidentit të rëndë që pësoi koreografi i njohur, Agron Alia, shëndeti i të cilit është përmirësuar ndjeshëm ditët e fundit, koreografia është vijuar nga Kujtim Hoxha, i cili shprehet se është përpjekur t’i qëndrojë rikonceptimit që kishte parasysh mjeshtri në këtë rivënie.

Kjo rivënie vjen në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku autorët shqiptarë do të kenë më shumë hapësira. “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, vjen me libret të Ismail Kadaresë dhe muzikë të Feim Ibrahimit, orkestra dirigjohet nga Petrika Afezolli dhe në rolet kryesore interpretojnë balerinët Enada Hoxha, Gert Vaso, Greta Hushi, Elvis Abazi, Kevin Lila etj.

Balerinët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit kanë interpretuar me shumë talent duke e bërë pjesën gati të gjallë. Edhe kësaj radhe protagonistë të veprës kanë qenë balerinët e mirënjohur Enada Hoxha dhe Gert Vaso të cilët janë shprehur se i kanë qëndruar besnikë linjës së koreografit, Agron Aliaj. Gjergj Elez Alia, është heroi i krijimeve më të bukura të epikës heroike legjendare shqiptare.

Orkestra e TKOB-së u dirigjua nga Petrika Afezolli, ndërsa në role të tjera të baletit interpretuan Joli Eleni Gjovreku, Greta Hushi, Dion Gjika, Sokol Zhugri, etj. Në këtë rivënie të baletit interpretojnë jo vetëm trupa e baletit të TKOB-së, por edhe nxënës të Shkollës Kombëtare Koreografike si dhe artistë të Cirkut Kombëtar.
Vepra ka katër tablo. Ajo nis me Gjergj Elez Alinë që ka nëntë vjet që dergjet në shtrat nga nëntë plagët e marra dhe ardhjen e Balozit e më pas përfundon me duelin legjendar të Gjergj Elez Alisë më Balozin, që ndonëse më nëntë plag në trup e vret atë. Por, në kulmin e gëzimit ai mbyll sytë nga plaga e dhjetë që ka marrë, mbyll sytë mes kreshnikëve të tij në krahët e të motrës.

Orion Shima josh mes natyrës dhe realitetit

Një nga ekspozitat më interesante gjatë muajit që lamë pas ishte ajo e kuratorit Orion Shima. Marrëdhënia mes artit dhe realitetit ka qenë përherë një nga problemet më të ndërlikuara për të gjithë ata që e përdorin pikturën si mjet shprehës.

Fuqia dhe aftësia e pikturës për të krijuar kode dhe gjuhë autonome e çlirojnë artistin nga detyrimi për të dhënë llogari për krijimet e veta antinatyrore dhe të çuditshme pasi, siç shkruan Bonito Oliva tek Ideologjia e tradhtaritpër të përballuar katastrofën e përgjithësuar artisti manierist e vesh veten me koracën e stilit.

Piktura e Orion Shimës e kap dhe e rrok këtë farë nevojë, që do të jetë njëra nga armët e betejës së të tëra avangardave të shekullit të njëzetë, e cila parashikon lirinë për t’u marrë me gjithçka dhe për të hulumtuar në çdo drejtim pa kurrfarë pengese a vetëkontrolli. Artisti shqiptar, në të vërtetë, ka bërë të vetin një stil shumëformësh, që dallon në secilën punë nga ndryshime të vogla, si punë degëzimesh që i lejojnë të përziejë me freski zgjidhje sipërfaqesh, të një natyre krejtësisht teknike, me një zgjedhje tematike nën shenjën e një afërsie intime me natyrën, me peizazhin, me kafshët që gjallojnë në pyje.

Nëse vepra e Shimës ka marrë hua, në ndonjë farë mënyre, në efekte dhe në teknikë nga impresionizmi i Degas-it e i Renoir-it, kjo ka të bëjë me subjektin, me atmosferën magjike gjithë shkëndijime e vezullime të një natyre të aftë për t’iu shpalosur çdo vështrimi të ndryshëm me të cilin artisti e mat veten duke gjetur hapësira të gjera lirie.

Në punët e tij natyra karakterizohet nga një atmosferë e magjepsur që të sjell ndër mend përrallat. Çdo degë është në vendin e vet, çdo kafshë lëviz e lirë duke shpalosur bukurinë e vet, gjallërinë e vet, që e tërheq si me magnet vizitorin duke e detyruar të ndalet e të sodisë.

Joshja në të vërtetë ndodh si me magji falë syrit: jo syrit të magjepsur të marinarit plak, por syrit të vëzhguesit. Shima, ç’është e vërteta, e zhvendos në mënyrë të tillë te shikuesi patosin që krijon sa nuk ka se si t’i shmangesh soditjes.

“Letra dashurie” mes Liçajt dhe Janit 

Letra dashurie” një produksion privat i vitit 2011 i drejtorit aktual të Teatrit Kombëtar të Komedisë, është kthyer në skenën e vogël për të mbushur repertorin e varfër të teatrit. Me aktorët Eni Jani dhe Neritan Liçaj, nën regjinë e Kastriot Çipit komedia ka qenë më se interesante për publikun I cili ka vijuar ta ndjekë me shumë kërshëri.

Është udhëtim përmes letrash e kartolinash që dy personazhet e Albert Ramsdell Gurney (i riu), megjithëse kanë ndjekur rrugë të ndryshme në jetë, janë mbajtur lidhur në një komunikim shpirtëror. I vetmi takim dashurie i Endrju Mejkpijs me Melisa Gardner vjen shumë vonë.