Kongresi i socialistëve miraton “revolucionin fiskal”. Rihapet debati.

Opozita bëhet protagoniste duke hapur debatin mbi taksat:

Do të paguajnë të varfrit apo të pasurit?

Socialistët shqiptarë, pas gjashtë vitesh në opozitë hodhën në tregun politik idenë e një programi ekonomik më të majtë që taton më të pasurit, duke lehtësuar nga barra fiskale më të varfrit.

Një program që lideri i opozitës e ka cilësuar si qeverisës, duke pasur si thelb të sajin heqjen e tvsh-së për produktet bazë ushqimore dhe për ilaçet.

Në fakt performanca më e re e opozitës ka rikthyer debatin politik në vend në një shtrat normal institucional, pas dy vjetësh përplasjesh dhe bojkoti institucional.

Programi i ri i PS-së, u deklamua me bujë në kongresin e fundit të selisë rozë nga lideri i saj, Edi Rama, i cili e ka cilësuar atë si mbështetës për 95% të shqiptarëve.

Kryetari socialist, gjithashtu ka hequr dorë nga largimi i kundërshtarëve të tij në parti, duke përdorur si strategji moszgjidhjen e tyre në struktura të larta.

Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, nga Kongresi i PS-së ka bërë thirrje për një “rilindje shqiptare” dhe deklamoi solemnisht se kundërshtari i tij, Sali Berisha, nuk do t’i vidhte votat për herë të tretë.

Teksa foli në mënyrë të detajuar për sa i përket programit të ri dhe ndryshimeve statutore, Rama theksoi se Berisha e kishte humbur shansin historik për të qenë një Kryeministër i të gjithë shqiptarëve.

Në këtë kuadër ai deklaroi se programi i PS-së u jepte prioritet 95% të shqiptarëve për të pasur një jetesë më të mirë, kundrejt 5%-shit që kishin të ardhura të shumta.

Në fjalën e tij, kryetari i PS-së u ndal gjatë te liria e brendshme e partisë, duke theksuar se mendimi ndryshe ishte normal në PS, por askush nuk duhej ta përdorte mandatin e tij për interesa personale.

Rama foli edhe për gabime personale që mund të ishin bërë gjatë rrugës, por theksoi se asnjëherë nuk ishte bazuar tek interesi personal, por te një e ardhme më e mirë e PS-së dhe e shqiptarëve. Kreu i PS-së shpalli dje nismën e hapjes së mëtejshme të partisë, duke rritur me 30% anëtarësisë e PS-së në vitin 2012.

Zgjedhjet

Në mënyrë eksplicite, Rama theksoi se regjimi i Berishës kishte arritur të vidhte dy herë zgjedhjet në vend, në vitin 2009 dhe në vitin 2011.

Por, sipas kreut të PS-së, kjo situatë nuk mund të përsëritej më dhe mobilizimi i socialistëve do të ishte total në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Na i torturoni përditë njerëzit tanë me plumba, dhunë psikologjike dhe përndjekje. Na keni vjedhur votat dy herë. Një herë natën dy vjet më parë dhe herën tjetër në mes të ditës, në sytë e botës.

Por nuk do të ketë një herë të tretë”, -theksoi Rama, duke shtuar se sot në pushtet është një kastë hajdutësh. “E treta e vërteta”,- citoi lideri i opozitës një thënie popullore, duke premtuar një rilindje të vërtetë të vendit përgjatë dy viteve të ardhshme.

Në këtë kuadër, Rama deklaroi, ndër të tjera, se vitin e ardhshëm anëtarësia e PS-së do të rritej me 30%, duke përfshirë në këtë parti përfaqësues nga të gjitha shtresat, të larguar dhe të rinj.

Gabimet dhe liria Në fjalën e tij përpara delegatëve të Kongresit, Edi Rama iu drejtua edhe të pakënaqurve që gjenden brenda grupit parlamentar të PS-së, duke theksuar se kishte ardhur koha që të liheshin mënjanë interesat personale dhe të gjithë të bashkoheshin në rrëzimin e regjimit të Berishës.

“Çdo socialist duhet të jetë i hapur me ata që na ndan nga e shkuara, por mund të na bashkojë e ardhmja. Lufta për borxhin publik të shqiptarëve nuk ka vend për konflikte dhe beteja meskine personale”, deklaroi Rama, duke i ftuar të gjithë për luftë të përbashkët.

Nga ana tjetër, kreu i PS-së theksoi se dhe gabimet nga ana e tij nuk mungonin, por asnjëherë nuk kishte menduar për interesa personale nëpërmjet postit si kryetar. Por, sipas Ramës, ishte e paimagjinueshme që të krahasohej liria e brendshme e PS-së me censurën e brendshme të PD-së.

“Të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë, është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë”,-ironizoi Rama. Sipas tij kishte ardhur koha për një rritje të etikës së përfaqësimit.

“Është koha e një kthese të fortë etike për një moral të lartë përfaqësimi të interesave të Partisë Socialiste dhe të popullit shqiptar”, -theksoi Rama.

Në pjesën e dytë të fjalimit të tij, Rama u përqendrua te nevoja e një zhvillimi të ri ekonomik në vend, duke theksuar se vetëm programi i ri i PS-së mund ta nxirrte vendin nga kriza.

Programi

Katër kapituj kryesorë me theks tek ekonomia, integrimi, shoqëria dhe demokracia janë shtyllat e programit të ri të Partisë Socialiste, i cili u miratua në Kongresin e 5 nëntorit.

Në thelbin e tyre, të katër kapitujt nisen nga një premisë themelore që mund të përmblidhet në togfjalëshin: Shqipëria në udhëkryq, përderisa për të gjitha pikët, socialistët premtojnë Rimëkëmbje dhe Ripërtëritje. “

Ky dokument nuk tenton thjesht e vetëm të rendisë hallet dhe problemet me të cilat përballet sot çdo shqiptar e shqiptare. Përkundrazi, në këto faqe theksi është vendosur te zgjidhja.

Parimi, i cili udhëheq këtë program, është të mos premtojmë gjithçka, por të mbajmë çdo premtim të dhënë”, thuhet në hapje të dokumentit prej 31 faqesh.

Madje duke ecur më tej, programi socialist pretendon vetëpërfaqësimin e një shprese kombëtare, përderisa sanksionon se “me energji dhe ide të reja, por mbi të gjitha me ambicien për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa ne mund të bëjmë realitet një Rilindje të Re Shqiptare”.

Në një sens krahasues me stereotipin e perceptimit të PS-së si një subjekt me përfaqësim në fragmente të caktuara të shoqërisë, programi paraqet risi jo të vogla.

Krahas veteranëve qëndrojnë edhe ish të përndjekurit, krahas taksave progresiste figuron edhe liria e sipërmarrjes shoqëruar me idenë e një roli të shtetit.

Për më tepër që një parti e majtë, si ajo Socialiste, premton sot pas 20 vjetësh pluralizmi “zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronës”.

Nëse këto janë sidomos politika që ndërtohen teorikisht mbi një vizion për qeverisjen e Shqipërisë, disa çështje që hyjnë në kapitullin e Rimëkëmbjes së Ekonomisë pasqyrojnë problemet e ngjizura nën pushtetin e shumicës aktuale.

Kështu selia rozë premton ulje të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, Shqipëri pa plehra brenda mandatit të parë qeverisës dhe vendosjen e INSTAT-it nën kontrollin e Parlamentit.

Me ripërtëritje të Shoqërisë që është kapitulli i dytë nënkuptohen disa politika, që kanë të bëjnë kryesisht me statusin social të kategorive të tilla si veteranët dhe ish të përndjekurit,

vendosjen e pensionit social për çdo shqiptar që ka moshën75 vjeç pavarësisht historisë së tij të punësimit, eliminim të punësimit të të miturve, sistem shëndetësor universal, fonde strehimi, rritje të buxhetit të arsimit në 5% të PBB-së, përfitim shtatzënie për çdo nënë që lind fëmijë, mbrojtje konsumatori dhe aplikimin e parimit “një shtet, një polici”.

Në hollësi programi flet për drejtimet kryesore ku do të përqendrohet puna në terren, por fakt është se e gjithë kjo gamë piketash e përcjell leximin e realitetit nga opozita si thellësisht të errët.

Kjo konfirmohet edhe në angazhimet e pastra politike që lidhen me sistemin, teksa PS-ja u premton shqiptarëve Rivendosje të Demokracisë, çka nënkupton inekzistencën e saj sot.

Zgjedhjet e lira, rikthim i parlamentarizmit, ndërhyrje në drejtësi, autonomi vendore dhe çmontim i sistemit të korrupsionit janë pikat bazë nga ku ekuilibri institucional të pranojë raportet ligjore dhe të mos dëmtohet nga rotacioni i mazhorancave.

Një zë në këtë pikë i kushtohet edhe lirisë së medias. Ribashkimi me Europën është premtimi më politik, por edhe më përjashtues për kontributin e shumicës së sotme, e cila akuzohet hapur për linjë antieuropiane.

Në këtë kuadër angazhimet e PS-së mbeten ato që janë thënë deri më sot nga të gjitha partitë, si partneritet strategjik me ShBA-të dhe BE-në, marrjen e statusit të vendit kandidat, reformë e thellë në shërbimin diplomatik dhe atë konsullor, duke rishikuar madje edhe praninë diplomatike të Shqipërisë në botë, si dhe votim të emigrantëve.

Berisha

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka hedhur poshtë teorinë e re ekonomike të socialistëve. “Buxheti i vitit 2012,- theksoi Berisha, do të jetë përfitim dhe për fermerët”.

Kreu i qeverisë garantoi se fermerët shqiptarë do mund të konkurrojnë me ata të vendeve të BE-së. Po kështu, Berisha ironizoi studimet e socialistëve në programin për heqje taksash.

“Të thuash që do heq taksën e miellit, por do prek bukën e grurin dhe pastaj thua jo nuk do heq të miellit por të bukës, ke gënjyer tre herë. Por, mjerë ata që tentojnë të gënjejnë shqiptarët.

Ata do t’ua presin vetë faturën”, -deklaroi Berisha duke iu referuar edhe programit të ri ekonomik të prezantuar nga kryesocialisti Edi Rama.

I ndalur tek Kongresi i PS-së, kryeministri cilësoi Kongresin si një autobus që ndjek vetëm një rrugë, ndërsa programin, një Kurban që nuk u pranua.

“Autobusi i Kongresit ecën para, drejt etërve të tyre, vetëm në atë rrugë. E cilesoi Topalli, Kurban-Kongres, por në doktrinë kurbanin duhet ta pranojë i Gjithëfuqishmi, dhe kurbani quhet kur pranohet.

Por, kur nuk pranohet shkon kot. Atij nuk ju pranua, UFO-t nuk kanë shanse të pranohen. Z. UFO nuk pranohet, tentativa e tij dështoi”, -tha Berisha.

Asambleja

Në organin më të lartë drejtues të PS-së, siç është Asambleja është vënë re një rikthim i disa figurave të vjetra, prurje të reja por edhe mënjanime të disa nga kundërshtarët e Edi Ramës.

Spikasin Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ish-ministri i Financave Anastas Angjeli, ish-deputeti Bukurosh Stafa, ish-ambasadori Bashkim Zeneli dhe ish-kreu i PS-së së Tiranës Musa Ulqini.

Selia rozë vëren si të suksesshme vendosjen e koordinatorit elektoral në çdo qendër votimi e deri në këshillin elektoral në bazë rrethi.

Detyra e tyre do të jetë patronazhimi i çdo qendre votimi, bashkie dhe komune gjatë fushatave zgjedhore dhe ditën e zgjedhjes.

Gjithashtu, një ndryshim tjetër në Statut propozohet ndryshimi i siglës së partisë, nga PSSH në PS, dhe kjo bëhet për efekte votimi, për të shmangur çdo inicial tjetër partie të majtë të ngjashme me PS-në.

Malaj

Deputetët kundërshtarë dhe kritikë me linjën e drejtimit të Partisë Socialiste nga kreu i saj, Edi Rama deklaruan se ata nuk do të largoheshin nga Partia Socialiste, duke hedhur poshtë zërat që theksonin të kundërtën.

Në emër të këtij grupi deputetësh foli dje në Kongres Arben Malaj, i cili me fjalimin e tij përfaqësoi edhe zërin e deputetëve Kastriot Islami dhe Andis Harasani.

“Të dashur delegatë, as Kastrioti, as Harasani, as unë dhe as shumë të tjerë që mendojnë si ne dhe që ende na besojnë nuk na kanë kërkuar dhe as e kemi menduar të largohemi nga PS-ja.

Jemi dhe do të jemi në PS. Modernizimi i saj, jo thjesht solidariteti dhe uniteti formal, është rruga më e mirë për të fituar zgjedhjet dhe për ta qeverisur sa më mirë Shqipërinë”, – theksoi deputeti, Malaj, në fjalën e tij.

Por deputeti i Vlorës në fjalën që paraqiti përpara delegatëve theksoi se, PS-ja duhet t’i dinte t’i përdorte më mirë potencialet e saj.

“Këto avantazhe potenciale, veniten, zvogëlohen, bëhen pasive, nis vendin e meritokracisë e zë klientelizmi, nis vendin e përkushtimit e zë servilizmi.

Organizimi dhe drejtimi i PS-së ka nevojë për vëmendjen ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të saj, ka nevojë për respekt të përhershëm njerëzor, ka nevojë për inspirim dhe promovim të gjithsecilit sipas meritës dhe jo sipas preferencave personale”, -theksoi në fjalën e tij, Arben Malaj.