Tkurrja e shpenzimeve ka prekur tashmë edhe prodhimet bazë. Konsumi ra mbi 5% vitin e kaluar. Rënien më të madhe (-21%) e patën njësitë e specializuara.

Rreziku: Ulja e prodhimit të brendshëm

Për herë të parë pas shumë vitesh, shqiptarët konsumuan më pak vitin e kaluar. Efektet e shumta të vështirësive financiare, shtrenjtimi i kostos së jetesës, ndërsa të ardhurat nuk rriteshin (përkundrazi edhe kanë rënë), por mbi të gjitha shtimi i pasigurisë për të ardhmen ka bërë që blerësit vendas të shtrëngojnë rripin. Të dhënat e fundit të tregtisë me pakicë, të publikuara nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) tregojnë se në tremujorin e tretë 2011, tregtia me pakicë ra 5.6% krahasuar me një vit më parë. Rënia ka ardhur duke u theksuar krahasuar edhe me muajt e mëparshëm të vitit.

Kjo detyroi kompanitë tregtare të reduktojnë normat e fitimit, duke mos operuar më në kushtet e mëparshme. Por rënia e konsumit nuk është arsyeja e vetme e uljes (nxitojnë të theksojmë: të pjesshme) së çmimeve. Viti i kaluar u prek nga dy faktorë të kundërt njëkohësisht: ulje e konsumit dhe rritje e ofertës.

Të dhënat e tregtisë në sasi tregojnë se importet kanë vazhduar të jenë në rritje për pjesën më të madhe të produkteve të tregtueshme, ndërsa edhe prodhuesit vendas e mbyllën vitin me rritje. E gjithë kjo situatë rriti konkurrencën, duke detyruar të nxjerrë jashtë loje disa aktorë të shitjeve me pakicë, ku “Praktiker” ishte një nga investimet më të mëdha, që shpalli falimentin në fund të vitit të kaluar. Por në fakt, mbyllja e njësive të vogla të tregtimit (dyqanet e lagjes) është po aq shqetësuese. Kjo ka ndodhur kryesisht për dyqane të produkteve ushqimore e artikuj për shtëpi, ashtu si dhe për disa dyqane të produkteve elektroshtëpiake.

Ekspertë të tregtisë pohojnë se ulja e normës së inflacionit erdhi për shkak të rënies së konsumit. Por, Banka e Shqipërisë, saktëson se ulja nuk ishte vetëm pasojë e rënies së shitjeve (konsumit). Në Raportin e fundit të Politikës Monetare, BSH vlerëson se ulja e indeksit të çmimeve erdhi edhe për shkak efekteve të ofertës. “Nga ana e ofertës, ngadalësimi i inflacionit të çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet botërore dhe qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit, u materializuan në rënie të inflacionit të importuar”, thuhet në raportin e Politikës Monetare.

Duke iu referuar ecurisë së dobët të shifrave të konsumit për vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar në raportet e saj se, “treguesit e disponueshëm, sugjerojnë se ecuria e konsumit për tremujorët në vazhdim do të jetë e ngadaltë, e kushtëzuar nga burimet e financimit dhe nga pasiguria për situatën financiare dhe për zhvillimet e ardhshme ekonomike.

 Bie konsumi në njësitë e specializuara

Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), rënia e konsumit është ndjerë thellë edhe për produktet e përditshme të konsumit. Reduktimi është vërejtur në të gjitha llojet e njësive të shitjeve, por shumë më tepër te prodhimet, ushqime, pije e duhan të tregtuara nga njësitë e specializuara. Sipas INSTAT, në periudhën korrik-shtator 2011, shitjet në këto njësi u zvogëluan gati 21% krahasuar me një vit më parë. Në njësitë tregtare jo të specializuara, kjo tendencë ka qenë më e vogël.

Tkurrja e shitjeve pranohet edhe nga pjesa më e madhe e operatorëve në treg.

Një prej kompanive më të mëdha të tregtimit dhe shpërndarjes së produkteve ushqimore në tregun shqiptar raporton rënie prej 30% të shitjeve në 2011-n, krahasuar me një vit më parë. Në gjuhën e tyre, menaxherët e shitjeve tregojnë se ka rënë “tërheqja e mallit”, duke nënkuptuar më shumë kohë për shitjen e një sasie të caktuar prodhimesh. Flasim për produkte bazë të konsumit: vezë, qumësht, miell dhe makarona. Sigurisht ata pranojnë që e gjithë kjo rënie shitjesh nuk përkon plotësisht me uljen reale të konsumit. Sipas tyre, “në rënien e shitjeve të produkteve tona, po ndikon edhe shtimi i konkurrencës. Përveçse kanë hyrë operatorë të rinj në tregtinë e produkteve ushqimore, janë forcuar edhe disa tregtarë e prodhues të mëparshëm”. Vitin e kaluar, një prej prodhuesve që forcoi pozitat në treg ishte ai i tregtimit të vezëve “Floryhen” e qumështit “Primalat”, ndërkohë që në muajt e fundit të vitit, goditja e tregtarëve me pakicë u erdhi nga rrjeti i madh ndërkombëtar “Carrefour”. Efektet e këtij të fundit, tregtarët e “vjetër” të produkteve ushqimore në Shqipëri pritet t’i përjetojnë këtë vit.

Ndryshimet e kushteve në treg i kanë nxitur kompanitë e shitjeve (shpërndarjes), të operojnë në një terren tjetër marketingu. “Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur detyra jonë përfundonte në dërgimin e mallit te tregtarët e shumicës, prej më se një viti, çdonjëri prej nesh i shpërndan prodhimet tashmë te tregtarët e pakicës”, thotë menaxheri i shitjeve të një prej kompanive kryesore të tregtimit e shpërndarjes së prodhimeve ushqimore në vend, i cili punon në kryeqytet. Për agjentët e shitjeve, puna është shtuar, ndërsa paga është tkurrur, pasi pjesa më e madhe e tyre operojnë me pagë të bazuar në shitje.

Ndërsa hija e errët e rënies së konsumit ka mbuluar gjithë tregun e blerje-shitjeve, panorama nuk është e zymtë për të gjithë operatorët. Rrjetet supermarketeve dhe hipermarketeve nuk ankohen për ndonjë rënie të theksuar të shitjeve.

Bora Pollozhani, drejtore e marketingut të rrjetit “Euromax” tregon se, “nuk vërejmë ndonjë rënie domethënëse të blerjeve”. Sipas saj, “rënia e vërejtur deri më tani është shënuar në artikujt jo ushqimorë”. Pollozhani thekson se rënia është kompensuar në vlerë reale me rritjen e konsumit në produktet ushqimore. Sipas saj, “Euromax’”nuk e sheh situatën aktuale si një rënie të konsumit, por si një rritje të tregut edhe më tej me hyrjen e
kompanive ndërkombëtare të shitjes me pakicë”.

Kur “gërshëra” ka prerë shpenzimet për prodhime jetike, është e lehtë të mendohet çfarë po ndodh me prodhimet e tjera, jo të domosdoshme, po gjithsesi të dobishme.

Që gjatë vitit të kaluar, shoqëritë tregtare raportonin ulje të theksuar të shitjeve për kategoritë merceologjie. Ato nuk klasifikohen në produkte të konsumit të shpejtë, sipas përfaqësuesve të rrjeteve tregtare ushqimore. Shkurtimin e shpenzimeve te produktet joushqimore, tregtarët e ndien që në fillim të vitit të kaluar.

Vitin e kaluar janë futur më pak mobilie e produkte elektroshtëpiake në ambientet e shtëpive apo zyrave. Prodhuesit e mobilieve të drejtuara për një treg mesatar dhe mbimesatar raportojnë rënie shitjesh prej 50% brenda një viti. Më pak duket të ketë qenë ulja e shitjeve te produktet në ofertë. Sipas INSTAT-it, shitjet për pajisje të ndryshme shtëpiake pësuan rënie mesatare në nëntë muajt e vitit 2011 mbi 5%. Sigurisht që edhe në këtë rast, ekspertë të tregtisë e vetë operatorët në treg nxitojnë të theksojnë se rënia e shitjeve nuk lidhet vetëm me uljen e fuqisë blerëse. “Shumë prej investimeve në mobilimin e shtëpive patën kulmin rreth pesë vite më parë dhe mbase duhet të presim edhe po kaq për të rimobiluar shtëpitë me pajisje të një stili të ri apo cilësie më të mirë”, thotë Mentor Hasani, sipërmarrës i një mobilierie të vogël në Tiranë. Ai shton gjithashtu, se edhe blerësit potencialë janë shumë më të vëmendshëm ndaj çmimit krahasuar me blerësit e pak viteve më parë. “Ata insistojnë të kenë një ofertë, kur kanë zgjedhur të bëjnë pagesë të menjëhershme në vend që ta blejnë me këste”, shton ai.

Shitja me këste po bëhet forma e zakonshme e shitjeve të produkteve elektroshtëpiake. Sipas drejtuesve të “Neptun”, sjellja konsumatore në blerje po ndryshon. Vitin e kaluar, blerja me kredi është rritur 50%, në rrjetin e vetëm të shitjeve që pësoi rritje. Por përfaqësuesit e këtij rrjeti, vlerësojnë se, në përgjithësi, pjesën më të madhe të shitjeve në “Neptun” e zënë artikujt e nevojës së parë dhe sigurisht ka një përgjigje pozitive ndaj artikujve në promocion. Sektori i elektroteknikës është i favorizuar për shkak edhe të zgjedhjes së prodhuesve. Futja në treg e llojeve të njëjta të prodhimeve, por me cilësie e funksione më të sofistikuara i “mban gjallë” shitjet.

Kjo është zgjidhja me të cilën po mbijeton tregu i teknologjisë në tregjet më të zhvilluara.

Rënia e shitjeve vitin e kaluar preku edhe tregun e dijes. Shitja e librave dhe revistave vlerësohet të ketë rënë mbi 2%.

Dy janë tregjet e vetme që pësuan rritje në shitje vitin që kaloi. Karburantet, gati 16% më shumë se një vit më parë dhe produktet farmaceutike dhe mjekësore (2.1%). Ekspertë të ekonomisë e vlerësojnë rritjen e shitjeve me varësinë e lartë të krijuar ndaj këtyre prodhimeve. Përveç domosdoshmërisë së produkteve mjekësore, po vazhdojnë të rriten investimet në ngritjen e klinikave private të huaja.

Të dhënat e fundit mbi tregtinë e karburantit tregojnë sa i domosdoshëm është bërë ky produkt. Madje ekspertët e tregtisë theksojnë se pesha e shpenzimeve në karburant është shumë më e lartë se ajo çka tregojnë shifrat zyrtare.

Ra indeksi, por prodhimet bazë shiten me të njëjtat çmime

Në muajin kaluar, indeksi i çmimeve të konsumit pësoi një tjetër rënie (të lehtë) krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në nivelin 1.6%. Në janarin e një viti më parë, ky tregues ishte dy herë më i lartë, sipas Institutit të Statistikave. Por po të shikojmë në tregjet e shitjes me pakicë, çmimet e prodhimeve bazë nuk vërehet të kenë pësuar ndonjë ulje të dukshme. Çmimi mesatar i një litri qumësht në muajin janar ishte 100 lekë, po aq sa një vit më parë, ndërkohë që çmimi i miellit vazhdoi të luhatet mes 70-110 lekë/kg (në bazë të cilësisë). Për vezën, çmimi ka rënë mbi 10%, sipas të dhënave të tregtisë me pakicë të furnizuara nga Ministria e Bujqësisë. Por ky produkt ka pak peshë në tregun e konsumit.

Po aq të shtrenjta sa një vit më parë janë prodhimet e stinës, fruta-perime. Në tregtinë me pakicë, brokoli kushton 290 lekë/kg dhe lulelakra 180 lekë/kg.

Konsumi, shqetësim për rritjen ekonomike

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë tri herë brenda një viti në uljen e normës së interesit, është sinjali kryesor i nxitjes për konsum. Shqetësimi i Bankës së Shqipërisë është pikërisht frenimi i ekonomisë, investimeve dhe prodhimit për shkak të një tregu të tkurrur konsumator. Rreziku i rënies së konsumit u ndie dhe u transmetua që herët nga Banka e Shqipërisë. Që në muajt e parë të vitit të kaluar, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani bëri thirrje për nxitje të konsumit, ndonëse rreziku i çmimeve të larta ishte i pranishëm. Sipas të dhënave të INSTAT-it, norma e inflacionit duke filluar nga janari deri në muajin maj, indeksi i çmimeve erdhi në rritje, duke arritur në 4.2%.
Në raportin e fundit të politikave monetare, BSH vlerëson se, “konsumi privat vazhdon të pasqyrojë sjellje hezituese të konsumatorëve në kryerjen e shpenzimeve dhe orientimin e rritur të tyre drejt kursimit. Ecuria e konsumit në vend nuk ka reflektuar plotësisht rritjen e të ardhurave të disponueshme, të gjeneruar nga rritja e pagës dhe e punësimit apo zgjerimin e burimeve të financimit, në formën e rritjes së kredisë konsumatore në vitin 2011”.

Sipas treguesve të besimit të konsumatorit do të na shoqërojë rreziku i konsumit të ulët. I ndërthurur edhe me faktorë, konsumi rrezikon të ulë më tej prodhimin vendas, siç u vërtetua edhe në pjesën më të madhe të vitit të kaluar.

Në Raportin e Politikave Monetare për tremujorin e katërt 2011 thuhet se “dobësimi i shpenzimeve konsumatore dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi, kanë frenuar kërkesën e bizneseve për të kryer investime të reja. Paralelisht me të, rritja e kujdesit të bankave në kredidhënie mund të ketë dekurajuar një pjesë të kërkesës për kredi për investime. Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë shënuar rënie gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Rritja e shpenzimeve kapitale në tremujorin e fundit të vitit pritet të gjenerojë kontribut të rritur të këtij komponenti në kërkesën agregate të fundit të vitit. Përmirësimi i kushteve të financimit gjatë vitit 2012 pritet të reflektohet në një mbështetje më të madhe të sistemit me kredi për investime dhe në një kontribut të shtuar të këtij përbërësi të kërkesës në rritjen ekonomike.

Rënia e konsumit, një “modë” europiane

Dobësimi i ekonomisë së Eurozonës është ndjerë dukshëm edhe në konsumin e familjeve europiane. Në dhjetor, një muaj i rëndësishëm blerjesh (periudhë festash) shitjet me pakicë kanë zbritur 0,4%, si në nivel mujor edhe krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e Eurostat konfirmojnë dinamikat e dobësuara që në muajin nëntor, të cilave nuk mund t’u shpëtonte tregu ynë shumë i ndikuar nga importi i këtyre vendeve.

Më zhgënjyese janë të dhënat që u përkasin tregjeve gjermane e franceze të konsumit. Në dhjetor, ekonomia e parë e Eurozonës (për nga performanca e saj) ka regjistruar rënie mujore të shitjeve prej 1,4%, e cila ndjek rënien e shënuar prej 1% në muajin nëntor. E dukshme është edhe tkurrja e shënuar në Francë, ku shpenzimet për konsum ranë 0,7% krahasuar me nëntorin 2011 dhe 3,1% krahasuar me dhjetorin 2010. Ulja e shitjeve në fundvit, në tregjet e BE-së ishte tërësisht ndryshe nga parashikimet e analistëve. Ata parashikonin një rritje prej 0.5% të shitjeve. Rënia e konsumit, sipas Eurostat lidhet më së shumti me tkurrjen e shpenzimeve në sektorin e energjisë dhe prodhimeve ushqimore.

Prirjet e konsumit vërehet të jenë të lidhura ngushtë me ecurinë ekonomike të vendit. Nëse një periudhë më afatgjatë konsumi ndikon në ecurinë e ekonomisë, në terma afatshkurtër shihet si pasojë e performancës ekonomike. Konsumi vlerësohet të ketë pësuar rënie edhe në vendet tona fqinje të rajonit të Ballkanit. Institucionet kryesore financiare të këtyre vendeve tregojnë për një ecuri ekonomike jo të njëtrajtshme gjatë vitit të kaluar. Me përjashtim të Kosovës, Turqisë e Maqedonisë, në vendet e tjera rritja ka qenë e moderuar ose negative. Në tremujorin e tretë ekonomia greke u zvogëlua me 5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, prodhimi industrial për muajt tetor e nëntor është reduktuar mesatarisht 10% në nivel vjetor, duke paraqitur një vijimësi të prirjes kontraktuese të PBB-së edhe për tremujorin e katërt. Në vendin tonë, rritja ekonomike në tremujorin e tretë ishte më e lartë se tremujori i dytë. Sipas të dhënave të INSTAT, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte 2.6% nga 0.5% që shënoi tremujori i mëparshëm.

Në të njëjtën periudhë ekonomia italiane u rrit me vetëm 0.2% në nivel vjetor dhe u tkurr me 0.2% në terma tremujorë, e ndikuar nga shpenzimet e ulëta për konsum dhe nga rritja me ritme të ulëta të investimeve të sektorit privat. Në të kundërt, Turqia dhe Maqedonia kanë regjistruar ritme të përshpejtuara rritëse të ekonomive përkatëse. Në Turqi, rritja e përshpejtuar e prodhimit industrial ndihmoi në zgjerimin e PBB-së me 8.2% në nivel vjetor. Në Maqedoni rritja e shpenzimeve për konsum dhe e investimeve agregate mundësuan rritjen ekonomike në nivelin vjetor 2.3%