Për këdo që këto kohë ka punuar online, apo ka qenë pushim i detyruar, kur të kthehet në zyrë apo njësitë e shërbimit, asgjë nuk do të jetë më njësoj.

Mbajtja e dorezave e maskave, respektimi i distancës e kritere të tjera do të shndërrojnë tërësisht mënyrën se si do të duhet të punohet e qëndrohet në zyrë e ambiente biznesi.

Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një sërë protokollesh për kategori të ndryshme biznesi, që sipërmarrjet do të jenë të detyruara t’i zbatojnë. Për bizneset me shumë punonjës është e detyrueshme matja e temperaturës, si dhe krijimi i ambienteve të veçanta për izolimin. Për bizneset që kanë më shumë se 50 punonjës është e detyrueshme të kenë një person të posaçëm që kontrollon shëndetin e personelit.

Rregullat ndryshojnë në bazë të nivelit të riskut që paraqet biznesi, por disa të përbashkëta janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga cilado kompani.

Rregullat e përgjithshme

Rregulli i parë i përgjithshëm, që duhet zbatuar nga të gjithë është që Administratori/Personi Fizik Tregtar, ose personi i caktuar kryen çdo ditë vetëvlerësimin personal dhe të personave të punësuar nëse kanë simptoma të COVID-19 sipas checklistës së miratuar. Në rast të simptomave nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127.

Të detyrueshme për t’u përdorur janë Maskat, higjienizuesi dhe dorezat, që  sigurohen nga subjekti pronar. Distanca mes personave duhet të jetë 2 metra.

Në hyrje subjekti duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve për klientët dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60%.

Gjatë pushimit apo orarit të ngrënies, duhet të shmanget grumbullimi i personave si në ambientet e subjektit, ashtu edhe në ambiente publike. Punonjësit/tregtarët gjatë punës nuk duhet të përdorin mjetet apo vendin e punës së kolegëve pa kryer dezinfektimin.

Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes, sidomos të tavolinave, banakëve, telefonave dhe çdo hapësire ku ka pasur kontakt prekje.

Bizneset me 20-50 punonjës, matet temperatura

Krahas rregullave të përgjithshme aktivitetet që kanë 25-50 punonjës që punojnë në një ambient të përbashkët të mbyllur kanë si detyrim që punonjësi i sigurisë (roje) ose një person i caktuar me urdhër mat temperaturën e punonjësve dhe të çdo personi tjetër klient në hyrje dhe dalje me termometër infrared dhe njofton menjëherë strukturat përkatëse për temperaturat me të larta se 37,5 gradë në rastet kur ka edhe simptoma të tjera të COVID-19.

Bizneset duhet paracaktojnë ambientin e karantinës së veçuar përpara fillimit të veprimtarisë. Nëse simptomat e vërejtura janë të rënda, Administratori/Personi Fizik Tregtar aktivizon protokollin e karantinimit të punonjësit si dhe merr masa për evakuimin e gjithë personelit jashtë objektit. Personeli i evakuuar jashtë objektit të mos lejohet të lërë perimetrin pa ardhur strukturat shëndetësore për të kryer vlerësimin.

Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes dhe të paktën 3 herë në ditë.

Rregulla të rrepta për udhëtimin me autobus

Për të gjithë bizneset që transportojnë punonjësit e tyre me autobus, ka rregulla të rrepta.

Në rast të vajtje ardhjes në punë me shërbim transporti me autobuzë, punonjësit ulen në anësoret e dritareve të autobuzit dhe duke lënë një hapësirë rreshti bosh pas tyre. Në autobus apo automjet duhet mbajtur detyrimisht maska dhe dorezat dhe të shamnget prekja e sipërfaqeve. Autobusi dezinfektohet dhe ajroset çdo ditë. Për lëvizjen me automjet të zbatohen masat e publikuara nga Policia e Shtetit.

Bizneset mbi 50 punonjës, person përgjegjës për shëndetin në punë   

Për ndërmarrjet që kanë më shumë se 50 punonjës përcaktohet që Subjekti detyrimisht ka të punësuar personin përgjegjës për shëndetin në punë.

Personi përgjegjës për shëndetin në punë kryen çdo ditë vlerësimin për prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn e del në ambientet e punës, përfshirë administratorin, transportuesit, shpërndarësit, palë të treta që janë pjesë e zinxhirit furnizim, shpërndarje, shitje etj. Në rast të simptomave nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127. Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të karantinohet në një ambient të veçuar të ndërmarrjes derisa të merren masat përkatëse nga shërbimet shëndetësore.

Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes dhe të paktën 5 herë në ditë. Secili punonjës kryen dezinfektimin me produktet e higjenës të tavolinave, banaqeve, telefonave dhe çdo hapësire ku ka patur kontakt prekje në fillim dhe përfundim të turnit. Produktet përdoren në përputhje me udhëzimet përkatëse nga prodhuesi/shitësi apo Minsitria e Shëndetësisë.

 

Bankat, edhe klientëve do t’u matet temperatura

Punonjësi i caktuar nga drejtori i degës së bankës/institucionit financiar mat temperaturën e punonjësve dhe të çdo personi tjetër klient në hyrje dhe dalje me termometër infrared dhe njofton menjëherë strukturat përkatëse për temperaturat me të larta se 37,5 gradë në rastet kur ka edhe simptoma të tjera të COVID-19. Asnjë person me temp 37.5 nuk lejohet të hyje në bankë/ institucion financiar.

Bankat duhet të vendosin jashtë ambienteve të tyre makineritë e prerjes së biletës së rradhës dhe monitorët informues mbi numrin e rradhës, kjo për të shmangur mosmarrveshjet midis qytetarëve si dhe kontaktet fizike e grumbullimet kaotike. Ky detyrim bie edhe mbi institucionet e tjera financiare ku shërbehen mbi 10 persona njëkohësisht.

Subjekti shërben aq klientë sa sportele arke apo shërbim klienti ka, ndërkohë që të tjerët presin jashtë në rradhë. Jashtë vendosen shenjat identifikuese të rradhës për hyrje në bankë si dhe për rradhën në bankomate. Në arkë vendoset shenja identifikuese e distancës klient-arkë.

Rekomandohet shmangia e parasë cash dhe ofrimi shërbimeve e-banking.

 

Call center me xhama mbrojtës

Subjekti call center duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis personelit të punësuar. Duke qënë se punonjësit flasin në telefon rekomandohet mosvendosja e punonjësve përballë pa xham (pexiglass) mbrojtës. Punonjësit duhet të kryejnë telefonatat vetëm duke mbajtur maskat mbrojtëse. Maskat mund të jenë të tilla që të mos pengojnë akustikën e zërit. Subjekti call center riorganizon  punën e tij me turne sipas një plani individual në mënyrë që të respektojë detyrimin e mësipërm, duke përdorur sa më shumë telepunën nga shtëpia përmes sistemeve kompjuterike dhe softwarëve përkatës, punën në distancë, ndërrime orari që iu mundësojnë dhe supervizimin e punonjësve apo përmes regjistruesve të bisedave e supervizim të mëvonshëm.

Fasoni, nga 2 metra larg

Subjekti fason duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distance prej 2 metrash midis personelit të punësuar. Subjekti fason riorganizon  punën e tij me turne sipas një plani individual në mënyrë që të respektojë detyrimin e mësipërm.

Në çdo rast të sigurohet ventilim (ajrimi) natyral të paktën 5 herë në ditë. Subjektet të marrin masat përkatëse për ndërhyrje në sistemet e ventilimit ku të kalohet në modalitetin e ajrit natyral apo përmes shtimit të dritareve.

Monitor.al