Parajsat ekzotike, të tilla si Maldive, Santo-Domingo, Tailanda, Bali në Indonezi janë destinacionet ideale, për të cilat ia vlen të shpenzohet, të paktën një herë në jetë. Agjencitë konfirmojnë kërkesa në rritje kryesisht nga çiftet e reja, për të kaluar muajin e mjaltit

Në shtator, mund të bëhen pushime ideale, mbi të gjitha nëse zgjidhet vendi i duhur. Në fillimin e vjeshtës, çmimet janë disa herë më të ulëta dhe ofertat që vijnë nga agjencitë janë shpesh bujare. Trendi i destinacioneve ekzotike duket se është kthyer sërish. Maldive, Dubai, në Santo Domingo në fakt janë destinacionet që kërkohen më shumë këtë periudhë, veçanërisht nga çiftet e reja, që duan të kenë një muaj mjalti të paharruar.
Nëse nuk doni kokëçarje dhe mos mendoni për gjë tjetër veçse për shijimin e bukurive ekzotike, atëherë duhet t’iu besoni profesionistëve që kanë oferta nga më të larmishmet.
Por, nëse jeni tipa që pëlqeni të bëni gjithçka vetë, atëherë uluni përpara ekranit të kompjuterit dhe nisni kërkimin. Në çdo rast, në ndihmë ju vjen TripAdvisor, për këshilla në lidhje me akomodimin, itineraret dhe kulinarinë.
Rregulli numër një pasi të keni zgjedhur vendin tuaj ideal është që të shihni nëse për të shkuar kërkohet vizë ose jo. Këtë informacion natyrisht e merrni në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme, ndërsa ne ju vijmë në ndihmë me disa destinacione.
Pjesa më e madhe e vizave mund të merren në ambasadën e vendit përkatës në Romë (Itali), por edhe në Londër, Athinë e Bukuresht, Sofje etj. Viza më e shtrenjtë kushton rreth 70 euro dhe është ajo irakiane që merret në Stamboll. Vështirësi ka dhe nëse do të zgjidhni ndonjë nga ato vende ku viza merret në Londër, pasi do të duhet të pajiseni dhe me vizë angleze.
Biletat e udhëtimeve drejt këtyre destinacioneve kushtojnë shtrenjtë dhe shpesh duhet të bëhen me kalime tranzit.
Në Maldive, agjencitë e sigurojnë udhëtimin me nisje nga Tirana, po kështu për në Santo Domingo; për në Dubai me nisje nga Shkupi.
Sërish këtu duhet të bëni krahasime dhe të shikoni se çfarë ju leverdis më shumë: të bëni gjithçka vetë apo t’u drejtoheni profesionistëve. Por, nëse keni vendosur të jeni dorëlëshuar, atëherë keni vetëm ‘sikletin’ e zgjedhjes.

Agjencitë: Për muaj mjalti në… Santo Domingo e Maldive
Për shumë arsye, ata zgjedhin për të pushuar në vjeshtë.
Pushuesit ekzotikë kanë filluar t’i rikthehen trendit të dikurshëm. Janë ata që kur bëhet fjalë për det, plazhe, rërë të bardhë, diell e palma e hedhin spirancën diku në Maldive, Karaibe, Abu Dhabi e Dubai, apo të tjera parajsa tropiku.
Këto janë destinacione që ia vlen t’i vizitoni pikërisht në këtë periudhë, që nuk përkojnë me sezonin tonë të lartë.
Ata që iu drejtohen agjencive turistike për destinacionet ekzotike janë padyshim të rinjtë, veçanërisht të sapomartuarit që dëshirojnë të bëjnë një muaj mjalti të paharrueshëm. Këto janë paketa të personalizuara, që agjencitë i përshtatin në bazë të kërkesave të klientëve.
Çfarë ju ofrojnë resortet dhe hotelet jashtë vendit atyre që janë në muaj mjalti? “Sapo shkon në hotel, ke një shishe shampanjë, një tufë me lule dhe dhomat janë arreduar në mënyrë të veçantë”, shpjegojnë punonjës të agjencive turistike.
Idetë dhe destinacionet janë të pafundme. Sekreti: mjafton të zgjidhni një vend që nuk mund ta harroni përgjatë gjithë jetës.
Drejtuesit e agjencisë ATHS thonë se preferencat për destinacionet turistike janë të veçanta dhe nuk kanë lidhje me turizmin e masës.
Maldivet mbeten padyshim destinacioni më i parapëlqyer nga këta konsumatorë. Paketat turistike janë të programuara për udhëtime që nisen deri nga fundi i muajit tetor. Koha e qëndrimit në të shumtën e rasteve është deri në7 net dhe në ofertë nuk ka të përfshirë fluturimet. Zgjedhja e kompanisë së fluturimit i lihet në dëshirë vetë klientit, por kjo gjë shton edhe më shumë kostot. Akomodimet janë të parashikuara në hotele me 4-5 yje e që kanë të përfshirë shërbimet e mirëqenies (Spa). Ofertat për person llogariten nga 800 euro deri në 1,400 euro.
Në përgjithësi,çmimet e ofertave tentojnë të jenë më të shtrenjta në krahasim me një vit më parë, rreth 10-15%, kjo edhe për shkak të rritjeve të kostove.
Drejtuesit e agjencisë ATHS thonë se ndër destinacionet që preferohet nga të rinjtë është edhe Dubai, me nisje nga aeroporti i Shkupit. Ata e shpjegojnë kërkesën në rritje për këto udhëtime me rritjen e standardit të jetesës për atë kategori të popullsisë, e cila mund të përballojë shpenzime të tilla.
Këto janë udhëtime që mund të bëhen një herë në jetë e që në përgjithësi janë për muaj mjalti, ku buxheti nuk është më i kufizuar sesa në pushimet e zakonshme vjetore.
Drejtuesit e kësaj kompanie thonë se ka rënie të trendit të shpenzimit. Për udhëtimet jashtë, gjatë sezonit të verës, numri i turistëve shqiptarë ka qenë më i lartë, por si volum blerjesh shifra ka ardhur në rënie – thonë drejtuesit e kësaj agjencie. Kjo sipas tyre, argumentohet edhe me rënien e çmimeve të paketave turistike, që ishin 20–30% më të ulëta, në krahasim me një vit më parë. Kjo vlen më shumë për udhëtimet drejt plazheve të Turqisë, e cila, për shkak të situatave politike dhe sulmeve terroriste, reduktoi ndjeshëm çmimet.
Por, trendi i verës ndryshon nga ai i vjeshtës. Natyra e ofertave është krejt tjetër.
Drejtuesit e agjencisë Union Travel thonë se janë më të pakta rastet kur këto udhëtime zgjidhen nga familjarë. Ofertat, sipas tyre, janë për akomodime të tipit ‘all inclusive”. Në Maldive, ata sugjerojnë udhëtimet çift për muajin e mjaltit në resortet e mrekullueshme në Male. Por, mbani mend, se në fillim duhet të bëni gjithnjë rezervimin e biletave e më pas të këshilluar edhe nga profesionistët, mund të zgjidhni akomodimin që dëshironi.
Kryeqyteti i Republikës Dominikane, Santo Domingo,është një ndër destinacionet e kërkuar për udhëtimet në çift.Ajo çka e bën të kërkuar janë plazhet me rërë të bardhë e të butë dhe koha gjithmonë me diell. Punta Cana,me plazhet më të bukura të Republikës Dominikane, ofron peizazhe që të lënë pa frymë, ndërsa kultura ka gjurmë të thella të ndikimit kolonial spanjoll. Ofertat për qëndrime deri në 7 net për person përfshijnë akomodime në hotele me katër apo pesë yje dhe llogariten nga 1,300 euro deri në 1,700 euro për person. Në këtëçmim përfshihet fluturimi me avion vajtje/ardhje, akomodimi në hotel me shërbim “all inclusive”, viza, ndërsa transferimi nga aeroporti për në hotel dhe anasjelltas është opsional. Por, për të përfituar nga këto oferta, agjencitë shprehen se rezervimet duhet të bëhen 4-6 javë më parë.
Nëse dëshironi që muajin e mjaltit ta kaloni në Bali të Indonezisë, agjencitë ofrojnë paketa turistike ku përfshihet: bileta e avionit vajtje-ardhje, akomodimi në hotel me 5 yje për 6 net, mëngjesi dhe darka për rreth 1,800 euro për person.
Të sapomartuarit do të dashurohen me bukurinë ekzotike dhe kulturën tradicionale të këtij ishulli.
Ofertat e agjencive vazhdojnë me destinacione të tilla, si:
Tajlanda, e cila njihet ndryshe si toka e buzëqeshjeve dhe për trashëgiminë e mahnitshme budiste. Paketat ofrohen zakonisht për 7 net dhe në të përfshihet: fluturimi, transfertat, hoteli, guida në anglisht. Periudha më e përshtatshme për të udhëtuar në këtë destinacion është fundtetori deri në muajin mars. Për një person,çmimi është 1,500 euro dhe akomodimi bëhet në hotele me 3 apo 4 yje. I përfshirë është vetëm mëngjesi, ndërsa për transfertat dhe guidat duhet të paguani shtesë nga 65 euro për person.
Kuba, gjithashtu mund të bëhet një zgjedhje e juaja. Është vendi ku njerëzit përballen me një kulturë ndryshe. Ka shumë gjëra që mund të shohësh nëse vendosni ta vizitoni dhe kjo varet edhe në kohën që do të keni në dispozicion. Një ndër atraksionet kryesore është kryeqyteti Havana, ku mund të admironi ndërtesat e bukura me stil spanjoll, trashëgimi e periudhës koloniale, makina të cilësisë së mirë, sheshe elegante. Mënyra më e mirë për t’i shëtitur të gjitha këto është në këmbë dhe sigurisht një kredhje në plazhet e Varaderos, një nga destinacionet që s’duhet humbur. Paketat ofrojnë qëndrime që minimalisht nisin nga 7 net në hotele me 3 apo 4 yje, ku çmimet fillojnë nga 1,300 euro deri në1,700 euro. Në këto çmime përfshihet fluturimi me avion vajtje-ardhje direkte nga Italia (Roma ose Milano), transfertat si dhe akomodimi i tipit
‘all inclusive’, viza kubane dhe asistenca me përfaqësues nga agjencia. Por, ju duhet të mbuloni shtesë shpenzimet për fluturimet nga Rinasi për në Itali dhe anasjelltas.
Një tjetër sugjerim, që mund ta shtoni në listën tuaj të dëshirave (mundësive) është edhe Hong–Kongu. Agjencitë mundësojnë oferta të personalizuara për qëndrime nga 7 deri në 10 net, ku çmimet për person nisin nga 1,100 euro deri në 1,400 euro. Në të përfshihen fluturimi vajtje-ardhje, akomodimi në hotel, mëngjesi dhe viza.
Seycheles, është gjithashtu një destinacion ideal për pushimet tropikale. Përbëhet nga 115 ishujt më të vjetër oqeanikë në botë dhe ndodhet në pjesën perëndimore të Oqeanit Indian. Çmimet për këtë destinacion nisin nga 700 deri në 1,500 euro për person, për qëndrime deri në 7 net dhe për akomodim në hotele apo vila të vogla prej druri.

Në minutë të fundit
E nëse asgjë prej këtyre nuk ju vjen në ndihmë, atëherë mos përjashtoni edhe mundësitë e ofertave të minutës së fundit që mund t’i gjeni individualisht, si në lastminute.com.
Mund të zgjidhni të shkoni në Minorca, me nisje nga Aeroporti i Milanos për 7 net, duke filluar nga 504 euro, me shërbim ‘all inclusive’, ose për në Detin e Kuq, Kenia, Zanzibar apo Karaibe.
Kompanitë ajrore deri në fund të muajit shtator ofrojnë tarifa konkurruese: për në NjuJork, duke filluar nga 438 euro; Mauritiusnga 864 euro; Seychelles nga 698 euro; Bali nga 743 euro; Bangkok nga 498 euro; Xhakarta nga 529 euro; Manila nga 598 euro; Perth nga 999 euro, Fuket nga 573 euro; Seul nga 663 euro; Shangai nga 558 euro.
Mos e përjashtoni mundësinë për t’u nisur edhe nga aeroporti i Prishtinës apo Shkupit, edhe pse duhet të ndërroni më shumë avionë deri në destinacionin final. Kompanitë e fluturimeve me kosto të ulëta ofrojnë bileta udhëtimi me çmime të favorshme dhe kjo mund të jetë një bonus për pushimet tuaja.
Gjëja kryesore që duhet të mbani në konsideratë është që të mos i rezervoni biletat e avionit dhe hotelin në momentin e fundit, por dy-tre muaj më herët.

…sipas TripAdvisor
Tanzania është një nga destinacionet e shumta turistike që ofron mundësinë për të shëtitur në vende të veçanta, duke shpenzuar pak. Në brendësi të kontinentit afrikan, kjo parajsë është e përshtatshme për të gjithë ata që duan malin e ku mund të ngjisin majat e Kilimanxharos. Si alternativë mund të vizitoni vendet e pandotura nga industrializimi, si Ngorogoro dhe Serengeti.
Udhëtimi në këtë destinacion favorizohet nga kursi i këmbimit me euron, jetesa jo shumë e shtrenjtë dhe çmimet e fluturimeve vërtet të ulëta (rreth 200 – 300 euro). Brazili është i njohur për plazhet e bukura, natyrën e veçantë dhe klimën e nxehtë edhe gjatë stinës së dimrit. Gjatë ditës mund të relaksoheni në plazh, por mund të vizitoni edhe muzetë, të njihni vende të reja apo të ushtroni sporte të ndryshme.
Gjatë natës mund të shijoni jetën e gjallë braziliane. Është një destinacion ekzotik, që futet te kategoria e pushimeve me kosto të ulët, sepse çmimet e favorizojnë këtë.
Përjashtim bën vetëm bileta e udhëtimit, pasi është e lartë, varion nga 800 deri në 1,000 euro.
Indonezia është një rajon me vullkane, plazhe të virgjra dhe natyrë mbresëlënëse. Përfshihet në destinacione ekonomike, sepse aty ushqimi kushton shumë lirë, çmimet janë 50% më të ulëta në krahasim me destinacione të tjera. I favorshëm është edhe kursi i këmbimit valutor. Çmimet e biletave për të udhëtuar në këtë destinacion variojnë nga 700-800 euro. Mund të kërkoni për oferta të volitshme mes agjencive ajrore.
Mes destinacioneve ekzotike mund të zgjidhni edhe Malajzinë,e cila dallohet për peizazhet e mrekullueshme, kontaktin e afërt me botën shtazore, për nivelin e lartë të teknologjisë, për veprat e mrekullueshme arkitekturore, që vlerësohen ndër më të bukurat në botë.
Malajzia ju ofron mundësinë që të vizitoni vende të virgjra, të pandotura.
Përfitimet në kosto janë kundrejt ushqimit, i cili është mjaft i lirë, por edhe akomodimi. Sa u përket çmimeve të biletave të udhëtimit, ato variojnë nga 800-900 euro. Prenotoni herët që të mund të merrni oferta konkurruese.