Kur ende debati për futjen në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar tek biznesi me xhiro mbi 2 milionë lekë është në kulmin e tij, qeveria ka vendosur të bëjë një tjetër ndryshim  Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të vogël bënë me dije se pragu për ndarjen e biznesit të vogël nga ai i madh do të ndryshojë duke shkuar nga 8 milionë lekë në 10 milionë lekë. Sot  ata që kanë xhiro nga 5 në 8 milionë lekë paguajnë 5 për qind ndërkohe që mbi këtë shumë niveli i takës është 15 për qind.

“Nga 5 për qind, në 15 për qind, kjo bën që shumë prej jush gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan jetojnë nën stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme. Këtë çështje ne mendojmë se ka ardhur koha ta adresojmë në mënyrë që asnjë biznes i vogël të mos gënjejë. Tavani do të rritet mbi 100 milionë” tha Rama.

TVSH-ja tek biznesi i vogël

Rama dhe  Ahmetaj shpjeguan edhe një herë se nuk do të ketë rritje të kostos nga futja në TVSH e biznesit të vogël dhe se synimi është kontrolli i zinxhirit me fokus biznesin e madh.

“Do të jetë një deklaratë shumë e thjeshtë me 4 ose 6 kuti të thjeshta që nuk ju kërkon të keni kontabilist, as të keni llogari të detajuara dhe ato do i mbani për vete dhe do ju bëjë të mundur të keni një deklarim të thjeshtuar që tju pozicionojë në zinxhirin e transaksionit” tha Ahmetaj

Biznesi nga ana tjetër ka përdorur si argument se nuk është vetëm futja në TVSH ajo që po e falimenton por edhe kostoja e pajisjeve fiskale, mirëmbajtja e tyre, taksat që aplikohen nga bashkitë.

“Erdha këtu për TVSH dhe për të diskutuar lidhur me gënjeshtrat dhe me si të dalim nga bota e gënjeshtrave duke ndihmuar biznesin e vogël të relaksohet lidhur me tavanin. Unë po ju them pak fjalë. E para dëgjova që janë rritur taksat. Më thuaj një që është rritur? Më thuaj çfarë takse u rrit për biznesin e vogël? E vërteta është që taksat janë ulur dhe këtu flas për taksat kombëtare, tarifat e bashkive duhet ti diskutojmë më vete. Nëse doni të bëni takim me kryetarët e bashkive unë jam i gatshëm të  vij dhe t’ju them atyre çfarë mendoj. Ama qeveria që unë drejtorja ka ulur taksat. Taksa e  biznesit të vogël u bë zero deri në 5 milionë dhe u bë 5 për qind deri në 8 milionë.   Sot kemi shumë më tepër biznese të vogla seç kishim para 4 vite e gjysmë. Janë mbyllur biznese por edhe janë hapur se ky është proces kudo në botë. Llogaria është re thjeshtë sot kemi më shumë biznese, dhe kemi më shumë konsum. Nuk ka rënë fuqia blerëse” tha Rama.