Më shmë se 800 milionë fëmijë në të gjithë botën nuk janë në gjendje të lajnë duart e tyre në shkollë, sipas një raporti të përbashkët të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Udhëzimet për rihapjen e shkollave gjatë pandemisë së Covid-19 theksojnë nevojën e higjienës personale për të zvogëluar transmetimin dhe rekomandojnë që shkollat të zbatojnë larjen e rregullt të duarve, midis masave të tjera.

“Sidoqoftë, në 60 vendet e identifikuara me rrezik më të lartë të shëndetit dhe krizës humanitare për shkak të Covid-19, një në dy shkolla nuk kishte shërbimet themelore të ujit dhe kanalizimeve dhe tre në katër nuk kishin shërbime themelore të larjes së duarve në fillimin e pandemisë,” thuhet në raport.

Ka 818 milionë fëmijë në botë, të cilët nuk kanë akses në larjen e duarve në shkollë.

Nga ata fëmijë, 355 milionë, kryesisht në Afrikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore kanë qasje vetëm në përdorimin e ujit, por jo të sapunit, ndërsa pjesa tjetër prej 462 milionë fëmijë nuk kanë farë akses në larjen e duarve.

Mbi gjysma e fëmijëve pa qasje në larjen e duarve jetojnë në Afrikën nën-Sahariane.

Gati 70 për qind e shkollave kishin shërbime themelore të ujit të pijshëm, por kjo ende linte 584 milionë fëmijë në të gjithë botën pa akses në ujin bazë të pijshëm në shkolla, thuhet në raport.

Shumë prej tyre jetojnë në Afrikën nën-Sahariane, kryesisht në: Etiopi, Nigeri dhe Republikën Demokratike të Kongos.

“Qasja në shërbime të ujit, kanalizimeve dhe higjenës është thelbësore për parandalimin dhe kontrollin efektiv të infeksionit në të gjitha mjediset. Duhet të jetë një fokus kryesor i strategjive qeveritare për rihapjen e sigurt dhe funksionimin e shkollave gjatë pandemisë globale në vijim”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së./CNN