Këngëtari rrëfen ndarjen nga grupi “Burn”, bashkëpunimin me Gjergj Kaçinarin surprizën me Sandër Gjokën tek“Kënga Magjike”

Ai është një nga këngëtarët e rinj më të spikatur të rrymës rrok. E, kjo jo rastësisht pasi kënga është e trashëguar në genet e tij.  Madje supriza e tij e radhës është një premtim i bërë prej kohësh. Sivjet në festivalin “Kënga Magjike” ai këndon bashkë me Aleksandër Gjokën një këngë hard-rrok. Ky fillim vjeshte ka qenë plot ndryshime për djalin e preferuar të netëve “live”. Ai është shkëputur nga grupi i tij “Burn” për të krijuar një bandë të re, pjesë e së cilës është edhe djali i Alfred Kaçinarit, Gjergji. Një bashkëpunim që në thelb ka talentin, po sigurisht edhe miqësinë për të cilën Renisi tregon se nuk preferon shumë ta përziejë me punën. Në këtë bisedë të gjatë për revistën “Shqip” Renisi preferon të flasë pak përtej problemve të muzikës në Shqipëri apo projekteve muzikore. Ai rrëfen copëza të përditshmërisë dhe jetës së tij, e cila përherë është e lidhur me jetën e natës. Ama, Renisi ndryshe nga çdo rroker tjetër nuk pëlqen të flasë shumë për lidhjet e tij me femrat. Në këtë pikë mbetet i rezervuar dhe shpjegon se jeta e tij private vazhdon të mbetet e tillë pasi, “nuk marrë njeri në telefon që të më bëjë foto, dhe kaq”,- thotë ai. Megjithatë disa sekrete të vogla ai i ka zbuluar për ne, edhe pse të fshehura shpesh pas ndonjë buzëqeshjeje.

Intervista

Renis, këtë verë jeni larguar nga banda juaj “Burn” dhe keni vazhduar karrierën në një bandë të. Përse kjo lëvizje?

E kam thënë edhe në intervista të tjera. Çdo gjë ka një cikël të caktuar. Them se kishte ardhur momenti për të filluar një cikël të ri për karrierën time.

Si i keni marrëdhëniet me djemtë e ish-grupit tuaj?

Shumë të mira.

A vazhdoni të jeni miq edhe pas ndarjes?

Sigurisht që po.

Në grupin e ri keni marrë edhe një nga talentet e zbuluara për publikun në “The Voice”, Gjergj Kaçinarin. Çfarë mendon se mund të jap ndryshe ai?

Gjergji është një super talent përveç të tjerave. Ai është vetëm 18 vjeç dhe kur bisedon profesionalisht apo luan muzikë me të, duket sikur ke në krah një profesionist shumë më të rritur në moshë. Është një figurë e dashur për të gjithë e një djali të ri, që unë jam i bindur se në të ardhmen do të jetë një nga figurat kryesore të muzikës shqiptare.

Bëhet më e lehtë apo më e vështirë të punosh me dikë që e ke mik?

Unë pak a shumë kam arritur të mos i përziej miqësinë me punën. Kështu që mendoj se gjithkush që e bën këtë pakt me veten, është më i predispozuar të mos ketë ngërç e të ketë më shumë ecuri në punë.

Keni thënë se do të keni së shpejti një këngë me Sandër Gjokën. Kur do të vijë ajo?

Nuk ka shumë që e kam konfirmuar edhe në faqen e rrjetit social Facebook. Me Sandrin do të jemi prezent në këtë edicion tek “Kënga Magjike”. Është një këngë e stilit hard–rock. Kaq dua të them për momentin. Të tjerat do t’i shihni dhe dëgjoni kur të vijë radha jonë për t’u prezantuar.

Ndërkohë  keni ripunuar këngën “Ajo” së bashku me Gjergjin.  Keni në plan dicka të afërt, ndonjë klip apo single?

Jo! Kënga “Ajo” në versionin akustik, ka qenë një dëshirë e imja e hershme. Erdhi momenti tani dhe mendova që ta këndoja me Gjergjin, pasi doja që edhe ai të jepte diçka nga stili i tij. Nuk kemi në plan asnjë klip, pasi mendoj se ky realizim duhet të mbetet në kontekstin e një dëshire të realizuar. Ku i dihet, në të ardhmen mund të bëjmë një këngë fringo të re dhe atëherë mund të mendohet edhe për një klip.

Renis ju jeni një nga këngëtrët më aktiv në jetën e natës. Ia vlen  të këndosh live në Tiranë?

Sigurisht që ia vlen. Të mos ia vlente, nuk do të humbisja nëntë vjet nga jeta ime duke bërë të njëjtën gjë.

Si janë ofertat sidomos në periudhën e dimrit ku çdo gjë rrotullohet rreth kryeqytetit?

Pak a shumë është krijuar një farë stabiliteti në oferta prej kohësh. Të them të drejtën nuk është më problem. Jo vetëm për mua, por edhe për shumë nga artistët e tjerë që kanë kohë që këndojnë live.

Cilat këngë preferon më shumë publiku?

Varet nga ambienti. Ka ambiente që preferojnë më shumë këngë shqiptare, ka ambiente që preferojnë më shumë këngë më të rënda. Këtu futet edhe pak nuhatja në punë.

Shumë këngëtarëve që këndojnë live kanë thuajse të njëjtin repertor këngësh. Kush e bën diferencën sipas teje?

Diferencën e bën cilësia muzikore, vokale… Gjithashtu edhe kontributi që artisti ka dhënë në krijimtarinë e tij personale. Pra, ai që ka bërë edhe këngë të vetat, duke mos ngelur vetëm në atë përkufizimin: “Ky që këndon shumë bukur këngët e të tjerëve”

A janë bërë pak monotonë këngëtarët e live-it kur dëgjon në të gjitha lokalet të njëjtat këngë? 

Nuk do të thoja, pasi gjithsesi është muzikë e gjallë. Si e tillë asnjëherë nuk është njëlloj, ndryshe nga muzika me playback.

Nuk ke preferuar kurrë të jesh pjesë e faqeve rozë për jetën private. Si ke mundur t’i shmangësh gazetarët apo fotografët?

Nuk marrë njeri në telefon që të më bëjë foto, dhe kaq (qesh).

Mendon se jeta private arrin të shesë deri diku edhe artin që bëhet?

Sigurisht. Por ka dhe një logjikë që këtu tek ne nuk është se funksionon shumë. Duhet të japësh kontribut të mirë në anën profesionale tënden, që kur të flasin për jetën private, edhe kjo temë të ketë lezetin e vet. Këtu ndodh shpeshherë që të ketë artikuj të jetës private të dikujt që publiku nuk ia ka idenë se më çfarë merret J.

Beson tek dshuria me shikim të parë?

Absolutisht jo.

Ke menduar ndonjëherë se çfarë do të kishe bërë nëse nuk do të bëje muzikë?

E kam thënë edhe më parë. Çfarëdo që mund të bëja, me siguri do të ishte një profesion shumë i vakët pasi do ndihej mungesa e artit.

Renis si mund ta ndryshojë artisti botën sipas teje?

Sigurisht me artin që bën. Artistët pothuajse gjithmonë kanë luajtur rolin kryesor në ndryshimet që kanë ndodhur në botë.

Cili është fenomeni që të tërheq më tepër vëmendjen në realitetin shqiptar?

Hipokrizia? Servilizmi? J.

Dita jote perfekte si është?

Për ta bërë një ditë perfekte mbase nuk duhen shumë detaje. Unë them që mund të mjaftojë të kesh qetësinë shpirtërore. Me të, më pas vijnë edhe energjitë pozitive për të bërë gjëra të bukura. Dhe kështu pa e kuptuar, dita jote u bë perfekte J.

E ke frikë vetminë?

Frikë jo, por nuk e kam qejf. Edhe pse duhet ta pranoj, që shpesh herë e kam pasur edhe të nevojshme.

Koha ideale për t’u martuar, cila është?

Koha kur ti i ke të gjitha mundësitë emocionale, ekonomike etj. Të mundësh t’i ofrosh partneres dhe fëmijëve të tu në të ardhmen gjithçka që ata duan.

Personazhi më i dashur i filmave të animuar?

Nuk më vjen tani. Mbase Mark Lenders tek Holly&Benji J.

Një këngë që të bën të qash?

Nuk kam qarë ndonjëherë duke dëgjuar këngë.

Seks apo dashuri?

Të dyja bashkë.

Ke pasur shpesh“one night stand”?

Hahahahaha…