Unë jam një shqiptare që, si qindra mijëra të tjerë duke mos mundur të gjejmë mundësi në vendin tonë, kam marrë rrugët e botës!

Të nderuar shqiptarë, përmes këtij shkrimi do të doja të merrja vëmendjen tuaj, të njerëzve të thjeshtë, intelektualëve , atyre që duan zhvillimin e vendit tonë dhe mbi të gjitha Rinisë! Si thotë dhe Milton Friedman “sa më shumë burokraci të ketë një organizatë, aq më e madhe do të jetë puna e kotë që do të përpiqet të zëvendësojë punën e duhur”. Kjo ëshë tipike për shumë vende të prapambetura!

Le të përpiqemi ta shmangim punën e kotë.
Ju drejtohem ju dhe të gjithë atyre që mendojmë se bashkë mundemi të bëjmë Shqipërinë tonë një vend ndryshe, një vend me perspektivë dhe zhvillim. Jam munduar që përmes kësaj të jap edhe unë një ndihmesë të vogël dhe një ide fillestare, por që ndoshta nga njerëz kompetentë dhe profesionistë mund të bëj shumë për vendin tonë!

Ngecja e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit e deri sot, (për faj të të gjitha qeverive që nga 1992) ka treguar qartë se në vendin tonë asnjëherë nuk është zhvilluar një projekt konkret dhe i studiuar mirë si të dalim nga ky ngërc dhe të fillojmë të mendojmë për disa dhjetëra vite të fuqziohemi ekonomikisht.

Dhe siç ka thënë dhe Kamy “kur të jemi të gjithë fajtorë, do të kemi demokraci”. Dhe ka disa gabime të cilat duhet të na bëjnë fajtorë të gjithëve për këtë zhvillim të ngadaltë.
Sot në botë disa vende të fuqishme llogariten si shtete me zhvillim të madh ekonomik. SHBA, Gjermania, Franca dhe ekspansioni kinez jo rastësisht janë ku janë dhe aty i ka sjellë fuqia ekonomike. Mendoj se ne kemi nevojë të kalojmë nga fuqia punëtore në fuqi mendore, sepse ne nuk i kemi pasuritë natyrore të SHBA-së, Rusisë, Kinës apo shteteve të tjera dhe që pastaj ekonominë dhe zhvillimin tonë ta mbështesim në to.

Unë besoj se ne kemi nevojë që rininë tonë dhe ato resurse që kemi t’i orientojmë drejt zhvillimit intelegjent ekonomik. Rinia jonë mbetet resursi më i dobishëm që kemi. Por fatkeqësisht rinia jonë nuk do mbetet e re përgjithmonë dhe Shqipëria po e humb përmes mos investimit dhe emigrimit.

Qeveria shqiptare duhet të mendojë urgjentisht zhvillimin e sektorëve ku rinia mund të jap ndihmesë të jashtëzakonshme, e duke parë zhvillimet botërore ku Teknologjia Informative duhet të jetë një ndër synimet parësore.
Një plan 10-vjeçar të shkollimit adekuat duke krijuar, ndërkohë platforma të ndryshme pune në këtë sektor fitimprurës mund të jetë çelësi i zhvillimit të Shqipërisë.

Angazhimi i kompanive të mëdha teknologjike ndërkombëtare duke iu ofruar kushte për punë dhe lehtësira fiskale për të punuar në Shqipëri do të ishte një ndër rrugët që do të ndihmonte në shkollimin dhe përgatitjen e rinisë sonë në këtë sektor.

Mijëra të rinj sot në Shqipëri gjenerojnë të ardhura përmes platfomave të ndryshme e rrjeteve sociale. Mund të jenë edhe miliona euro të hyra informale që nuk kanë asnjë kontroll dhe në këtë rast duke ju krijuar mundësi shtetit jo vetëm që zbut papunësinë, krijon të ardhura, por edhe mund të zhvillohet në një shtet të fuqishëm dhe me ekonomi të zhvilluar duke bërë që edhe gjigantë të industrisë të zgjedhin Shqipërinë për shkak të këtij sektori.

Dhe unë e di, nëse parashikohen katër mënyra të mundshme që diçka të shkojë keq dhe parandalohen, menjëherë shfaqet një mënyrë e pestë, por ne së bashku mund të gjejmë dhe zgjidhjen e gjashtë. Unë thjesht dua të jap një ndihmesë të vogël për një lëvizje të madhe që mund të bëj ndryshim!

Le të kontribojmë të gjithë në ndryshimin e situatës ekonomike në vendin tonë! Sepse edhe unë si ju mendojmë si At Gjergj Fishta: Edhe hâna do t’a dije, edhe dielli do t’ket pa, se përqark ksaj rrokullije, si Shqypnija vend nuk ka”!

* Nga Silvana BEGAJ, pedagoge në Suedi