Ndërsa numri i lindjeve në Shqipëri nga viti në vit ka pësuar rënie, një evidencë e mbështetur nga statistikat e INSTAT është padyshim rritja e numrit të aborteve.

Në vitin 2018, vërehet një rritje e numrit të aborteve (4,6 % ), rritje kjo e raportuar si në abortet spontane, por edhe ato të ndërprera vetë.

Sipas statistikave, shumica e aborteve në vend kryhen nga femra të grupmoshës 20-34 vjeç (rreth 66,6 % kundrejt numrit total të aborteve), kurse femrat e grupmoshës mbi 35 vjeç përbëjnë rreth 27,0 % të numrit total të aborteve. Abortet vihen re më pak tek femrat adoleshente të grupmoshës 14-19 vjeç (4,2 %) .

INSTAT thekson se vihet re që numri i aborteve është i lidhur me moshën, si dhe me nivelin arsimor të gruas.

Pothuajse gjysma e aborteve vihen re tek femrat me një nivel të ulët arsimor (42,5 % me arsim fillor ose 8-vjeçar), ndërkohë që femrat me arsim të lartë kryejnë rreth 24,1 % të aborteve.

Pamundësia ekonomike është një tjetër faktor që ka nxitur rënien e numrit të lindjeve, por edhe një nga arsyet kryesore që një grua merr vendimin për të ndërprerë një shtatzëni. Ekspertët e fushës psikologjike pohojnë edhe shtimi i familjeve me 1 fëmijë, model i ri në shoqërinë shqiptare. Kjo mendohet se ka nxitur marrjen e vendimit për ndërprerjen  e shtatëzanive viteve të fundit. Një tjetër arsye raportohet të jetë edhe përzgjedhja e gjinisë.

Prof. dr. Arjana Muçaj pohon për “Monitor” se aborti në Shqipëri është parë gjithmonë si një plagë e shoqërisë, sepse në vitet e komunizmit, ai ndalohej me ligj dhe mund të kryhej vetëm në rastet kur rrezikohej jeta e nënës.

“Në një shoqëri ku problemet ekonomike dhe sociale janë shumë të pranishme, kuptohet që ndonjëherë kjo nuk është një zgjedhje e lehtë për nënat që abortojnë. Shpesh, kushtet në të cilat ato jetojnë dhe pamundësia për një zhvillim më të mirë të mirërritjes së fëmijëve, i bën të pashpresa për të ardhmen”, – thotë prof. Dr. Muçaj.