Një raport zbuloi se shëndeti mendor i adoleshentëve kërcënohet nga përdorimi i madh i rrjeteve sociale

 

Një studim i Education Policy Institute dhe The Prince’s Trust zbuloi se mirëqenia dhe vetëvlerësimi ishin të ngjashme te të gjithë fëmijët në shkollën fillore. Mirëqenia e djemve dhe e vajzave preket në moshën 14 vjeç, por shëndeti mendor i vajzave goditet më fort – sipas studimit. Edhe mungesa e aktivitetit fizik është një tjetër faktor – i përkeqësuar gjatë pandemisë, shkruhet në studim.

Sipas studimit:

-Një në tre vajza ishte e pakënaqur me aspektin fizik në moshën 14 vjeç krahasuar me një në shtatë vajza në fund të shkollës fillore.
-Numri i të rinjve të prekur, me shumë gjasa, nga sëmundje mendore është rritur në raportin një në gjashtë krahasuar nga një në nëntë të rinj në vitin 2017.

Niveli i mirëqenies te të dyja gjinitë zvogëlohet në adoleshencë, gjatë së cilës vajzat preken më fort. Megjithatë, sipas studimit, vetëvlerësimi dhe mirëqenia e vajzave stabilizohet kur ato hyjnë në adoleshencën e vonë, ndërsa vijon të ulet për djemtë.

 

“Ngushëllim ose pjesë e komunitetit”

Përdorimi i madh i rrjeteve sociale ishte i lidhur me mirëqenien dhe vetëvlerësimin negativ, pavarësisht gjendjes mendore të një të riu, me vajzat të cilat përjetojnë depresion dhe dëshpërim. “Ata që ndihen më keq mund t’u drejtohen rrjeteve sociale, për të gjetur ngushëllim dhe për t’u ndier pjesë e komunitetit” – tha dr. Amy Orben, kërkuese në Emmanuel College, University of Cambridge. “Nuk është një vakum, funksionon në të dyja kahet”. Studimi përdori të dhënat e 5000 të rinjve në Angli, nga Millennium Cohort Study.

Në nëntor u përdorën gjithashtu edhe fokus-grupe për të analizuar pasojat e pandemisë së koronavirusit te këto mosha. Studimi gjeti se te gjendja mendore e të rinjve ndikojnë edhe të ardhurat e familjes, ushtrimet fizike dhe shëndeti jo i mirë i nënës.

Por ushtrimet fizike kishin ndikim pozitiv te të dyja gjinitë – shkruhet në raport. “Pjesëmarrja në aktivitete sportive ka rënë në mënyrë të ndjeshme për shkak të mbylljes së shkollave dhe izolimit, duke ndikuar me shumë gjasa te mirëqenia dhe shëndeti mendor”. Të rinjtë duhet të kenë gjithashtu akses më të mirë te burimet për mbështetje në shëndetin mendor dhe aktivitetet fizike.

“Periudha e tranzitit nga fëmijëria në adoleshencë mund të jetë e trazuar. Rezultatet e këtij studimi nënvizojnë se përballimi dhe mbështetja e shëndetit mendor të të rinjve do të bëhet edhe më e rëndësishme për shkak të pandemisë së koronavirusit” – tha Jonathan Townsend, drejtues ekzekutiv i The Prince’s Trust.
“Të rinjtë janë ndër më të prekurit nga pandemia, për këtë arsye është më e rëndësishme se kurrë që ata të ndihmohen gjatë kësaj kohe kritike në jetën e tyre”.

Burimi: BBC