Deri vonë, qytetet e mëdha të botës ishin të pandalshme. Çdo vit, qytete si Nju Jorku, Londra dhe Parisi pasuroheshin dhe populloheshin gjithnjë e më tepër. Që nga fillimi i shekullit, këto metropole kanë kapërcyer rënie drastike të dotcom, një krizë financiare, sulme terroriste dhe populizëm politik, pjesërisht të shkaktuar nga mëria për pasurinë dhe arrogancën e tyre. A mund të jetë duke shteruar rritja magjike e këtyre qyteteve?

Ekzistojnë arsye për t’u shqetësuar, shkruan The Economist. Covid-19 goditi më rëndë pikërisht qytetet më tërheqëse, globale – pamjet e të cilëve i gjejmë të publikuara ngado. Megjithëse në Nju Jork banon vetëm 3% e popullsisë së Amerikës, ai regjistroi 19% të vdekjeve nga koronavirusi. Një në katër vdekje në Francë ishin në Paris dhe rrethinat e tij. Edhe teksa po hiqen masat bllokuese, kufizimet e udhëtimeve ndërkombëtare dhe frika nga infeksioni do të zgjasin: në Londër, niveli i lëvizjes është sa 15% e nivelit normal.

Një qetësi e tillë përbën një kërcënim të madh për qytetet, sidomos për qytetet e mëdha globale. Kënaqësia e jetës periferike lidhet kryesisht me çmimet e përballueshme të shtëpive me kopshte. Kënaqësia e jetës në fshat është paqja dhe qetësia. Por qytetet lulëzojnë falë rrugëve të zhurmshme, restoranteve dhe teatrove, që tani janë të qeta ose të mbyllura. Kjo është një humbje për konsumatorët urbanë dhe një fatkeqësi për shumë njerëz, shpesh emigrantë, që shesin shërbime.

Virusi ka sulmuar pikërisht bërthamën e asaj që i bën këto qytete të gjalla dhe të suksesshme. Ato nuk përparojnë për shkak të fitimit që sigurojnë për bizneset, por sepse bashkojnë njerëz të talentuar, plot me ide. Për shembull, amerikanët që jetojnë në qytete me më shumë se 1 milion banorë, janë 50% më produktivë se të tjerët gjetiu.

Por grumbullimi i njerëzve nëpër zyra dhe bare, tani duket diçka e papërgjegjshme. Dhe ndryshe nga një shekull më parë kur u përhap gripi spanjoll, shumë punëtorë tashmë kanë alternativa të tjera. Njerëzit po mësojnë të punojnë nga shtëpia; disa kanë zbuluar se u pëlqen një gjë e tillë. Facebook, që deri para pak kohësh e mbështeste aktivitetin në punën nga zyrat, ka njoftuar se do t’i lejojë shumë punonjës të vazhdojnë të punojnë në distancë, edhe pasi virusi të ketë kaluar.

Tregjet komerciale dhe të pronave të banimit mund të bien, ndërkohë që vendet e punës zhvendosen jashtë qyteteve, qoftë edhe për një pjesë të javës. Dyqanet luksoze dhe kafenetë mund të pësojnë një rënie të aktivitetit, teksa po përshtaten me uljen e numrit të punonjësve, turistëve dhe studentëve.

 

Kriza fiskale

Nëse humbasin njerëz, qytetet do të kalojnë në një krizë fiskale. Të ardhurat e tyre nga taksat e hoteleve apo tarifat e autobusëve janë ndërprerë. Zyra e pavarur e buxhetit në Nju Jork raportoi një “zymtësi dhe paqartësi absolute” dhe ka shprehur shqetësimin se të ardhurat tatimore mund të bien me 9 miliardë dollarë në dy vitet e ardhshme fiskale. Rreziku i madh është që qytetet mund të hyjnë në një spirale të shkurtimeve të buxhetit, përkeqësimit të shërbimeve, rritjes së krimit dhe largimit të klasës së mesme. Do të ishte si të përsëriteshin vitet 1970.

Sidoqoftë, qytetet janë më të forta dhe më të qëndrueshme se sa mund të duken. Si me shumë gjëra të tjera, fati i qyteteve varet nga zhvillimi i trajtimeve dhe vaksinave kundër virusit. Por magjia e tyre nuk mund të venitet aq lehtë.

Qytetet mbeten të paçmueshme, si vende ku njerëzit mund të ndërtojnë rrjete dhe të mësojnë si të bashkëpunojnë. Punonjësit që tashmë lidhen online në Zoom nga qyteza të largëta dhe vilat e fshatit, mund t’i kryejnë punët e tyre sepse kanë krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunime në zyrat e korporatave. Me mendje, ata ndodhen ende në qytet, megjithëse jo fizikisht. Edhe një zyrë me një numër të kufizuar punonjësish dhe me distancim social, është thelbësore për t’u mësuar punonjësve të rinj sesi funksionon një kompani. Nëse zyrat lehtësojnë bisedat dhe thashethemet, ato funksionojnë mirë. Përgjigjet me email mund të bëhen nga shtëpia.

 

Përshtatja

Mbetet shpresa që, edhe nëse bankierët dhe programuesit nuk do të vijnë më në qytet, qytetet do të arrijnë të përshtaten. Të rinjtë, të cilët janë më pak të rrezikuar nga Covid-19 dhe më pak të shqetësuar për nivelet e krimit, papritmas mund të zbulojnë se jeta mes smogut të qytetit ia vlen gjithsesi barra qiranë.

Për të nxitur këtë, qytetet duhet të përgatiten për epokën pas Covid. Ato tashmë po vrasin mendjen se si mund të zhvendosen me miliona njerëz, kur askush nuk dëshiron të shtypet nëpër autobusë dhe trena të mbushur me njerëz. Disa kanë plane të guximshme për zgjerimin e rrjetit të biçikletave dhe kanë ngritur pengesa plastike për t’i nxitur këmbësorët të zënë rrugët. Kjo është inkurajuese. Por qytetet që kanë frikë se udhëtarët do të heqin dorë nga trenat dhe autobusët për të hipur në makina private, duke bllokuar rrugët, do të bënin mirë të menaxhonin kërkesën, duke rritur taksat për drejtimin e automjeteve dhe çmimeve të parkimit.

Qytetet gjithashtu kanë nevojë për më shumë autonomi. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, nuk ka dhënë një shembull të mirë të një qeverisjeje të fortë lokale. Por përgjigjja shembullore e Seulit ndaj Covid-19, është organizuar kryesisht nga qeveria metropolitane dhe nga zyrtarët lokalë. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, duhej të lobonte qeverinë kombëtare për të këmbëngulur në mbajtjen e maskave të fytyrës në transportin publik. Qeveria ra dakord dy muaj me vonesë.

 

Drita që shkëlqejnë

 Qeveritë kombëtare dhe shtetet duhet të binden se qytetet kanë nevojë për më tepër pushtet, veçanërisht pasi shumë qytete do të kërkojnë para. Në çdo rast, qeveritë duhet të tërhiqen. Qytetet e mëdha janë të zhurmshme, por ato zakonisht janë kontribuues të mëdhenj në buxhetet kombëtare. Dhe përfitimi që u japin shteteve të tyre nuk është vetëm ekonomik. Qytetet janë vendet ku njerëzit mësojnë të jetojnë në një shoqëri të hapur e moderne. Ato janë makineri për krijimin e qytetarëve.

Monitor.al