Sipas Eurostat, në vitin 2019, kishte pothuajse 0.4 milion gazetarë në 21 Shtetet Anëtare të BE-së me të dhëna të disponueshme, që përfaqësojnë 0.2% të punësimit të përgjithshëm të BE-së. Ndërsa lexuesit presin azhurnime të shpejta mbi pandeminë e koronavirusit, gazetarët janë vënë përballë një sfide të dyfishtë: informimin e publikut ndërsa preken edhe në punën e tyre nga kufizimet e koronavirusit.

Për sa u përket veprimtarive ekonomike të lidhura me gazetarinë, 1,1 milion ishin të punësuar në 27 Shtetet Anëtare të BE-së në botimin e aktiviteteve të tilla si botimi i librave, gazetave dhe revistave. Kjo është e barabartë me 0.5% të punësimit të përgjithshëm në BE.

Gjermania kryeson për numrin e lartë të gazetarëve, me 1.3% të punësimit total, e ndjekur nga Norvegjia me 0.8% dhe Finlanda me 0.7%. Më pak gazetarë kanë Belgjika, Bullgaria, Hungaria, Portugalia, me 0.2% dhe në fund Rumania dhe Sllovakia, 0.1%.

 

Po Shqipëria sa gazetarë ka?

Sipas të dhënave të INSTAT, në aktivitetin “Publikime dhe prodhime programesh” kishte gjithsej 1,818 të punësuar në vitin 2018, ose 0.3% e totalit të punësimit në privat, duke qenë ndër vendet me më pak gazetarë në raport me vendet e BE-së.

Numri i të punësuarve në aktivitetin e “Publikime dhe Prodhime programesh” është dyfishuar në krahasim me 2010-n, sipas INSTAT, por ra në krahasim me 2017-n.

Aleksandër Çipa, Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, tha për Monitor se ai llogarit që bashkë me ata që janë rekrutuar në gjithë spektrin e mediave online, shkojnë rreth 2,700 gazetarë. “Por unë druhem t’i quaj gazetarë. Sipas analizës sime, rreth 1,750 kanë mbi 3 vjet marrëdhënie pune pa shkëputje në media”.

Sipas INSTAT, paga mesatare në 2018-n e aktivitetit të publikimeve dhe prodhimit të programeve ishte 42 mijë lekë, që është rreth 20% më e ulët se paga mesatare në ekonomi.

Por, Çipa thotë se informaliteti është shumë i lartë. “Rreth 35% nuk e deklarojnë pagën reale. Në mediat tradicionale është përmirësuar kjo përqindje”. Probleme ka edhe me nivelet e larta të drejtimit.

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka prekur dhe median. “Ka cenime tinëzare të padeklaruara të pagave. Dhe sipas parashikimeve për tre muajt e ardhshëm (maj, qershor, korrik) pritet të ketë vështirësi të theksuara likuiditetesh në paga dhe në pagesa të tjera”, thotë Çipa.

Ai shton se i quan këto cenime tinëzare, pasi u janë komunikuar punonjësve, por nuk janë pasqyruar si lëvizje dhe kjo është e mundur, pasi bëhet fjalë për atë pjesë që jepet kesh.

Monitor.al