Për të shmangur trafikun e tmerrshëm që bllokon çdo ditë rrugët e Parisit, është shpikur një mjet transporti alternativ: një anije amfibe që lundron mbi ujë. Në pak minuta, çdokush mund të shkojë nga një anë e qytetit në tjetrën, duke lundruar mbi lumin Senë.

Taksia lundruese quhet Sea Bubbles dhe është projektuar dhe ndërtuar nga një kompani franceze. Ishte ideja e Alain Thébault (marinar) dhe Anders Bringdal (serfist), të cilët krijuan një sistem të qëndrueshëm lundrimi dhe miqësor ndaj mjedisit.

Ata e themeluan kompaninë në fillim të vitit 2016 dhe deri më tani kanë mbledhur 4 milionë euro (4,3 mln dollarë) me synimin që kjo shifër të shkojë 20 deri në 30 milionë euro për të realizuar gjithë vizionin. Mbështetësit përfshijnë Partech Ventures dhe fondin francez BPI që financohet nga qeveria.

Bëhet fjalë për një tip anije të vogël, në formë veze, e cila lëviz pak centimetra mbi sipërfaqen e ujit.
Sea Bubbles mund të arrijë maksimumi 5-8 nyje shpejtësie (ose ndryshe 11-15 kilometra në orë).

Taksia lundruese mund të transportojë maksimumi pesë persona, duke përfshirë edhe pilotin, si një taksi normale. Sea Bubbles lëviz në sajë të një mekanizmi elektrik, që ushqehet me energji diellore.

Sea Bubbles duhet të jenë gati për të lundruar verën e këtij viti. Themeluesit synojnë një duzinë taksish lundruese mbi lumin Sena, në Paris, brenda kësaj vere.