Nga Arjan Konomi

Look- tendencë, vokal- impresionues, shpirt të ndjeshëm dhe natyrë gazmore. Protagonisti i Big Brother 3, Seldi Qalliu, ëndërron të pushtojë botën e spektaklit. Ka provuar Big Brother si trampolinë, ndërsa sfida e vërtetë për të fillon pikërisht tani, kur të tjerët nuk kanë më se çfarë të thonë. Sepse ai është artist dhe përpara e pret një rrugë e gjatë. Një rrugë që ka filluar ta përshkojë përkrahu së bashku me Domenikën, vajzën që njohu dhe dashuroi në Big Brother.

 

Ditët pa Domenikën i duken të pafundme, boshe dhe pa kuptim. Kur e takuam Seldin, Domenika kishte veç pak ditë që ishte larguar për në Itali, për të rregulluar ca gjëra të saj. Mungesa e saj lexohej qartë në sytë e tij, ndërsa bisedën e ndërprisnin herë pas here sms e dërguara prej saj. Pak e nga pak, Seldi fillon të tregojë për Domenikën dhe dashurinë e tyre. Domi do të kthehet për pak ditë, tregon ai, ndërsa na rrëfen se të dy kanë “braktisur” mamatë dhe jetojnë në të njëjtën strehë, në Tiranë. Muzika, spektakli, mamatë, Domenika dhe planet e së ardhmes. Të gjitha të rrëfyera nga vetë Seldi, në një ditë të nxehtë të qershorit….

 

Ti ishe banori më artist në BB. Si është lidhja jote me artin? Si nisi ajo?

Bota e artit më ka pëlqyer që 7 vjeç, kam përshtypjen se çdo artist e kupton veten e tij, ndjeshmërinë e tij artistike. Është një botë e pashpjegueshme, thjesht e ndien, nuk ka fjalë për t’u shpjeguar. Në moshën 7-8 vjeç u futa në piano. Në fëmijërinë time unë dëgjoja shumë muzikë, madje këndoja, modifikoja këngë, regjistroja veten. Çdo gjë e bëja spontanisht. Është shumë e rëndësishme kur e pëlqen veten në mënyrën si këndon. Kjo në kohët e sotme quhet kompozim, ndërsa unë e kryeja shumë natyrshëm, shumë lehtë. Shihja shumë programe të huaja muzikore, sidomos tek një stacion gjemran, RTL ku fëmijët imitonin këngëtarët nga zëri, imazhi, look-u etj. Mami im këmbënguli shumë që unë të merresha me muzikë. 14 vjeç u futa në lice për kanto. Personi i parë profesionist që më vlerësoi dhe besoi tek unë ishte Zina Zdrava që më tha: “Ti je adapt për këtë punë!” Nisa liceun si një fëmijë i papjekur dhe gjatë shkollës fitova pjekurinë e duhur.

Po tani?

Tani studioj për kanto klasike në Akademinë e Arteve. Pasioni im është pavdekshmëria dhe kjo është klasikja. Komerci është sot për sot dhe jo sot për nesër, prandaj nuk jam i dhënë pas muzikës komerciale. Unë e ndiej më shumë klasiken. Pastaj zërin e kam pjekur për kanto! E kam marrë tashmë këtë rrugë. Janë dy rrugë të ndryshme. Kanto klasike është rrugë tjetër dhe komerci është rrugë tjetër. Por pak e nga pak kam filluar që t’i balancoj të dyja, pasi i zotëroj të dy teknikat.

Të pëlqen fama apo publiku?

Janë të dyja të bashkangjitura. Por kam qenë më shumë i lidhur me publikun, jam dhe do të jem i lidhur me publikun.

Pse zgjodhe një reality show?

BB mendoj se ka qenë një trampolinë shumë e mirë. Vendosa të marr pjesë sepse veten e shoh në botën e spektaklit. Ky spektakël më ka pëlqyer dhe mosha ime ishte më e sakta për ta bërë këtë gjë. Nëse unë do isha në hapa të avancuar të muzikës nuk do të hyja në ndonjë reality show, por në këtë stad mund ta bëja, siç edhe e bëra. Më pëlqente spektakli, ideja për të marrë pjesë aty.

E ke menduar si mënyrë për tu bërë i njohur më lehtë?

Në fakt ka qenë një rrezik, ose si një thikë me dy presa, që do të thotë se në këtë reality show, nuk shfaqen cilësitë si këngëtar, por si njeri. Ka shumë këngëtarë që vlerësohen për zërin dhe kurrë nuk u është njohur karakteri, pasi gjithmonë e kanë mbajtur të fshehur. Sepse nuk kanë dashur të rrezikojnë në lidhje me publikun. Kjo që bëra ishte me shumë me rrezik, pasi unë zbulova veten, zbulova cilësitë dhe defektet e mia, si çdo njeri i zakonshëm. Nëse zakonisht një këngëtar publiku e njeh thjesht vetëm të qeshur, të veshur si për skenë dhe në dukje me humor të mirë, mua më kanë njohur me të gjitha të fshehtat e mia.

Si e konsideron tani eksperiencën e BB. Të zhgënjeu, të pëlqeu?

Njeriu kur hyn me ide të qarta i ka marrë parasysh të gjitha. Ishte një trampolinë e mirë për të krijuar një imazh pozitiv tek publiku, kështu mendoj. Unë e mendoj veten shumë larg me karrierën time. Nëse për disa jeta mbaron pas BB, jeta ime fillon pas BB, me këngën dhe spektaklin. Kjo do të thotë se qëllimin tim e arrita, nuk aktrova. Tregohem ai që jam. Gjatë qëndrimit aty nuk e mendoja kurrë çmimin.

Po që të dashuroje e kishe menduar?

Jo, kjo ishte një surprizë që ma dhuroi vetja ime, zemra ime. Kjo do të thotë se edhe unë vetë u çudita që po bija në dashuri. Jam njeri që nuk bie shpesh në dashuri, prandaj edhe vetë u habita ndërsa më ndodhi diçka  e tillë.

Pse mendon se re në dashuri?

Sepse ishte njeriu i duhur. Me kalimin e kohës kuptova se kam qenë me fat që rashë në dashuri me njeriun e duhur, Domenikën.

Çfarë të bën të mendosh se Domenika është njeriu i duhur?

E para, ajo është më e sinqertë se duhet. Të tillë persona rrallë kam njohur. Koha ka treguar se ajo tregohet e tillë edhe jashtë BB. E dyta, ka një karakter të fortë, është një femër që kërkon shumë nga vetja, në lidhje me karrierën dhe çdo gjë tjetër. Mënyra se si të shikon, mimika e saj… Njeriut të dashuruar, edhe një teshtimë e personit tjetër, i duket si diçka shumë e bukur.

Ç’po bëni tani me Domin?

Për momentin po shijojmë njeri- tjetrin, intimitetin tonë, që besoj se është pjesa më e rëndësishme për dy persona që duhen. Por përveç kësaj, po shijojmë afeksionin që njerëzit kanë ndaj nesh.

Jetoni bashkë?

Po rrimë sa tek shtëpia ime, sa në shtëpinë e saj. Mesa duket nuk rrimë dot pa njeri- tjetrin. Duam të shijojmë çdo sekondë, çdo minutë, duam të ndajmë çdo gjë bashkë.

Kush ju përkëdhel më shumë, mami Monda apo mami Vale?

Ata të dyja janë në konkurrencë me njëra- tjetrën, ndaj nuk mund ta zbulojmë dot, se kush na përkëdhel më shumë.

Vale mban krahun tim, ndërsa Monda krahun e Domit. Duket sikur kanë ndërruar fëmijët. Dhe kjo është gjë e bukur. Ne jemi rritur me mamatë tona dhe është një perforcues i madh, kur mamatë duhen me njëra- tjetrën dhe na duan ne. Por nuk kanë si të mos kuptohen, kur kanë pasur të njëjtën eksperiencë jete.

Kush gatuan më shumë?

Realisht na ftojnë të dyja mamatë. Por më pasion për kuzhinën ka Valja.

Beson se historitë tuaja familjare ju kanë bashkuar me Domin?
Po, me sytë e njëri- tjetrit kemi parë vetveten. Edhe kur i kujtoj tani ato momente më rrënqethet mishi. Nuk e mendoja kurrë se do të gjeja të njëjtin person me të njëtën histori të ngjashme me mua. Në sytë e njeri-tjetrit pamë çdo gjë që na lidhi bashkë.

Të dy vendosët të mos kontaktoni me baballarrët. Ka ndryshuar gjë?

Pavarësisht se si ka dalë në sytë e publikut ne i kemi pranuar baballarët, por nuk kemi pse dalim me flamur në dorë. Unë kam thënë atë që kam ndjerë. Kur dola, kam pritur dhe po pres të më marrë në telefon për të më uruar.

Me Domin grindeshit shpesh. Po tani jashtë?

Ne grindemi kur të na vijë, qeshim kur të na vijë…kur na vjen i hapim rrugën. Edhe të keqes i hapim rrugën. Grindjet i hapin rrugë dashurisë. Nuk ka çift që nuk grindet. Në momentin kur grindemi nuk është se na pëlqen shumë, por kur fillojmë i kujtojmë grindjet tona më pas, qeshin me vete, sepse kuptojmë se ishin gjëra pa vlerë.

Kush bëhet më shumë shkak për grindjet?

Mendoj se grindjet janë reciproke.

Cili prej jush është më shumë xheloz?

Xhelozia ekziston tek çdo çift. Nuk jam xheloz, se jam 24 orë me Domin.

Tani që Domi është në Itali, është hera e parë që jeni larg njëri- tjetrit?

Realisht është hera e parë. Jemi larg me trupa, por jo me shpirt. E ndiej mungesën! Sigurisht më është bërë veshi i kuq duke folur gjatë gjithë ditës, nga mëngjesi deri në darkë, dhe gishti me kallo duke shkruar sms.

Ke qenë djali më trendy aty…..

Ky është stili im. Nuk është se mendoj shumë, vishem për pesë minuta.

Ka rëndësi për ty veshja, paraqitja?

Sigurisht, se ky stil më bën të ndihem mirë me veten. Për mua veshja është e rëndësishme se më bën të ndihem dhe kjo më mjafton.

A ka ndonjë gjë që do të doje të eleminoje nga ajo që ka ndodhur në BB?

Ka pasur edhe gjëra për të cilat jam bërë pishman, përshëmbull në lidhje me impulsivitetin. Asaj që dua i shkoj deri në fund. Kjo është në natyrën time, por nuk ka ndonjë gjë të madhe për t’u bërë fare pishman.

Kam mësuar vetëm një gjë: “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara!”.

Çfarë planesh ke për muzikën?

Momentalisht po merrem me një këngë. Mendoj ta realizoj në rrymë R&B dhe me përfundimin e këngës vjen edhe videoklipi. Natyrisht do të mbaroj edhe shkollën, provimet e vitit të fundit dhe duke shpresuar që gjërat të shkojnë ashtu siç mendoj, do të kem një përkushtim maksimal për muzikën.

Ka pasur thashetheme në lidhje me ty…

Po është e vërtetë. Madje ka pasur thënie edhe nga njerëz nga të cilët nuk e kam pritur. Por dua të them se ka edhe mënyra të tjera për tu bërë të famshëm dhe nuk është e nevojshme që për këtë qëllim dikush të përdorë emrin tim. Megjithatë edhe nëse e bëjnë, për mua nuk ka rëndësi fare se çfarë thonë. Po sajojnë për personin e gabuar të cilit nuk i interesojnë fare këto sajime…Megjithatë pyesni Domin për seksualitetin tim!

Box

Seldi Qalliu, ish protagonist i Big Brother, njihet si këngëtar i ri i muzikës moderne, ndonëse pasion ka muzikën klasike, për të cilën pret të diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Popullaritetin e fituar në këtë realty show, ai dëshiron ta përdorë në favor të karrierës së tij muzikore. Një këngë e re pret të hedhë në treg, ndërsa beson se rruga e famës për të sapo ka filluar.

“Kjo që bëra duke marrë pjesë në Big Brother ishte me shumë me rrezik, pasi unë zbulova veten, zbulova cilësitë dhe defektet e mia, si çdo njeri i zakonshëm. Nëse zakonsisht një këngëtar publiku e njeh thjesht vetëm të qeshur, të veshur si për skenë dhe në dukje me humor të mire, mua më kanë njohur me të gjitha të fshehtat e mia”.

“Jam njeri që nuk bie shpesh në dashuri, prandaj edhe vetë u habita ndërsa më ndodhi me Domin diçka e tillë”.

“Jemi larg me trupa por jo me shpirt. E ndiej mungesën e Domit! Sigurisht më është bërë veshi i kuq duke folur gjatë gjithë ditës nga mëngjesi deri në darkë, edhe gishti me kallo duke shkruar sms”.

“Mamamtë tona duket sikur janë në konkurrencë me njëra- tjetrën, ndaj nuk mund ta zbulojmë dot, se cila prej tyre na përkëdhel më shumë”.