Ata kanë qenë më të pëlqyerit e një spektakli ku garohet për zërin, talentin dhe interpretimin më të mirë në muzikë. Sheila, Kristo, Xhesika, që të tre kanë shkëlqyer por në fund vetëm njëri prej tyre ka mundur të fitojë çmimin e madh. Ajo është Sheila. Si ndihen ata pas përfundimit të “X Factor Albania”? Projektet, ambiciet dhe hatërmbetjet e finalistëve    

Sheila Haxhiraj : “Kontrata me Berman Brothers, ëndrra ime”

Ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri çdo çmim, çdo votim diskutohet, kontestohet dhe rrallë ndodh që të mirëpritet. Nuk i ka shpëtuar këtij rasti as fituesja e edicionit të parë të “X Factor Albania”, Sheila Haxhiraj. Ajo është fituese dhe ka gjithë të drejtën e botës të festojë, gëzojë, të jetë e lumtur për këtë ngjarje që vjen vetëm një herë në jetë… e që shumicës së njerëzve nuk iu vjen kurrë. Ka bërë realitet ëndrrën për muzikën. Talentin e saj, të zbuluar që në vogëli e ka shoqëruar me një punë intensive, të palodhur, konseguente gjatë gjashtë muajve prova si finaliste e “X Factor Albania”. Entuziazmi i saj ndihet në çdo rresht të kësaj interviste…!

Sheila, si ndiheni tashmë që u shpallët fituese e edicionit të parë të “X Factor Albania”?

Ekstremisht e lumtur! Po e shijoj pafundësisht këtë fitore që është një shans i madh për të më hapur mua rrugën drejt një karriere të suksesshme. Shpresoj!

Çfarë emocioni ndjetë kur u thirr emri juaj?

Një lumturi e pafund, një moment magjik, tepër emocionues, ende nuk po u besoja veshëve kur dëgjova emrin tim.

Me kë i ndatë emocionet e para?

Së pari, pranë meje ndodhej mentorja ime, Juliana, përqafimin e parë e shkëmbeva me të. Lot gëzimi më rrëshqisnin dhe nuk mund t’i kontrolloja dot, por këtë emocion gjithashtu e ndava dhe me Kriston, për mua ai ishte një shok i mirë dhe konkurrent i denjë pranë meje. Nuk mund të lë pa përmendur Alketa Vejsiun, e cila m’u afrua për të më uruar, e falenderoj shumë.

Kujt i jeni mirënjohëse për gjithë rrugëtimin tënd?

Televizionit Klan, që i dha mundësinë të madhes Grabocka dhe Alketa Vejsiut për të promovuar “X Factor-in”e parë shqiptar, dhe gjithë miqve dhe publikut që më kanë mbështetur dhe votuar.

Si e parashikoni të ardhmen tuaj tani pas këtij trofeu?

Natyrisht një të ardhme të suksesshme (shpresoj). Përpara kam një rrugë të gjatë pune intensive për të bërë, kontrata me “BB” është një impenjim i madh për mua.

Me kë artist do të donit të realizonit një duet në të ardhmen?

Mendoj që me Genta Ismajlin do të nxjerrim një duet të bukur, nëse do të bashkëpunojmë.

Si e shihni veten pas 10 vitesh?

Mendoj të realizuar dhe të kompletuar në atë që unë pëlqej, këngën dhe muzikën.

Ka pasur edhe komente jo pozitive për ju. Përse mendon se ishte ai reagim?

Unë nuk paragjykoj dot njerëzit, si kudo në çdo fushë, ka të votuar dhe të kontestuar. Arti është diçka subjektiv nga disa pëlqehet nga të tjerë jo, kam me qindra fansa që më kanë votuar. Këto ditë ndihem e lumtur, kur eci në rrugë komplimentohem dhe urohem nga shumë njerëz.

Kristo Thana:  “Publiku në sallë më donte mua fitues!

Tërrëmbesh zemrën e publikut kjo është konsideruar arritja më e madhe e çdo artisti. Kristo Thana në këtë eksperiencë të tij të parë si këngëtar ia ka arritur që ta bëjë për vete atë.

Kjo është ndjerë që në fillim të garës së tij në “X Factor”, është ndjerë në natën finale të spektaklit dhe është parë edhe në ditët në vijim në rrjetet sociale, ku shumica e tyre bënin tifo pikërisht për të. Në këtë fund “X Factor”, ai tregon miqësitë, ndjesitë, ndryshimin që ka pësuar në jetën e tij dhe gjithçka që planifikon për të ardhmen e tij muzikore.

Kristo si u ndjetë kur dëgjuat që emri i fituesit ishte Sheila dhe jo ju?

Në fakt ishte emocionuese, sepse salla thërriste pa pushim emrin tim. Unë ndihem fitues gjithsesi.

Ishit përgatitur për të fituar?

Isha shumë afër çmimit dhe çdokush po të ishte në të njëjtën situatë do ta priste dhe cmimin, pse jo.

Mjaft fansa në “Facebook” ju kanë preferuar juve si fitues, si i vlerësoni këto komente?

Unë e shpreha dhe më parë që ndihem fitues, pavarësisht çmimit dhe të gjitha ato komente dhe përkrahje ma përforcuan më shumë këtë gjë. Mendimi i tyre vlen më shumë se çdo çmim tjetër për mua.

Për çfarë ju vjen më shumë keq që nuk fituat?

Jo aspak. Unë sapo e kam nisur rrugën time dhe nuk ndihem keq për asgjë, përkundrazi nuk më mungon as dëshira, as vullneti për të ecur përpara, kështu që kam besim dhe jam i sigurt që do të arrij gjithçka që dua.

Besoni se ju dhatë gjithcka për të qenë fitues?

Unë dhashë maksimumin tim dhe arritja ime deri në finale tregon që po unë dhashe gjithcka për të qenë fitues.

Kush u mërzit më shumë që nuk fituat?

Duke parë dhe komentet e shumta në “Facebook”, besoj se shumë njerëz. Gjithsesi nuk ishte humbje aspak, unë kam fituar shumë nga gjithë kjo eksperiencë dhe ndihem i lumtur dhe krenar për veten.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj tashme?

Kanë ndryshuar shumë gjëra, më e bukura është dashuria dhe përkrahja që më japin njerëzit që unë as nuk i njoh, i ndjej si të afërmit e mi, dashamirësia e tyre është vlerësimi më i madh për mua. Më bën të ndihem shumë mirë kjo gjë dhe më pëlqen që jam bërë pjesë e tyre nëpërmjet muzikës. është gjëja që une di të bëj më mirë.

Keni nisur të këndoni nëpër qytete të Shqipërisë dhe në Maqedoni madje. Si ndiheni?

Shumë i lumtur. Unë i dua duartrokitjet e publikut dhe ku ka mënyrë më të mirë për t’i marrë dhe për të qenë pranë tyre. është emocioni më i madh që të fal të qenit këngëtar.

Keni filluar të mendoni për të realizuar një krijim tuajin tani ?

Jo një, por shumë krijime të miat. Më pëlqen dhe të kompozoj dhe kam disa ide që mendoj se do të jenë të suksesshme.

Do ta provoni veten në skenen e festivaleve?

Normalisht që po. Festivalet janë një mënyrë e mirë për t’u promovuar në vazhdimësi. Do të jem kudo ku ka muzikë të mirë, besoj dhe publiku këtë do.

Mes 16 finalisteve, kë keni parë në fillim si fitues?

Festinën për vokalin e vecante që ka, si dhe origjinalitetin që e karakterizonte.

Kush ka qenë miku juaj më i mirë në gjithë këtë kohë?

Do të vecoja Ilsin, por dhe të tjerët kanë qenë miq të mirë. Kemi kaluar mjaft bukur.

Me Albanin si do ta konsideronit marredhenien qe patet?

Mjaft të mirë, ka qenë një përkrahje e madhe për mua. Kemi kaluar shumë kohë bashkë dhe përvec të tjerave është një njeri shumë i mirë.

Xhesika Polo: “Isha pranë fitores, mosha më penalizoi”

Xhesika Polo, më e vogla dhe një nga më të talentuarat e “X Factor Albania”, me një vokal të adhurueshem nga të gjithë rrëfen arsyet përse ajo nuk arriti të ishte fituese e edicionit të parë të “X Factor”. Mirënjohëse, e lumtur që u bë pjesë e kësaj gare, e bindur në ndryshimin që ka ndodhur në jetën e saj, ajo e sheh veten si një fituese dhe premton se nuk do të ndahet më nga skena, ndërsa pret me entuziazëm të madh koncertet që do të nisë me konkurrentët e tjerë të “X Factor Albania” nëpër qytetet e mëdha të vendit.

Xhesi, si ndiheni tashmë që mbaroi “X Factor Albania”?

Jam pak e mëzitur që i erdhi fundi kësaj eksperience kaq të bukur, por, gjithsesi, “X FACTOR” nuk ka mbaruar, sepse tani do të jemi në qytetet kryesore të vendit, gjë që mezi e pres. Pasi për mua është hera e parë që do të dal në koncerte masive në sheshet kryesore të Shqiperisë dhe aq sa kam emocion kam edhe dëshirë të madhe dhe kuriozitet!

Ju u renditet e treta. Çfarë ndjetë në momentin kur ëndrra juaj për të qenë fituese mbeti aty?

Për momentin isha pak e shokuar dhe nuk po e mblidhja veten. Gjithsesi jam shumë e lumtur dhe që dola e treta. Fundja ishte arritja më e madhe te isha në 3-shen finaliste.

Cila ka qenë frika jote, pasiguria më e madhe në këtë garë?

Mendoj se mosha e vogël më ka penalizuar pak. Pastaj për të tjerat kam qenë shumë optimiste, sepse jam njeri që e dua artin dhe punoj shumë për të arritur rezultatet më të mira. Gjithmonë kërkoj shumë nga vetja dhe asnjëherë nuk mendoj se është mjaftueshëm.

Çfare ju ka bërë më shumë përshtypje nga komentet që keni lexuar këto dite në rrjetet sociale?

Shumë njerëz që jepnin opinionin e tyre, qoftë të mirë apo të keq, njerëz që më vlerësonin për talentin tim dhe njerëz që më bënin verejtje, janë shumë dhe nuk mund t›i vecoj, por i falenderoj shumë të gjithë.

Kë kishit parë si fitues mes 16 finalistëve në nisje të garës?

Mendoja mes Kristos dhe Festinës.

Mendoni të realizoni tashmë ndonjë këngë tuajën?

Kam shumë plane në mendje, por vetëm një gjë është e sigurt. Nuk do të ndalem ketu…

Përse ju ka ardhur më shumë keq që nuk fituat?

Sepse isha tepër prane fitores dhe nuk ia arrita. Ndoshta nuk bëra më të mirën. Mendoj se ajo mërzia vjen vetvetiu kur e ke një gjë kaq pranë dhe nuk e arrin dot.

E keni thënë që në fillim në “X Factor” nuk patët afrimitet nga konkurrentët, tani kush është shoqja juaj më e mirë?

Të gjitha janë vajza tepër të mira, por shoqja ime më e mirë është Festina. Një vajzë e mrekullueshme me virtyte të veçanta, mirënjohëse e dashur dhe tepër e talentuar. E përshëndes shumë.