Shqipëria me të ardhurat më të ulëta në Europë, por ndër vendet me borxhin më të lartë

2018-04-24T09:40:00+00:00 24 Prill, 2018 9:40|Kategoritë: Para, Tregje|

Shqipëria ka rendimentin për mbledhjen e të ardhurave më të ulëtin në Europë, por kjo nuk e ka penguar që të rrisë vazhdimisht borxhin publik, në nivelin më të lartë në rajon, por edhe ndër kryesuesit në Europë. Edhe planet për uljen e borxhit janë shtyrë vazhdimisht në kohë.
Të ardhurat që u mblodhën në në buxhet në vitin 2017 ishin sa 27% e prodhimit të brendshëm bruto (27.7%, duke përfshirë edhe ndihmën), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Ndonëse në rritje në raport me vitet e kaluara, ato mbeten më të ulëtat në Europë dhe shumë më poshtë sesa mesatarja e rajonit (me përjashtim të Kosovës, që është një shtet relativisht i ri).
Nivelin më të lartë të të ardhurave në rajon, sipas të dhënave nga pasqyra ekonomike globale e FMN e kanë Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi që mbledhin mes 42-44% të prodhimit të brendshëm bruto. Maqedonia i ka ulur ndjeshëm të hyrat buxhetore, në rreth 28.3% të PBB-së, nga mbi 32% që i kishte disa vite më parë, si rrjedhojë e uljes së taksave.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria ka dhe nivelin më të lartë të taksave (TVSH, tatim fitimin, sigurimet shoqërore), së bashku me Serbinë, por kjo e fundit ka rendimentin shumë më të larta sesa ne.
Mesatarja e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të fundit të Eurostat është rreth 45%, ku kryesojnë Suedia, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, që mbledhin të ardhura më shumë sesa gjysma e asaj që prodhon ekonomia në një vit.

Pak të ardhura dhe shumë borxh

Shqipëria në vitin 2017 kishte nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon, me rreth 71.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas burimeve zyrtare të financave. Serbia, që ka qenë në nivele të ngjashme me ne, ka arritur ta ulë këtë tregues në 61.5% të PBB-së për një periudhë të shkurtër kohore. Fqinjët e tjerë kanë një ngarkesë shumë të ulët borxhi ndaj PBB-së, Maqedonia prej 39%, Bosnja 30%, Mali i Zi 63%. Kosova, që ka të ardhura pak më të ulëta sesa ne, ka një borxh minimal prej vetëm 17% të PBB-së.
Shqipëria ka marrë vazhdimisht angazhim për uljen e borxhit, plane që janë shtyrë. Psh në vitin 2015, parashikimi i buxhetit afatnesën ishte që në 2017-n ai të kishte zbritur në 65.6% (nga 71.5 që është fakti) dhe deri në vitin 2018 ai të ishte ulur në 62% të PBB-së, por tashmë plani i rishikuar në rritje është rreth 68%, sipas kuadrit të fundit makroekonomik.

Në Europë ka vende që kanë borxhe më të larta, por me përjashtim të Greqisë, që kaloi krizën e madhe, ato janë shtete shumë më konkurruese se Shqipëria ndaj dhe aftësinë shlyese të detyrimeve e kanë shumë më të lartë.
Gjermania, ekonomia më e fuqishme e Europës e ka ulur ndjeshëm këtë tregues në 64.1% të PBB-së, nga 74.7 në vitin 2014, dhe mbi 80% që e kishte rritur në 2012-n për të nxitur ekonominë e goditur nga kriza globale, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Greqia, Italia, Portugalia, Belgjika e kanë stokun më të lartë sesa 100% e prodhimit të brendshëm bruto. Mesatarja e Bashkimit Europian është 86.7% e PBB.
Për vendet në zhvillim, një nivel i përshtashëm borxhi konsiderohet në rreth 40-50% të PBB-së, ndërsa për ato në zhvillim në rreth 60-70%.