Shqiptarët kanë mesatarisht 69 mijë lekë ose rreth 560 euro kredi për frymë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe Instat tregojnë se kreditimi i individëve për frymë është rritur me rreth 4 mijë lekë ose 6.2% krahasuar me një vit më parë. Po të shohim të dhënat e kredisë të ndarë sipas qarqeve kryesore të vendit,

Qarku i Tiranës ka kreditimin më të lartë në raport me popullsinë, me rreth 134 mijë lekë për frymë. Me diferencë të thellë, vijon Durrësi me 48 mijë lekë për frymë dhe Vlora me 35 mijë lekë për frymë. Përveçse nga të ardhurat më të larta të individëve në këto qarqe, kreditimi më i lartë lidhet edhe me zhvillimin e tregu të pasurive të paluajtshme, i përqendruar kryesisht në Tiranë dhe në qarqet bregdetare.

Edhe në këtë produkt, Tirana kryeson dukshëm, me 97 mijë lekë për frymë ose rreth dy herë e gjysmë sa mesatarja kombëtare prej 39 mijë lekësh. Tirana ka njëkohësisht edhe peshën më të lartë specifike të kredisë për banesa kundrejt portofolit total të kredisë, me rreth 72% të totalit. Sipas kredisë për shtëpi për frymë, I dyti është qarku Durrës, me 32 mijë lekë dhe Vlora me 22 mijë lekë.

Ndërkohë, te kredia konsumatore, diferencat mes qarqeve janë më të ngushta. Mesatarja kombëtare është 20 mijë lekë për frymë dhe kreditimin më të lartë e ka sërish Tirana, me 30 mijë lekë, e ndjekur nga Durrësi me 14 mijë lekë për frymë dhe Shkodra me 12 mijë lekë për frymë.

Statistikat tregojnë se në fund të muajit shtator, portofoli i kredisë së individëve arriti vlerën e 195 miliardë lekëve ose rreth 1.6 miliardë euro.

Portofoli i kreditimit të individëve është në rritje vjetore me 5.7% dhe ka ruajtur një rritje të qëndrueshme edhe pas shpërthimit të pandemisë, i mbështetur si nga moratoriumi i pagesave, që e frenoi amortizimin e portofolit ekzistues, ashtu edhe nga një rikthim gradual i kredisë së re, sidomos në tremujorin e tretë.

Gjatë nëntë muajve, portofoli i kredisë së individëve është zgjeruar me afërsisht 9 miliardë lekë. Ndërkohë që kredia konsumatore e ka ndjerë dukshëm efektin e pandemisë, kredia për blerje të banesave ka vijuar të rritet me ritme të shpejta, sidomos në Tiranë dhe në Vlorë. Pavarësisht se çmimet vazhdojnë të rriten, shqiptarët po shfaqen gjithnjë e më të interesuar për të blerë prona dhe kredia bankare ngelet një mbështetje e rëndësishme, me një portofol aktiv prej pothuajse një miliardë eurosh.

Këtë vit vërehet një përqendrim edhe më i lartë i portofolit të kredisë në Qarkun e Tiranës. 62.3% e totalit të kredisë është dhënë në kryeqytet, nga 60.8% që ishte kjo përqindje një vit më parë. /E.Shehu

Burimi: BSH, INSTAT

Monitor.al