Deklaratat optimiste dhe axhenda e Brukselit për Shqipërinë

Vjeshta, provimi final i kompromisit PD-PS

Hapet drita jeshile e zgjidhjes së krizës politike, në tetor prova e vizave dhe vendit kandidat

Nga Ylli Pata

Mbyllja e pushimeve verore ka dhënë për të parën herë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, mesazhin e një paqeje të re mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Pak ditë para fillimit të sesionit të ri parlamentar, Kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar se kompromisi me opozitën është jo vetëm i arritshëm por jemi fare pak metra para një marrëveshje historike. Ndërkaq, opozita nga ana tjetër ka marrë sinjalin pozitiv si një mesazh për të ecur përpara në negociatat e nisura që në fund të muajit korrik, por nuk është shprehur entuziaste, duke rritur “pazarin” e rezultatit që mund të sjellin bisedimet. Por vjeshta ka dy pritshmëri të tjera të rëndësishme për vendin, të cilat lidhjen pazgjidhshmërisht me zhbllokimin e krizës politike. Bëhet fjalë për liberalizimin e vizave por edhe për shqyrtimin e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Këto vendime priten të merren në mesin e vjeshtës por si fillim në ditët e para të shtatorit pritet të vijë në Tiranë një delegacion i lartë i Brukselit.

Mazhoranca

Partia Demokratike ofroi një kapitull të ri marrëdhëniesh me Partinë Socialiste. Kryeministri Sali Berisha, nën cilësinë edhe të kryetarit të partisë më të madhe në vend, është shprehur në fund të gushtit se institucioni që ai drejton në asnjë rrethanë nuk lejon arrogancën, indiferencën apo prepotencën ndaj pretendimeve të opozitës. “Kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi të hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën. Disa propozime janë bërë. Mendoj se në këto propozime, me frymën e kompromisit, mund t’u jepet përgjigje përfundimtare, në mënyrë të ndershme, të gjitha pretendimeve”, u shpreh Berisha. Po kështu, Kryeministri Berisha ndryshe nga herët e tjera ka folur me superlativitet mbi figurën e liderit të partisë më të madhe opozitare. “Nuk është çështja këtu e një kundërshtie siç kërkojnë ta paraqesin dashakeqës të kimizmit midis dy liderëve. Absolutisht jo! Me liderin e opozitës kam ndërmarrë reformat më të thella në historinë e karrierës time politike”, tha Berisha. Sipas tij, kjo çështje është në qëndrimin ndaj standardeve të Kopenhagës, ndaj institucioneve, Kushtetutës, ligjeve dhe transparencës.

Kryeministri theksoi se Shqipëria disponon të gjitha mundësitë për t’u dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha çështjeve politike të brendshme që mund të ngrihen. “Institucionet e vendit janë në një proces konsolidimi dhe është kusht përcaktues në kriteret e Kopenhagës konsolidimi i institucioneve dhe respektimi i tyre”, tha Berisha. Shefi i qeverisë theksoi se reformat vazhdojnë me ritme të shpejta. “Liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet kanë njohur dhe njohin një ridimensionim më të madh. Në këtë fushë përmirësime substanciale janë bërë në të gjitha aspektet”, u shpreh Berisha. Kryeministri Sali Berisha që pas mbylljes së raundit të parë të negociatave Patozi-Ruçi është shprehur me nota optimiste për dialogun mazhorancë-opozitë. Kreu i qeverisë, Berisha, duke sqaruar të gjitha procedurat që kanë ndjekur dy kampet partiake për realizimin e këtij drafti u shpreh se rezultati do të ketë një përfundim të suksesshëm. Ai tha se Partia Socialiste ka ofruar një draft-kërkesash, të cilat i afrojnë të dyja palët pranë një zgjidhjeje gjithmonë duke iu referuar kuadrit kushtetues dhe gjykatave. “Një dialog midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ekziston. Janë bërë disa propozime. Sapo të mbyllen pushimet, ne do t’i dorëzojmë. Ne i kemi studiuar propozimet dhe në propozimet e tyre ka absolutisht elemente racionale, për të cilat ne jemi plotësisht të gatshëm. Për të tjerat, mendoj nëpërmjet mirëkuptimit bilateral, sepse një kompromis arrihet jo mbi baza ultimative, por mbi baza koncesionesh reciproke dhe në qoftë se ekziston vullneti nga PS-ja, Kushtetuta dhe ligjet e vendit i japin zgjidhje të plotë problemit, në përputhje me rezolutën e Parlamentit Europian. Në qoftë se respektohen procedurat ligjore dhe këto procedura vendosin që të rinumërohen, absolutisht, jam për rinumërimin e plotë të çdo vote dhe të ndryshimit të çdo rezultati”, tha Berisha.

Opozita

Nga ana e saj opozita ka zbardhur formulën e kompromisit mes socialistëve dhe demokratëve. Për herë të parë, numri dy i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka bërë publike kushtet e draft-marrëveshjes së 27 korrikut të firmosur nga vetë ai dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Draft-marrëveshja synon uljen e tensionit politik dhe vendos paqen pas 12 muajve ‘rrëmujë’ mes dy partive më të mëdha. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka bërë publike se teksti i projekt marrëveshjes dhe projektvendimit ka pasur në thelb ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit, çka është më e rëndësishmja për të mos humbur më shumë kohë. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ruçi, sqaroi në mënyrë të prerë se selia rozë kërkon që në fillim të shtatorit ngritjen e këtij komisioni, i cili do të hetojë materialet zgjedhore, por ai hedh poshtë aludimet se kjo mund të bëhet duke djegur fletët e votimit. Nuk do të jetë as PD-ja dhe as PS-ja ata që do të vendosin për fatin e fletëve të kutive të votimit, por një arbitër i ndërmjetëm si Komisioni i Venecias. “Hetimi duhet të përmbajë fletët e votimit, në të kundërt Kryetarja e Parlamentit le t’i drejtohet një arbitri ndërkombëtar, siç është Komisioni i Venecias”, u shpreh Ruçi. Zyrtarisht kampi demokrat nuk jep asnjë përgjigje pas deklaratës së deputetit Gramoz Ruçi mbi këtë çështje, por burime pranë demokratëve bëjnë me dije se të drejtën për të bërë kërkesën në Komisionin e Venecias e ka vetëm Gjykata Kushtetuese. Socialistët nuk pranojnë hetim me fletë të djegura votimi. Sipas propozimit të tyre, këtë e vendos vetëm Komisioni i Venecias. Opozita kërkon që Komisioni i Venecias të vihet në lëvizje nga Presidenti, ose nga Kryetarja e Kuvendit, apo nga Këshilli i Europës ose nga Gjykata Kushtetuese. “Nuk ka hetim të zgjedhjeve me ekzekutim të fletëve të votimit. Le t’ia lëmë në dorë një arbitri asnjanës siç është Komisioni i Venecias”, tha Ruçi.

Partia Socialiste ka përgatitur një projektmarrëveshje për zgjidhjen e krizës politike dhe një projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009.

Si projektmarrëveshja ashtu dhe projektvendimi të paraqitur nga ana e socialistëve te Partia Demokratike, shpreh vullnetin politik të selisë rozë në tri drejtime. Tri kërkesat e socialistëve për të thyer barrierat e konfliktit njëvjeçar me partinë më të madhe në vend u bënë publike dje nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Socialistët kërkojnë një rezolutë të përbashkët për integrimin në Bashkimin Europian, ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet dhe pas hetimit të fillojë puna për reformën zgjedhore. “Së pari, në miratimin e një rezolute nga ana e Parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Së dyti, në angazhimin tonë për zgjidhjen e krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim. Së treti, angazhimin tonë politik për një reformë të plotë elektorale”, tha Ruçi. Lidhur me reformën zgjedhore, Ruçi u shpreh se Partia Socialiste është e gatshme për të bërë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nëse marrëveshja PS-PD dështon, socialistët janë gati të rinisin bojkotin ose protestat dhe kriza do të përkeqësohet, siguroi dje numri dy i selisë rozë, Gramoz Ruçi. “Nëse mazhorancës do t’i mungojë vullneti për të hedhur këtë hap, për të ngritur këtë komision, sigurisht që nuk do të ketë zgjidhje të krizës politike, do të ketë përkeqësim të saj. Opozita nuk do të ketë asnjë tërheqje, përkundrazi do të ketë një intensifikim të përpjekjeve të saj, gjithmonë demokratike, si në raport me funksionimin në Parlament ashtu dhe në raport me lëvizjet demokratike, siç janë protestat popullore”, tha Ruçi.

Po mbushen një muaj e gjysmë kur dy kampet më të mëdha politike në vend nisën tratativat për të ulur “armët” për stabilizimin e krizës politike. Tri takime mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare respektive të PD-së dhe PS-së në muajin korrik, dy prej të cilëve ishin zyrtare dhe një informale sollën ndërtimin e një draft-marrëveshje të dorëzuar nga Partia Socialiste më 27 korrik. Ishte pikërisht kjo marrëveshje për të cilën demokratëve iu deshën plot 28 ditë mendim për të dhënë verdiktin e tyre. Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi një konferencë për shtyp në kalanë e Petrelës për të deklaruar atë që nuk u arrit as te “Krokodili” në Strasburg dhe as në takimet e njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve në Tiranë. Një takim i fundit një ditë më parë mes një prej njerëzve më me influencë në Partinë Socialiste, Gramoz Ruçit, dhe dy prej kokave më të rëndësishme të PD-së, Sali Berishës dhe Jozefina Topallit në Pallatin e Brigadave, solli edhe finalizimin e paqes mes këtyre dy kampeve për të filluar në shtator në mënyrë urgjente punën për Komisionin Hetimor të Zgjedhjeve të 28 qershorit, me hetimin e materialeve zgjedhore.

Vizat

Shqiptarët do të marrin përgjigje për liberalizimin e vizave në fillim të muajit nëntor të këtij viti. Këshilli i Ministrave të Brendshëm Europianë ka marrë vendimin të shqyrtojë në mbledhjen e datave 8-9 nëntor kërkesën e Shqipërisë dhe Bosnjës për të lëvizur pa viza në zonën Shengen. Në këtë kuadër, në rast të një vendimi pozitiv nga ministrat e Brendshëm të BE-së, hyrja në fuqi e liberalizimit ndodh 20 ditë pas miratimit dhe përkon me festat kombëtare të Shqipërisë. Nga ana tjetër, KE-ja ka mbyllur dje vëzhgimet e saj në Shqipëri, për sa i përket plotësimit të kushteve shtesë për liberalizimin, por edhe për statusin e vendit kandidat. Shtatori dhe nëntori pritet tashmë të jenë decizivë për “fatin” europian të Shqipërisë. Ekspertët e Komisionit Europian mbyllën më 15 korrik misionin e tyre të fundit në terren dhe pas vizitës treditore në Tiranë pritet në muajin shtator edhe vlerësimi i tyre për kriteret që Shqipërisë i kishin mbetur për të plotësuar në këtë proces. Sipas zyrës së shtypit të KE-së në Tiranë, muaji shtator do të jetë vendimtar për sa i përket ambicies së shqiptarëve për të lëvizur të lirë pa viza drejt vendeve Shengen. “Duke u bazuar në raportet e ekspertëve, shërbimet e Komisionit Europian do të përgatisin vlerësimin e tyre për përmbushjen e kritereve të mbetura. Ky vlerësim do t’i paraqitet në muajin shtator Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian, të cilët do të vendosin më pas për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë”, theksohet në njoftimin për shtyp, duke lënë të kuptohet se këto institucione do të vendosin në mënyrë përfundimtare nëse shqiptarët do të lëvizin pa viza në fund të këtij viti. Përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian kanë përsëritur se liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë është një proces teknik dhe bazohet në meritën e çdo vendi për të përmbushur një sërë kushtesh të përcaktuara qartë. Por normalizimi i situatës politike deri në muajin shtator do ta ndihmonte më shumë këtë proces. Kjo, nisur edhe nga fakti se vendimi përfundimtar për heqjen e vizave do të merret nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të çdo vendi anëtar të BE-së, duke e bërë vendimin edhe politik. Por jo vetëm ekspertët për vizat kanë përfunduar vëzhgimin e tyre në terren. Fund këqyrjes së zhvillimeve në Shqipëri i kanë dhënë edhe ekspertët e KE-së për kërkesën e vendit tonë për të pasur statusin kandidat në Bashkimin Europian. Burime bëjnë të ditur se nga muaji prill i këtij viti deri në shtator, Shqipërinë e kanë vizituar gjashtë grupe ekspertësh të KE-së për përmbushjen e kritereve të kërkuara për statusin e vendit kandidat. Pas shqyrtimit edhe të pyetjeve shtesë të Pyetësorit të KE-së, ekspertët do të formulojnë edhe opinionin e tyre për këtë kërkesë të vendit tonë. Më pas do të jetë Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së, të cilët do të vendosin për aprovimin ose jo të statusit të vendit kandidat në BE. Në këtë pikë, kriteri politik i vendit tonë ka një rëndësi të veçantë.

Hapat

Qëllimi i propozimit është të thjeshtojë udhëtimin në vendet e Bashkimit Europian që kanë një politikë të përbashkët vizash dhe në vendet e asociuara me zonën Shengen, për qytetarët ë Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, duke e hequr detyrimin e aplikimit për vizë afat-shkurtër (deri në 90 ditë) për qytetarët e pajisur me pasaporta biometrike. Propozimi i Komisionit Europian është rezultat i një punë intensive për më shumë se dy vjet në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave, i cili filloi me këto dy vende gjatë gjysmës së parë të vitit 2008. Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, objektivi politik për udhëtim pa viza u vendos në Këshillin Europian në Selanik në vitin 2003. Si një hap i parë drejt udhëtimit pa viza, Komuniteti i atëhershëm Europian bëri marrëveshje lehtësimi për vizat dhe marrëveshje ripranimi me Bosnje-Hercegovinën, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë. Marrëveshjet hynë në fuqi në janar 2008 (Marrëveshja e Ripranimit me Shqipërinë hyri në fuqi që në maj 2006). Në përputhje me përfundimet e Këshillit në dhjetor 2007, dialogu për liberalizimin e vizave u hap me të pesta vendet gjatë muajve në vijim. Dialogu u bazua mbi përmbushjen e kërkesave të listuara në udhërrëfyes të detajuar. Zbatimi iu vlerësua rregullit dhe imtësisht nga Komisioni Europian me ndihmën e misioneve eksperte të Vendeve Anëtare. Progresi lejoi heqjen e detyrimit të vizave për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë në dhjetor 2009. Cilat vende preken nga propozimi? Të gjitha vendet e BE-së që bëjnë pjesë në politikën e vizave të BE-së: të gjitha vendet përveç Irlandës dhe Britanisë së Madhe.

Vendet e asociuara me zonën Shengen: Zvicra, Norvegjia, dhe Islanda.

Paralajmërimi

Më 11 qershor, ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë lëshuar një ultimatum real për krizën shqiptare, duke deklaruar se “është koha e fundit për zgjidhjen”. Këshilli për Punë të Jashtme të BE-së, në mbledhjen e mbajtur më 15 qershor që drejtohej nga baronesha Catherine Ashton, i mbajtur në Luksemburg, ka miratuar një deklaratë të posaçme për Shqipërinë, ku kërkojnë që qeveria dhe opozita të gjejnë me shpejtësi një zgjidhje për krizën politike në vend. Kjo u kërkua edhe nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, në një deklaratë pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë. “Të gjithë jemi të interesuar të shohim se ç’do të ndodhë me nismën e Daul dhe Schultz. Ne duam të arrijmë në një zgjidhje, sa më parë. Duam që Shqipëria të jetë në rrugën e BE”, theksoi përfaqësuesja e lartë e BE, duke qenë në një linjë diplomatike me deklaratën e përbashkët të ministrave europianë. Por deklarata e kryediplomatëve të BE-së në mënyrë edhe më të qartë thekson se “është limiti i fundit kohor për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale, në një bazë që do t’i qëndrojë testit të kohës”. Po kështu, Këshilli thekson se kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE do të shqyrtohet edhe sipas kriterit politik. Në lidhje me çështjen e vizave, Këshilli i Ministrave vendosi që pas përmbushjes së kritereve nga ana e Shqipërisë, secili nga vendet anëtare të BE-së do të japin veton përfundimtare. Këshilli inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në mënyrë aktive reformat e nevojshme për të implementuar në mënyrë të butë dhe të shpejtë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke marrë parasysh prioritetet europiane dhe përsërit mbështetjen për perspektivën europiane për Shqipërinë. Këshilli kujton se aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE i pranuar më prill të 2009-s, do të vlerësohet në përputhje me parimet e përcaktuara në Traktatin e BE-së dhe kriteret e përcaktuara nga Këshilli Europian i Kopenhagës në 1993, dhe po kështu, nga konkluzionet e dhjetorit të vitit 2006 të Këshillit Europian në konsensusin e rinovuar për zgjerimin. Këshilli ka rënë dakord që ta shqyrtojë këtë çështje kur komisioni të ketë paraqitur opinionin e tij.