Çdo punonjës ambicioz di si të jetë gjithmonë i vëmendshëm për mundësi më të madha në një vend pune. Një punëkërkues modern pret që të ngrihet në detyrë çdo 2-3 vjet, në mënyrë që të jetë mbi konkurrentët. Është e natyrshme për individët që të mbajnë një “sy hapur” për karrierën e tyre, të kërkojnë mundësi të reja që ofron tregu i punës. Edhe të ashtuquajturit punëkërkues “pasivë” duhet të jenë mendjehapur në lidhje me metodat e tyre të kërkimit, nëse presin rezultate pozitive, por dhe për të ruajtur atë qëndrim të mirë te punëdhënësi aktual. Punëkërkuesit, të cilët e kanë një punë, duhet të aplikojnë me shumë takt, në mënyrë që të mos rrezikojnë reputacionin e tyre.

Shmangini fushatat tepër agresive

Mundohuni të tregoheni profesional dhe diskret në të gjitha procedurat. Për shembull: të promovoheshit si i disponueshëm në faqet kryesore të kërkimit për punë do të ishte një gabim fatal, pasi do të viheshit re vetëm nga njerëzit e gabuar. Shmangeni postimin e CV-së tuaj kudo dhe mos i jepni mundësi kolegëve të dyshojnë për qëllimet që keni.

Kujdes nga ambienti që ju rrethon

Ju duhet të jeni në gjendje ta trajtoni kërkimin me vendosmëri dhe qetësi. Të merresh me rekrutuesit krijon stres dhe ndonjëherë është një barrë që duhet hequr, por sigurohuni që të punoni vetëm me persona që kanë reputacion të mirë dhe që dinë se si ta ruajnë privatësinë tuaj.

Sigurohuni mirë se me kë po bëni marrëveshje

Nëse shikoni apo dëgjoni për një pozicion pune të hapur, kjo do ishte ideale për ju. Është tundues fakti që të nisësh CV pa bërë kërkime apo pa pasur informacion të detajuar lidhur me pozicionin e hapur. Në rast se e vlerësoni punësimin tuaj aktual, atëherë ju nuk e keni luksin që ta bëni këtë gjë. Ju duhet ta dini saktësisht se cili menaxher punësimi do të lexojë CV tuaj dhe në bazë të të dhënave të së cilës kompani do të hyjë. Me qetësi, kujdes dhe durim ju mund të qëndroni i punësuar dhe i hapur për mundësi të reja karriere në të njëjtën kohë.

Si të përballoni tranzicionin

Ndryshimi i punës është si rrathët e një peme. Ato janë standardet e vendosura për sa i përket arritjeve, aftësive si dhe përvojës së punës. Nuk ka rëndësi puna, por karriera juaj. Kur braktisni një pozicion pune apo një pozicion ju braktis ju, kjo ndikon në jetën tuaj, pasi mund të krahasohet me një tragjedi nëse ndodh papritur. Personat nën moshën 30 vjeç kanë tendencë që të ndërrojnë shpesh vendin e punës. Gati çdonjëri prej nesh e ka përjetuar këtë eksperiencë.

Atëherë përse të mos e planifikoni ditën që ju do të largoheni që në ditën kur ju nisni punën. Kompanitë nuk janë investime komode kur bëhet fjalë për punën. Në fund të fundit, të punosh për një kompani nuk do të thotë të besosh apo të sakrifikosh për shërbimin apo produktin që ofrohet.

Kontrolloni rrjetet tuaja sociale

Kthejeni në një zakon që të qëndroni i lidhur me profesionistët dhe menaxherët në rrjetet me orientim profesional. Kur të vijë momenti që ju të kërkoni një punë tjetër, atëherë ju duhet të kontrolloni se çfarë lidhjesh ekzistojnë ndërmjet shefit tuaj aktual dhe punëdhënësit që ju po synoni. Kjo gjë mund të tërheqë vëmendjen e supervizorit tuaj apo mund t’ju krijojë mundësi për t’u lidhur me vendimmarrës, të cilët mund të jenë punëdhënës potencialë.

Kërkoni për një letër reference

Nëse jeni duke u larguar, është e drejta juaj të kërkoni një letër rekomandimi te drejtuesi, gjithmonë nëse keni ruajtur deri në fund marrëdhënie të mira.

Ruajini kontaktet

Një ditë pasi jeni larguar, përgjegjësia bie mbi ju për të ruajtur lidhjet me ish-kolegët tuaj, sidomos nëse largimi ka qenë i papritur. Mirë do të ishte të shkruanit një e-mail për të gjithë ish-kolegët, ku të bëni të ditur largimin nga puna. Përpiquni të jeni sa më profesional dhe të kujdesshëm, sepse ky e-mail mund të ridërgohet edhe te persona, të cilët kanë qenë pro largimit tuaj.

 

/ME PERSHTATJE NGA FORBES