Krimi i shëmtuar që ndodhi në Himarë ku humbi jetën një banor i zonës është komentuar shumë nga politika dhe nga mediat. Nuk jam dakort me shumë analistë që në shkrimet e tyre përdorin fjalën “aksident” ashtu si nuk jam dakort me ata që e përdorin për qëllime etno-politike. As mediat, as politika nuk duhet të marrë kompetencat e organeve të drejtësisë. Po ashtu nuk mendoj që disa të rinj, studentë universitarë kur kishin menduar të shkonin për të bërë plazh e pushime në jug të vendit të kishin në planet e tyre të vrisnin një njeri. Dhe më naivi nuk mund ta besoj një gjë të tillë.
Episodi është i shëmtuar, padyshim për t’u dënuar. Por a kishte sfond etnik? A humbi jetën personi pse fliste greqisht? Nuk është qëllimi im në këtë shkrim që të shpjegoj origjinën e himariotëve dhe të përsëris argumenta dhe kundërargumenta për kombësinë e kësaj zone edhe pse jam nip nga tre fshatra të Himarës dhe nuk flas asnjë fjalë greqisht. Ajo çfarë me jep shije të keqe në gjithë këtë është fakti pse ngjarje të tilla shfrytëzohen politikisht. Nëse disa gazetarë kritikojnë Berishën që shkon pret shirita me Bollanon e Himarës unë e vlerësoj këtë fakt derisa nuk pres që në krah të këtij të fundit të jetë Papandreu.
Tirana zyrtare heshti duke lënë të nënkuptojë që kemi të bëjmë me një krim ordiner. Por nuk heshti Vasil Bollano. Kryebashkiaku i Himarës edhe kësaj here nuk la t’i humbiste rasti për ta shfrytëzuar politikisht duke folur për krim mbi baza etnike, për të cilën kam shumë dyshime që ai mund ta besojë dhe vet ashtu si nuk e besojnë shumica e himariotëve. Për një koiçidencë të çuditshme njihja si shkaktarët ashtu dhe familjarët e viktimës e shumica e këtyre të fundit nuk e beson atë që thotë Bollano. Pse çdo gjë që ndodh në Himarë duhet të marrë këtë interpretim politik? Nëse shqiptarët do të kishin një urrejtje për grekët pse nuk kemi dëgjuar që të ketë konflikte e përplasje të këtij lloji në fshatrat e Dropullit të banuara nga minoriteti grek? Pse nuk kemi dëgjuar të sulmohet një shtetas grek nëpër Shqipëri apo të sulmohet një biznes grek, që janë më të shumtë në vendin tonë se vetë grekërit?
Sepse ne shqiptarët nga përvoja historikë nuk jemi një popull që dimë të urrejmë. Kemi dashur dhe duam rusët dhe amerikanët, israelitët dhe palestinezët, arabët dhe iranianët, turqit dhe grekët. Jemi një nga kombet që nuk mbartim urrejtje e mllefe edhe për ata që na kanë pushtuar, qofshin turq, italianë apo gjermanë. Ekziston një ndjenjë kolektive antipatie për grekët jo e lidhur me kombin e tyre, por me mënyrën përçmuese që ata trajtojnë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë atje.
Bollano nuk u mjaftua me çfarë tha politikisht por këputi dhe një gafë tjetër që trembi edhe vetë himariotët; të anullonin tërë prenotimet turistike. Turizmi është një pikë e fortë e kësaj zone. Shumica e banorëve të Dhërmiut e Himarës jetojnë dhe mbahen ekonomikisht nga turizmi. Turizmi është i vetmi sektor ekonomik që u sjell të ardhura, e vetmja pasuri vendase. Mijëra vërshojnë në plazhet e bukura të kësaj zone duke paguar çmimet më të larta në të gjithë vendin dhe i japin jetë krahinës që në dimër “pushon” së ekzistuari. Por këta turistikë nuk vijnë as nuk Selaniku e as nga Athina apo Korfuzi i ndodhur vetëm pak minuta larg. Vijnë totalisht nga Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke u sjellë himariotëve përfitime ekonomike të konsiderueshme në javët e verës sa për të jetuar tërë vitin.
Vetëm për këtë arsye himariotët edhe sikur të ishin eskimezë do të kishin mësuar shqip për t’u shërbyer më mirë klientëve të tyre dhe për t’i kënaqur ata, në mënyrë që këta të ktheheshin sërisht dhe të harxhonin kursimet vjetore të tyre.
E gjej pavend edhe nacionalizmin e disa të tjerëve që duan të shkojnë me flamuj kuqezi në Himarë. Nëse duhet të protestonim për sjelljen e himariotëve e për prepotencën e greqishtes së tyre, nuk duhet të shkojmë atje për pushime. Po të bojkotohej masivisht Himara dhe plazhet e saj nga qytetarët shqiptar himariotët do të ktheheshin sërisht në çobanë e bujq dhe nga humbjet e përfitimeve ekonomike që do të kishin, do të fillonin të mësonin edhe turqisht po të ishte nevoja.