Nga marrëdhëniet me NATO-n te problemet e koncesioneve ekonomike. Në dokumente përfshihet edhe Kosova

Sekretet e SHBA turbullojnë edhe Shqipërinë

Botimi i serisë së shkresave zyrtare nga Wikileaks hap debatin në Tiranë

Nga Ylli Pata

Skandali Wikileaks përfshin edhe Shqipërinë. Nisma e “çmendur” e australianit, me banim në Suedi, Julian Assange, i ka futur të dridhurat Tiranës zyrtare me lajmërimin se në sitin e tij të internetit do të botohen të dhëna mbi marrëveshjet më të rëndësishme që Shqipëria ka me fqinjët, por edhe me aleatët perëndimor. Pas tërmetit që shkaktoi në politikën botërore, duke lëshuar në rrjet fjalë të rënda për liderët më të fortë botërorë: nga Putin te Sarkozy, apo nga Berluskoni te Gedafi, ethet e sitit më të “frikshëm” në botë kanë mbërritur dhe në Tiranë. Jo vetëm me kërcënime por edhe me radiograme konkrete që tregojnë humorin e diplomatëve amerikanë për zhvillimet politike në Shqipëri. Por ajo që është më e dridhërueshmja është paralajmërimi për lëshimin e dokumenteve mbi marrëdhëniet greko-shqiptare, por ato ende nuk janë hedhur në rrjet.

NATO

Dokumenti i parë që faqja që administrohet nga austrialini Assange ka të bëjë me një takim në Paris mes këshilltarëve të ish-Presidentit të SHBA-së, Dick Cheney dhe ish-shefit të diplomacisë franceze, Bernard Kouchner. Takimi është zhvilluar më 16 janar 2008, pra rreth tre muaj përpara se Shqipëria të merrte ftesën zyrtare për anëtarësim në NATO nga samiti i Bukureshtit.

Biseda është përqendruar në disa tema, ku sigurisht NATO dhe riintegrimi i Francës në komandën ushtarake të Aleancës, kanë zënë një vend kyç. Duke diskutuar për zgjerimin e Aleancës, në telegram citohet shprehimisht njëri prej këshilltarëve francezë.

Errera tha se “Franca është e qetë me secilin prej tre kandidatëve të Kartës Adriatik tre. Veçanërisht Franca nuk ka asnjë problem me anëtarësimin e Kroacisë”. Megjithatë, Errera pohoi se Shqipëria duket se po e merr për të mirëqenë pranimin dhe lipset që të bëjë më shumë përpjekje për të fshirë çështjet e korrupsionit. Sa i takon Maqedonisë, Errera tha se qeveria e Maqedonisë nënvlerëson seriozitetin e çështjes së emrit për Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim. Franca nuk do të bëjë presion mbi Greqinë për këtë çështje. Ndër të tjera, nëse Athina do të lëshojë pe në çështjen e emrit, qeveria greke mund të bjerë, çka mund të sjellë një qeveri të re, që mund të jetë përgjegjëse dhe mesa duket armiqësore ndaj ratifikimit të procesit të zgjerimit”, thuhet në telegram. Nga një fjali e tillë, a mund të dilet në konkluzionin se anëtarësimi në NATO iu dhurua Shqipërisë? Kjo mbase është e tepruar. Por, fjalia na jep një ide se në ç’masë çështjet e korrupsionit të brendshëm në Shqipëri, mund të shndërrohen në çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke penguar nëse nuk zgjidhen, proceset integruese të Shqipërisë, kësaj here në Bashkimin Europian.

Guantanamo

Një nga faktet e përmendura në shkresat që Wikileaks ka hedhur në faqen e saj është edhe një radiogram në lidhje me dorëzimin në Tiranë të pesë shtetasve kinezë të etnisë uigure në maj të vitit 2005, të cilët shkaktuan një tërmet në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Pekinit. Në vitin 2005 SHBA nisi një ofertë ndërkombëtare për heqjen e të burgosurve nga Guantanamo dhe kalimin e tyre në vende të tjera. Por, ndërsa mjaft vendeve iu ofrua tepër në fushën diplomatike, si në Sllovaki një vizitë e Presidentit Obama, Shqipëria shfaqet i vetmi vend që mund të pranonte të burgosur pa shpërblim nga SHBA. “Megjithatë, vetëm pak aleatë disa ishin të etur për të ndihmuar SHBA-të për këtë çështje. Pas pranimit të pesë kinezëve myslimanë në 2006, Kryeministri i Shqipërisë në 2009, ofroi për rivendosjen në Shqipëri nga tre deri në gjashtë të burgosur, por jo nga Kina. Diplomatët amerikanë e portretizuan ofertën e tij si “madhështore, por ndoshta e tepruar”, thotë New York Times, duke cituar Wikileaks.

Nga ana tjetër, duke cituar dokumentin sekret, thuhet se “si gjithmonë, shqiptarët janë të gatshëm të shkojnë milje larg për të ndihmuar me një nga prioritetet tona kryesore të politikës së jashtme”. Duke iu referuar dosjeve ende të papublikuara në faqen e Wikileaks, për Shqipërinë ekzistojnë kablograma, të cilat janë korrespondenca të rregullta të Ambasadës Amerikane në Tiranë drejtuar Uashingtonit, nga viti i trazuar 1997 e deri në vitin 2010. Sipas analizës së informacionit paraprak që gazeta gjermane ka bërë për Shqipërinë, bëhet fjalë për 452 dosje për Shqipërinë, ndërsa vendi ynë përmendet në total në 822 dosje sekrete. Dokumentet sekrete për vendin tonë janë të Ambasadës Amerikane dhe datojnë nga viti 1997 deri në 2010. Sipas klasifikimit të dosjeve për Shqipërinë, njëra prej tyre është konsideruar tepër sekrete, për të cilën nuk kanë pasur dijeni as aleatët më të ngushtë të SHBA-ve. Njëkohësisht, edhe tetë dosje të tjera konsiderohen si sekrete, dy prej tyre të cilave si konfidenciale, por jo për të huaj, 147 dosje konfidenciale, 169 janë për përdorim të brendshëm dhe 125 të paklasifikuara.

Nafta

Mes akuzave për korrupsion ndaj qeverive të ndryshme, në fushën e industrisë energjetike, Wikileaks bëri të ditur se zotëron dhe dokumente për Shqipërinë, konkretisht për kompanitë e huaja që operojnë në vendin tonë. Këtë e ka konfirmuar vetë drejtori i Wikileaks, Julian Assange, në një intervistë ekskluzive për “Forbes”. Në këtë intervistë, mes të tjerash ai përmend një rast në Shqipëri të një kompanie kanadeze e cila ka puse në vendin tonë.

Bëhet fjalë për të njëjtin dokument të publikuar nga Wikileaks në 1 shtator të këtij viti. Dokumenti flet pikërisht për dëmet mjedisore, të pronës dhe shëndetit të banorëve në zonën e Visokës, nga kompania kanadeze “Banker Petroleum”, me lejen e autoriteteve shqiptare. Banorët e kësaj zone janë ankuar vazhdimisht për shpërthimet që kryente kompania në fjalë. Sipas Julian Assange, një inxhinier i një kompanie anonime kishte dërguar te “Wikileaks” fakte e detaje për kompaninë e naftës “Banker Petroleum”e cila ka shkaktuar një katastrofë mjedisore në zonën e puseve të naftës në Patos dhe zonat përreth, si pasojë e shpërthimeve për nxjerrjen e naftës. Kompania anonime, e cila dha detaje për shpërthimet në pusin e naftës, tregon se më pas vijoi hetimet për këtë situatë, ku kishte ndodhur një katastrofë mjedisore. Analizat treguan se rezultatet e testimit të ujit në terren ishin të ndotura në atë masë që uji nuk duhet të konsumohej pasi nuk ishte i pijshëm. Por më pas kompania sekrete thotë se Bankers kishte injektuar sërish ujë në një tjetër pus në Patos Marinzë dhe se fshati Sheqishtë, pretendon se uji po ndotet nga ujërat e puseve, duke shkaktuar përqindje të lartë të kancerit në mesin e popullatës. Pas shpërthimeve ka pasur dëmtime serioze në rreth 300 shtëpi.

Kosova

Duke qenë se përbën një nga angazhimet e Uashingtonit, Kosova padyshim që ka qenë mjaft e përmendur në dokumentet e hedhura me dyzinë nga rrjeti që ka shkaktuar gjurulldi në kancelaritë e gjithë globit. Njëri nga dokumentet, ku bëhet fjalë për Kosovën, i referohet vizitës së kryeministrit të Katarit në Uashington, me 4-5 janar të këtij viti. Në takimet që ai ka pasur me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, atij i është kërkuar datë specifike se kur Katari do të njohë Kosovën, pas votës së dhënë pro anëtarësimit të shtetit të ri në FMN dhe Bankën Botërore. Sipas mesazhit të publikuar nga Wikileaks mbi takimin, vetë zyrtaret nga Katari kanë deklaruar se ishin pro njohjes së Kosovës, por se presidenti rus Dimitri Medvedev i kishte bërë thirrje që të ecej me hapa të ngadaltë në këtë drejtim. Në fillim të shtatorit, kryeministri kosovar Hashim Thaçi, ndodhej për vizitë zyrtare në Katar, ku mori premtimin nga autoritetet e këtij vendi për njohjen e Kosovës në një periudhë mjaft të shkurtër.

“Wikileaks” pretendon se ka 668 dokumente sekrete të zyrës (më vonë ambasadës) së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Këto dokumente janë dërguar në Uashington dhe supozohet se përmbajnë vlerësime mbi gjendjen në Kosovë, por edhe detaje e mendime të diplomatëve amerikanë mbi aktorët politikë të vendit. Në 668 dokumentet përfshihen analiza të ndryshme të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth ngjarjeve politike në Kosovë, të shkruara nga ambasadorët apo diplomatët amerikanë të akredituar në Kosovë gjatë viteve 2000-2009. Nga 668 dokumentet e botuara për Kosovën, dy janë sekrete (pa të drejtë për shtetasit e huaj), një është sekrete, 13 janë konfidenciale (pa të drejtë për shtetasit e huaj), 325 konfidenciale të përgjithshme, 191 të paklasifikuara vetëm për përdorim zyrtar, dhe 136 të paklasifikuara apo të përgjithshme.

Në dokumentin e botuar në tabelën e aferave në shtetin e Francës, disa komente interesante përmenden edhe për misionin europian për sundimin e ligjit (EULEX). Diplomati francez Jean-David Levitte deklaron se misioni i EULEX-it është duke u ballafaquar me probleme serioze diplomatike me qeverinë kosovare dhe publikun pas nënshkrimit të dy protokolleve me Serbinë. Ata shpresojnë për vazhdim të qetësisë publike në Kosovë gjatë zgjedhjeve komunale. Zëvendëssekretari amerikan, Philip Gordon, thotë që Kosova do t’i pranojë protokollet me Serbinë domosdo, por duhet që t’iu shpjegohet qartazi qeveritarëve kosovarë se këto janë marrëveshje teknike që nuk e prekin statusin e pavarësisë së Kosovës. Levitte po ashtu akuzon edhe ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, duke thënë se nuk është duke bërë asgjë për t’i bindur serbët që të kthehen apo të inkuadrohen në qeverinë e Kosovës. Levitte shton se Jeremiç bën “premtime të mëdha” sa herë që vjen në Francë,

por asgjë nuk realizohet pastaj. Si rrjedhojë, ambasadori francez Levitte refuzon të takohet me të dhe nuk e sheh si “një fytyrë moderne të Beogradit”. Publikimi i këtyre analizave rreth ngjarjeve politike në Kosovë të shkruara nga diplomatët amerikanë që dërgohen në Departamentin e Shtetit mund të janë bumerang i madh për partitë politike që kanë qenë në pushtet prej vitit 2004 deri në 2010, sepse një pjesë e madhe e dokumenteve përmban afera korrupsioni dhe krimi për shumë shtete të botës. E përditshmja angleze “The Guardian”, ajo spanjolle “El Pais”, dhe ajo franceze “Le Monde”, janë të parat që i kanë publikuar disa nga materialet. Edhe “The New York Times” i ka publikuar disa dokumente, por të censuruara, duke marrë parasysh rrezikun që mund t’u shkaktojnë shumë punëtorëve diplomatikë amerikanë në botë. Zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dashur të komentojnë dokumentet “Wikileaks”. “Policia e EULEX-it ka nënshkruar një protokoll me Policinë e Serbisë dhe jo dy siç kanë raportuar mediat.

Godo

Historiani e politikani Sabri Godo shprehet se publikimi i dosjeve sekrete nga Wikileaks për Shqipërinë dhe vendet fqinjë, mund të jetë me dobi për vendin tonë. Sipas Godos, së pari mund të ketë të vërteta për ngjarjet e vitit 1997, pasi sipas tij, ka pasur ndërhyrje nga jashtë për të kurdisur shkatërrimin e Shqipërisë. “Për një gjë jam i bindur, që në ato ngjarje atëherë ka pasur ndërhyrje nga jashtë. Nuk ka qenë çdo gjë e kurdisur përbrenda. Askush nuk kishte mundësi t’u jepte përmasa të atilla ngjarjeve të ’96-s pa një ndërhyrje dhe mbështetje nga jashtë. Si ka qenë, në ç’forma është bërë, deri ku ka shkuar, të gjitha këto mbeten për t’u parë. Gjithsesi, janë ngjarje të së kaluarës që nuk duhet të kenë ndonjë ndikim të madh në zhvillimin e marrëdhënieve aktuale. Por shënimet duhen mbajtur”, u shpreh Sabri Godo. Politikani Godo komentoi edhe mundësinë e ndërhyrjes amerikane për rrëzimin e Marrëveshjes së Ujërave mes Shqipërisë e Greqisë. “Mua nuk do më dukej ndonjë habi e madhe, të kishte ndonjë lloj ndikimi të tërthortë të Amerikës, kjo ka të bëjë me interesat strategjike në tërësi, por dhe me politikën që ndiqet ndaj një vendi në veçanti. Në çdo rast, Amerika ka mbrojtur interesat tona. Kjo do të provokojë një debat ku do të përfshihet e gjithë bota. Unë e shoh si gjë të dobishme, mbase qeveritë do të vihen në vështirësi, ai që nuk njeh të kaluarën është i destinuar të përsërisë gabimet”, tha Godo.