Mbyllet më në fund anomalia e Parlamentit, 64 deputetët e opozitës bëjnë betimit

Socialistët kanë ndërprerë politikisht bojkotin e tyre gjashtëmujor duke hyrë në Parlamentin e Shqipërisë, megjithëse praktikisht kanë dalë jo më shumë se një orë pas hyrjes së tyre.

Vendimi ka ardhur pas një debati të ashpër brenda vendit dhe një negocimi të fuqishëm ndërkombëtar që është mbyllur me vizitën e delegacionit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës. Ky ka qenë hapi i parë i kthimit të legalitetit në institucionin kryesor të vendit siç është legjislativi.

Betimi

Deputetët socialistë, grupi më i madh parlamentar i opozitës në historinë e Shqipërisë pluraliste, hynë më 25 mars në Kuvend pas gjashtë muajsh mungese, duke sfiduar fuqishëm Kryeministrin Sali Berisha, njëkohësisht kreu i mazhorancës. Ata i dhanë fund dilemës së mandateve, garantuan rrogat mujore dhe bindën LMN-në të respektojë vendimet e forumeve. Kuvendi i Shqipërisë dukej si në inaugurimin e tij dhe jo gjashtë muaj më vonë. Interesi më i madh mediatik, diplomatik dhe politik ishte fokusuar në seancën e djeshme. Por selia rozë (duket e dirigjuar nga një dorë e kujdesshme) kishte përgatitur gjithçka me detaje. Në fillim vijnë në seancën e Parlamentit disa deputetë socialistë të limituar, në numër të drejtuar nga “veterani” Namik Dokle, si pararojë e një akti politik të kushtëzuar. Kalojnë disa minuta dhe më pas Dokle del nga salla për të pritur kolegët, të cilët vijnë si një turmë e madhe të drejtuar nga Gramoz Ruçi. Gjithçka duket si një festë, edhe pse socialistët kanë kryer një marshim koreografik për të demonstruar forcën e numrave. Nuk kanë munguar përshëndetjet dypalëshe. Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, puthet si një mikeshë e vjetër me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, ndërsa deputeti Fatmir Toçi, i cili hyri krah për krah me ambasadorin italian, Saba D’Elia, ka përshëndetur si Bregun, ashtu edhe ministrin Ruli. Ndryshe nga ç’e mendonin të gjithë, në Kuvendin e Shqipërisë hyn “rebeli” Ben Blushi, gazetari dhe shkrimtari që është shpallur si oponent i vijës zyrtare të partisë së tij. Me duar në xhepa, deputeti Blushi përshëndet njerëzit e botës së tij, gazetarët, dhe futet në portën e madhe pa e çarë kokën nëse e bëri me të majtën, apo me të djathtën. Ardhja e deputetëve socialistë ka qenë një eveniment që i ka mbushur lozhat e Kuvendit me diplomatët e akredituar në Tiranë. Përveç ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobio, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së BE-së, kanë ardhur ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlëham, zv/ambasadorja e SHBA-së, Debora Johns, ambasadori i Italisë, Saba D’Elia, por edhe diplomatë të rajonit, si i kudogjenduri Zhelko Peroviç, ambasadori i Malit të Zi, apo dhe Gazmend Pulaj, ambasadori i Republikës së Kosovës. Kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, ka paraqitur kushtet e opozitës në Kuvend, të cilat janë të qarta: mazhoranca të lejojë hetimin, transparencën e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit, ndryshe opozita do të nisë protestat popullore. “Ne nuk po kërkojmë pushtet, por një të drejtën tonë kushtetuese, ne po kërkojmë një të drejtë që do t’u vlejë të gjitha opozitave në Shqipëri”, ka deklaruar Ruçi.

Draftet e PS-së

“Në përputhje me nenin 77, pika 2 e Kushtetutës, ne kërkuesit, mbi 35 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, po paraqesim këtë kërkesë për ngritjen e një Komisioni parlamentar Hetimor, për të hetuar shkeljet e ligjit, të ndodhura gjatë përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009”, thuhet në kërkesë.

Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës zgjedhore për personat e dënuar për vepra penale dhe çështje të tjera të lidhura me zbatimin e ligjit zgjedhor, që kanë lidhje direkt apo indirekt me problemet e përmendura në objektin e hetimit. Në draft thuhet se hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar për sa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse. Procesi i hetimit, përveç dokumenteve apo provave të tjera që parashikon ligji në fuqi, do të përfshijë edhe këqyrjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar, i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, me qëllim ndalimin përfundimtar të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore. Komisioni përbëhet nga 15 anëtarë, shumica e të cilëve i përket partisë më të madhe të opozitës, që ka edhe kryesimin e komisionit, ndërsa zgjat jo më pak se 5 muaj.

Propozohet që në rastet kur kërkohet të hetohen problematika të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, apo të zgjedhjeve të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit duhet t’i përkasë partisë më të madhe opozitare. Komisioni mund të vendosë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar, sipas rastit, një ose disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një ose disa kutive të fletëve të votimit, duke urdhëruar rinumërimin e tyre.

Berisha

Hyrja e opozitës në Parlament pas gjashtë muajsh bojkoti u përgëzua nga mazhoranca në pushtet. Por, vetëm kaq. Krerët më të lartë të mazhorancës, Kryeministri Berisha, Kryetarja e Parlamentit Topalli dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së e konsideruan si një fitore të demokracisë, rikthimin e grupit parlamentar socialist në Parlament. Pavarësisht pritjes, nga ana e mazhorancës nuk munguan batutat dhe as vendimi i palëkundur i shumicës për të mos pranuar asnjë kërkesë e cila lidhet me hapjen e kutive të votimit. Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, përgjatë seancës plenare theksoi se duhet të ishin vetë deputetët e opozitës ata që duhet të kuptonin të parët se kutitë nuk mund të hapeshin, sepse kompetencat e Parlamentit dhe të ekzekutivit nuk e lejonin një gjë të tillë. Në këtë kuadër ai i ftoi deputetët e PS-së, të bëheshin realistë dhe të kuptonin themelin e demokracisë, ndarjen e tre pushteteve. Berisha përmendi në fjalën e tij edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit legjislativi shqiptar nuk kishte të drejtën as të cenonte autonominë vendore dhe jo më pastaj të arrihej të diskutohej për cenimin e kompetencave të gjykatave. “Kështu që besoj se edhe kultura juaj juridike, parlamentare, sepse shumë prej jush kanë disa legjislatura në Kuvend, janë të mjaftueshme, ta perceptojmë njëlloj realitetin dhe jo në mënyra të ndryshme dhe pastaj të mbetemi me slogane që nuk shërbejnë”, bëri thirrje Kryeministri Berisha.

Por, Kryeministri theksoi se ai i garantoi opozitës të gjitha të drejtat që i takonin në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, madje ishte i gatshëm t’i jepte asaj edhe të drejta shtesë. Madje, ai e ftoi opozitën të bënte edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në rast se ajo do e kërkonte diçka të tillë. “Sërish jam këtu për të garantuar opozitën se do të ketë dhe këtë të drejtë, do jetë përcaktuese në të gjithë kuadrin elektoral në rast se dëshiron edhe sistemin le ta ndërrojë, në rast se dëshiron le të përdorë teknologjitë më të larta, ndonëse me procesin e numërimit ne realizuam një gjë të parealizuar deri sot”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri përmendi në fjalën e tij edhe çështjen e mandateve të Qarkut të Fierit, pas “sfidës” që deputeti socialist, Gramoz Ruçi, i bëri për hapjen e kutive të Komunës Ruzhdie në këtë qark. “Ruzhdija është një qendër elektorale, në të cilën tre komisionerë të Partisë Socialiste u larguan që në mëngjes, morën vulën dhe ikën”, argumentoi Berisha. Sipas tij, rinumërimin në atë qendër e ka hedhur poshtë Gjykata e Apelit dhe për këtë arsye mazhoranca kishte hequr dorë nga kërkimi i të drejtës së saj për këtë zonë. “Nga Sali Berisha as keni pasur dhe as do të keni asnjë akuzë. Problemi juaj është te gjykata”, theksoi Kryeministri.

Deklarata e KiE-së

Në përfundim të vizitës së tyre në Shqipëri, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), Mevlüt Çavusoglu, liderët e pesë grupeve politike dhe bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë u bëjnë thirrje partive politike t’i japin fund krizës aktuale politike në vend, në mënyrë që të vazhdojnë me reformat jetësore të nevojshme. Ata besojnë se mungesa e dialogut parlamentar minon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit. Ata vërejnë se si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mirëpritën Rezolutën 1709 të APKE-së mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, të miratuar në sesionet plenare janarin e shkuar, në përgjigje të së cilës Presidenti Topi mblodhi një tryezë të rrumbullakët të liderëve politikë shqiptarë më 13 shkurt 2010. Delegacioni përgëzon Presidentin dhe inkurajon atë të vazhdojë përpjekjet e tij. Ata arrijnë në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në parimet e mëposhtme:

Lidhur me termat e referencës të komisionit parlamentar, delegacioni i APKE-së vë re se të dy palët bien dakord që kjo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Delegacioni është i mendimit se kjo do të ishte e mjaftueshme për të mundësuar pjesëmarrjen e përhershme të opozitës në punën e Parlamentit. Ai u bën thirrje atyre ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.

1. Krijimi pa vonesa të tjera të një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një shumicë efektive;

2. Ky komision hetimor duhet të përgatisë amendamentet për Kodin Elektoral në përputhje me rekomandimet e misionit  ndërkombëtar të vëzhgimit dhe të Rezolutës 1709;

3. Opozitës do t’i jepej një numër i drejtë i kryesive të komisioneve parlamentare.