Dashuria e këngëtares Soni Malaj me balerinin italian, Mirko Luccarelli, një histori gossipi apo një lidhje e vërtetë? Të gjitha detajet që rrëfejnë si lindi dhe si po e përjetojnë këtë ndjenjë. Të lumtur, por sa do të zgjasë kjo dashuri? Kush është balerini që turbulloi mendjen e Soni Malaj dhe sekretet e pathëna mes tyre.

Nëse “Dancing with the stars”, dikush do ta kujtojë për çmimin e madh, dikush për protagonizmin, ndonjë tjetër si eksperiencë të veçantë, Soni Malaj do ta kujtojë si spektaklin që i dhuroi dashurinë. Dhe sikur kjo dashuri të ketë fatin të jetojë aq gjatë, sa t’u mbijetojë xhelozive, tradhëtive, shpërthimit të komplekseve aq sa të bëhet e padurueshme, mund të thuhet vërtet që ata të dy janë njerëz me fat. Në këtë rast do të ishte një kujtim i paharruar për Sonin dhe Mirkon e saj.
Pas zhgënjimeve dhe dështimeve në dashuri, dhe pas shumë kohe pa raporte sentimentale, më në fund Soni Malaj hidhet në krahët e një balerini italian, duke pranuara se është e dashuruar. Madje lidhjen e tyre, e kanë bërë publike pikërisht në natën e skualifikimit, duke e kurorëzuar deklaratën me një puthje.
Kështu, bashkë me flamenkon, balerini italian i ka “mësuar” Sonit edhe dashurinë. Ai është Mirko Luccarelli, një balerin i njohur në Itali, kryesisht për kërcimin e flamenkos, që u bë “mësuesi” i Sonit gjatë spektaklit “Dancing with the stars”.
Lind një pyetje: Soni Malaj, vërtet ndihet e dashuruar, apo është rrëmbyer nga fiziku andaluzian i Mirkos, nga tradita spanjolle, të cilën balerini e zotëron mjaft mirë, apo nga romanticiteti tipik italian? Nga larg fiziku i tij është perfekt: forma të përkryera, porpocionale, befasuese….. Por, fatmirësisht as Malaj nuk ka defekte, që në të kundërt, vallëzimi përmes gjysmëlakuriqësisë së tij, do t’ia vinte në dukje. Të dy duken një çift mjaft i bukur. “Më publike se kaq, nuk kemi se çfarë e bëjmë”, ka thënë Soni Malaj, për lidhjen e tyre, pas skualifikimit nga gara e “Dancing with the stars”, pa shprehur asnjë peng për humbjen e garës, sepse siç i thonë një fjale: “Kush ka fat në lojë, nuk ka fat në dashuri”, ndërsa Soni uron, që fati i dashurisë t’i buzëqeshë kësaj here.

Kur dashuria rrëmbehet!

Në rastin e tyre nuk mund të thuhet qartë se cili rrëmbeu dashurinë e tjetrit. Në fillim marrëdhënia e tyre ishte një sherr i gjatë dhe i vazhdueshëm, një prelud që zakonisht ndodh tek të gjithë të dashuruarit, një acarim disi i pakuptimtë, por që në gjuhën e dashurisë e ka një deshifrim. Ata grindeshin gjatë provave për çdo gjë, megjithëse kalonin një pjesë të madhe të kohës bashkë, “edhe pse pa dëshirën” e Sonit, siç tregonte ajo vetë. Duke qenë se Mirko ishte mysafir dhe nuk njihte shumë njerëz, nuk dinte rrugët, nuk dinte pothuajse asgjë për Tiranën, Soni “ishte e detyruar” ta shoqëronte ngado.
Madje shkonte edhe ta merrte në shtëpi me makinë dhe së bashku shkonin në prova, ku si në një rreth vicioz fillonin e nuk mbaronin grindjet e tyre. Madje kur një mik e kishte pyetur Sonin se si shkonin provat në “Dancing with the stars”, ajo ishte shprehur se “nuk ndihej fort mirë për shkak të partnerit të saj”. E megjithë këto grindje dhe inate të vazhdueshme mes tyre, çuditërisht rrinin bashkë, të veçuar nga të tjerët, ndonëse marrëdhëniet i kishin të mira me të gjithë. Kur një ditë dikush i tha Sonit “Shiko, se ky djali duket se është i dashuruar pas teje!”, ajo nuk ka mundur ta besojë, sepse nuk e kishte menduar se pikërisht aty do të gjente dashurinë e munguar prej kohësh. Dhe erdhi një ditë kur Mirko “i vodhi” asaj puthjen e parë në palestër, sigurisht pa praninë e kamerave. Që nga ky moment zënkat mes tyre morën fund, sepse u gjet ilaçi për t’u luftuar “mikrobi i rrezikshëm”.
Soni thotë se “nuk e kishte menduar kurrë që do ta gjente dashurinë në “Dancing with the stars” e aq më tepër me një balerin italian. Ky raport me sa duket i ka bërë mirë këngëtares, e cila nuk është pikëlluar aspak nga eleminimi që do ta çonte drejt finales. Përkundrazi, pikërisht atë natë ata kanë daklaruar dashurinë e tyre, e cila prej kohësh përflitej nga konkurrentët e tjerë, të cilët ç’është e vërteta kishin vënë re diçka. “A nuk është e bukur”? ka thënë Mirko para kamerave atë natë duke i dhuruar asaj një puthje”, ndërsa mezi kanë pritur që të mbaronin edhe duartrokitjet e fundit e të shkonin në shtëpinë e Sonit. Aty gjetën bekimin e të gjithëve dhe përveç këtij bekimi, gjetën edhe një pulë me pilaf që mamaja e Sonit kishte gatuar asaj nate. Janë përqafuar dhe gëzuar të gjithë bashkë dhe pasi kanë marrë pulën me pilafin e gatuar enksa për ta, kanë shkuar në shtëpinë e Mirkos për të kaluar atje natën e parë të deklarimit publik të dashurisë së tyre, duke pirë dhe shijuar gatimin oriental.

Mirko, tradicional?

Mirko e konsideron Sonin si “dashuria e jetës sime” dhe nxiton t’i japë asaj puthje sa më shumë. Po a është kjo lidhje, apo “fidanzamento”, siç thonë italianët, ajo që kërkon dhe shpreson Soni, një lidhje që do ta çojë larg, deri në martesë? Ajo thotë se Mirko është një italian që duket sikur ka marrë anët më të mira të shqiptarëve. I edukuar, shumë xhentil, i rreptë kur duhet, shumë i rregullt në punë e mbi të gjitha shumë romantik. Ai, madje i ka bërë punët përsëmbari, sepse pasi kanë zbuluar se janë të dashuruar, Mirko i ka kërkuar “dorën tek i ati”, sigurisht për t’ia bërë qejfin Sonit (një traditë kjo që vetë të rinjtë shqiptarë tashmë e kanë lënë pas). Sipas zërave që qarkullojnë, kjo do të pasojë me zyrtarizimin e mëtejshëm të lidhjes sepse kanë vendosur që babai i Mirkos të vijë në Tiranë për të sjellë unazën. Pak i habitshëm ky fakt, nëse kemi parasysh traditën kristiane, sipas së cilës, unazat shkëmbehen vetëm në kishë ditën e ceremonialit të dasmës dhe ky bekim bëhet para zotit. A e njeh aq mirë Mirko dallimin mes dy traditave dhe a ka aq vlerë për Mirkon kjo unazë e vënë në gishtin e Sonit, jashtë kishës? Apo është thjesht sa për t’i bërë qejfin Sonit? E gjitha kjo mbetet për tu parë. Aq më tepër që koha e njohjes së tyre ka qenë mjaft e shkurtër, ndonëse shumë intensive.
Pavarësisht këtyre vetë Mirko ndihet i lumtur për të gjitha këto që i ndodhën në Shqipëri. “Në Tiranë, përveç mikpritjes dhe miqësive, gjeta edhe dashurinë”, deklaron ai.

 

Kur dashuria të lë pa gjumë

Tani është rradha e Sonit të rrijë pa gjumë. Dashuria është e bukur, por ka edhe ca siklete që Soni si çdo femër e di mirë. Ndonëse nuk pranon të japë detaje, apo intervista, miqtë e saj flasin për ndjenja të zjarrta mes të dyve, puthje, ledhatime, fjalë të ëmbla, lokale që i frekuentojnë bashkë, njohje familjare. Madje Mirko ka filluar të shoqërojë Sonin në të gjitha koncertet jashtë vendit. Pas një periudhe të turbullt sentimentale, Soni ndihet më në fund e lumtur. Tani jetojnë bashkë dhe po përpiqen të ndërtojnë diçka. Por sa do të zgjasë e gjitha kjo? A është thjesht dashuri, apo një tundim pasioni? Si do të vijojë lidhja e tyre në distancë?
Një fjalë e urtë thotë “Larg syve, larg zemrës”, por si do ta shkurtojnë ato distancën? Soni është një këngëtare e njohur në Shqipëri dhe në diasporë, por ngjan si utopike të pretendohet që të njëjtin sukses ta ketë edhe në Itali. Mirko vërtetë që po e shoqëron gjatë këtyre ditëve në koncertet e saj, por ai ka vetë një karrierë personale, të ngritur me shumë mund dhe që nuk mundet ta shkelë me këmbë.
Zyrtarizimi i lidhjes së tyre është një lajm që ka entuziazmuar Sonin dhe familjen saj. Por, a do të vijë pas kësaj periudhe martesa??? Vështirë të thuhet që tani!

 

“Dirty dancing” për Sonin e Mirkon

Vajza që nisi karrierën muzikore në moshën 15 vjeçare dhe që deri pak kohësh shoqërohej kudo nga mamaja, tani është një femër e pjekur, 28 vjeç. Nuk është penduar aspak që ka marrë pjesë në “Dancing with the stars”. Talenti për kërcimin nuk e la në baltë, duke u bërë shpejt një nga konkurrentet më të forta të spektaklit, por edhe joshja e buzëqeshjes së saj i ka dhënë një shpërblim goxha të mirë: lidhjen me Mirkon. Është aq e rritur sa për të mos fshehur më asgjë dhe për të menduar për të ardhmen.
E turbulluar nga dashuria, ende nuk e di se ç’drejtim do të marrë jeta e saj. Destinacioni do të jetë Italia, kurse “fluturimi me Mirkon”, sikundër “fluturimi me Florin”, që kishte numrin 3470, ende nuk e ka një numër…..

“Ex Carramba boy”

Kur Mirko Luccarelli, erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në “Dancing with the stars”, shumë pak dihej për të. Por në një kohë të shkurtër ai u bë protagonist. Nuk mjaftoi talent i tij si kërcimtar, hijeshia dhe sharmi si mashkull, por sidomos dashuria me Soni Malaj, e shndërroi atë menjëherë në një personazh të dashur për publikun shqiptar. Mirco Luccarelli, një artist mjaft ambicioz, i etiketuar në Itali, sidomos si “balerini i flamenkos”, sot në moshën 33 vjeçare e shtrin karrierën e tij mes baletit dhe filmit. Njihet ndryshe si “ex Carramba boy”, pasi pasioni i tij për baletin e ka reshtuar që herët në kastin e balerinëve të spektaklit “Carramba, che sorpresa”! As diploma e shkollës së mesme për ekonomi, nuk ia ndrydhi atij pasionin për sportet, duke filluar që nga artet marciale, deri tek tek atletika, apo volejbolli, me të cilën ka arritur deri në serinë A2.
Por të gjitha këto mbeten pasione të së shkuarës. Sot Mirko Luccarelli angazhohet si balerin dhe aktor profesionist. Shfaqja më e sukseshme e tij si balerin, ka qenë ajo e para një viti në Raiuno, me titull “Incredibile”, drejtuar nga Veronica Maya, me pjesmarrjen e gjashtë balerinëve, ndër të cilët edhe Mirco Luccarelli.
Ndërkohë arritje ka shënuar edhe karriera e tij si aktor, në filma artistikë dhe televiziv, si përshëmbull, në serialin “Cuori rubati” në Raidue, “Un posto al sole”në Raitre, “La squadra”sërish në Raitre, apo në muzikalet teatrore si, “Grease” dhe “Mi vida”, një muzikal kushtuar flamenkos.

Djali që prishi gjumin e aktores Manuela Arcuri

Diva italiane, e vlerësuar për hiret e saj të jashtëzakonshme, për lidhjet, flirtet, dashuritë dhe pasionet e saj të papërmbajtura, rendit në listën e gjatë të meshkujve të saj, edhe emrin e balerinit Mirko. Ka qenë një bum i vërtetë për median rozë në Itali, fakti që Manuela Arcuri, në verën e vitit 2008, në kohën kur kishte zyrtarizuar lidhjen me avokatin barez Ezio Costantino, është fotografuar në Capri duke shëtitur me “mjeshtrin e flamenkos” dhe më tej duke hipur në një jaht luksoz. Asaj kohe gazetat u morën shumë me bukuroshen Arcuri dhe balerinin e hijshëm që po i prishte mendjen bukuroshes Arcuri. Por me gjithë mjegullën që përhapën këto fotografi, nuk pati konfirmim nga asnjëra pale, që të zyrtarizonte, apo kundërshtonte flirtin mes dy personazheve. Dhe kur gjërat nuk kanë një kundërpërgjigje të menjëhershme, konsiderohen si të mirëqëna. Mirko Luccarelli është prerja e artë e një artisti. Është i gjatë 185 cm, peshon 77 kg, ka sytë dhe flokët ngjyrë kafe të errët dhe konsiderohet një sex simbol i vërtetë.

Zhgënjimet e Sonit

Flori…… një aventurë!

Dashuria, apo lidhjet mes këngëtarëve nuk janë diçka e panjohur për muzikën shqiptare. Modeli i show bizit ndërkombëtar bëhet një guidë domethënëse për t’u pasuar. Duke frekuentuar të njëjtat rrethe miqësore, të njëjtat aktivitete, apo konkurrime, dhe mbi të gjitha, duke pasur të njëjtën dëshirë dhe pasion për muzikën, mjaft dashuri lindin dhe jetojnë, të tjera ngelen vetëm flirte, të destinuara për shtypin rozë, e më të paktët prej tyre arrijnë të martohen dhe të kenë një jetë të lumtur së bashku.
Soni dhe Flori, ishte një histori që nisi e fshehtë, si të gjitha lidhjet e kësaj natyre. Gosipi shqiptar e kishte pikasur që herët, por megjithatë kjo ndjenjë nuk ishte pranuar asnjëherë prej tyre, derisa të rinjtë u fotografuan së bashku, krah për krah njeri-tjetrit, si spektatorë në një shfaqje të madhe me publik Vip. Kaq mjaftoi që konfirmimi të vinte: “po, ata ishin të dashuruar”!
Intervistat erdhën të menjëhershme, Soni dhe Flori kudo bashkë, thonin se ishin të lumtur. Orë pa fund të studion e Florit dhe mjaft deklarata dashurie. Dhe mbi të gjitha, një këngë që i kushtohet dashurisë së tyre. Ka titullin “Fluturimi 3470. E kompozon vetë Flori, e këndojnë në “Këngën Magjike”, në fund të këngës një puthje në skenë dhe bëhen fitues të çmimit të dytë. Po ç’ndodhi më pas me Sonin e Florin? Të kursyer në deklarata ata pranuan vetëm se “mori fund”.
Por, pavarësisht kësaj deklarate, miqtë e tyre tregonin se ata ende ishin nuk ndarë përfundimisht dhe se takimet vijonin në fshehtësi të plotë. Sigurisht jo si më parë, por rreth një, ose dy herë në javë. Ndoshta lidhja e fortë që përjetuan nuk mundi t’i ndajë dot plotësisht nga njëri-tjetri. Bisedat në telefon gjatë ditës vijonin ndërsa ledhat dhe përkëdheljet ende nuk kishin marrë fund. Madje Flori akoma bënte këngë për Sonin. Por koha bën të veten. Me ndarjen e tyre premtuan se do ngeleshin miq dhe se nuk do t’i prisnin udhën bashkëpunimeve mes tyre, por e çara u thellua. Prezantimi i klipit “Me faj, pa faj” kompozuar po nga Flori, u organizua pa praninë e tij, edhe pse Soni pohoi atëherë se ishin shokë dhe bashkëpunimet e tyre në muzikë do të vazhdonin ende. Kjo ishte e para shfaqje publike si të ndarë, ndërkohë që kishin prezantuar të dy klipin “Zigzag”, ku Flori shfaqej dhe vetë në klip.

2. Destinacioni….Parisi!

Një karrierë në ngjitje, por jo në dashuri. Pas ndarjes përfundimtare me Florin, destinacioni i Sonit u bë kryeqyteti francez, Parisi. Edhe pse u mundua që gjërat t’i mbante nën kontroll, shumë shpejt nisi të përflitej lidhja e saj e re. Udhëtimet e herëpashershme drejt Parisit lidheshin me dashurinë e re të Sonit, me të dashurin francez të cilin e takonte një herë në muaj. Qëndronte me të për disa ditë e më pas kthehej në Tiranë. Tejet e rezervuar për këtë histori, shumë pak gjëra u morën vesh rreth saj. Veç faktit se ishin njohur në Tiranë dhe se djali vinte për bizneset që e lidhnin me kryeqytetin shqiptar. Djali nga Parisi arriti të fitonte vëmendjen e këngëtares, e cila nga ana tjetër përgënjeshtroi çdo detaj të kësaj historie. “Arsyeja e vetme që shkoj në Francë, është mikja ime Elja, të cilën e vizitoj shpesh, do të deklaronte ajo”.

Soni Malaj, 24 shtator 1982 (peshorja) ka mbaruar studimet e larta për frëngjisht. Konsiderohet si ndër këngëtaret më seksi dhe të paguara të showbizit shqiptar. Soni Malaj ka qenë për një kohë të gjatë në qendër të vëmendjes për lidhjen me kantautorin Flori Mumajesi dhe pas tij me një mashkull francez, identiteti i të cilit ka mbetur anonim. Kësaj rradhe ajo deklaron fuqimisht dashurinë dhe fejesën me balerinin italian Mirko Luccarelli.

Mirko Luccarelli është balerini italian, i apasionuar pas flamenkos që gllabëroi zemrën e bukuroshes Soni. I ftuar në Tiranë gjatë spektaklit “Dancing with the stars” mes dy të rinjve lindi një ndjenjë e bukur dashurie, të cilën ata nuk hezituan aspak ta shpallnin me një puthje para publikut. Luccarelli është pjesë e botës televizive italiane dhe spanjolle. Ai ka spikatur si balerin dhe aktor. Emri i tij u bë mjaft popullor në verën e 2008-ës, kur paparacët e fotografuan së bashku me aktoren italiane Manuela Arcuri duke shëtitur në rrugët e Caprit.

Mirko Luccarelli, 6 shkurt
1977
Soni Malaj, 24 shtator 1982