Me lindjen dhe formimin e kombeve dhe aq më tepër të atyre të bazuar në shtetin komb, lindi edhe nevoja për të patur simbole kombëtare që shërbenin si një mjet jo vetëm identifikimi kombëtar,  por edhe bashkimi për një popullsi të caktuar, edhe kur kjo kishte kompaktesi etnike apo ishte e bashkuar territorialisht. Ngritja në kult e këtyre simboleve ishte një praktikë që në shumë shtete u kthye në një ideologji,  e cila shërbeu për të bërë për vete masat dhe për t’u dhënë atyre një identitet, rreth të cilit të lidhnin përkatësinë e tyre kombëtare.

Kjo ka ndodhur pothuaj në të gjithë vendet e Europës, por dhe në shumë vende të botës kur u është dashur të legjitimojnë heqjen e kolonializmit apo ndarje territoriale të shteteve shumëetnike.

Në Europë ngritja në kult dhe ekzaltimi ndaj simboleve kombëtarë solli në lindjen e nacionalizmit si një ideologji e re, mbi të cilën janë bazuar pothuaj të tëra ideologjitë e tjera ekstremiste,

sidomos ajo fashiste dhe naziste. Dhe pothuaj në të gjitha rastet ato ndodhin në kombe të “kompleksuara” për ekzistencën e tyre si dhe për përkatësinë ndaj një simboli apo miti, qoftë antikiteti apo i sajuar rishtaz.

Kështu gjermanët e kohës së nazizmit, si pasojë e një kohe të shkurtër bashkimi kombëtar kishin nevojë për këto elementë. Ishin shumë të paktë edhe ata vetë që besonin se një prusian mund të jetë i të njëjtit komb me një bavarez.

Apo në rastin e Italisë, që një siçilian të ishte i të njëjtit komb me një piemontez.

Edhe kombi shqiptar ka simbolet e veta kombëtarë, të cilët janë mitizuar në momente të vështira të historisë sonë si një nevojë jo vetëm mbijetese kombëtare, por edhe në raste siç ka qenë periudha e shtypjes serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Mitizim që arriti kulmin gjatë periudhës së luftës dhe ndërhyrjes së Natos shoqëruar edhe me një rilindje të folklorit e të traditës.

Rasti shqiptar ka edhe veçori specifike duke qenë se simbolet historike kombëtarë koinçidojnë me ato të shtetit shqiptar, duke e bërë të vështirë përdorimin e tyre nga bashkëkombasit tanë që jetojnë në shtetet fqinj.

Edhe pse janë historikisht edhe simbolet e tyre kombëtarë në mënyrë keqdashëse interpretohen si përkrahje e simboleve të Shqipërisë, duke dhënë shkaz për dëshira hipotetike bashkimi territoresh. 

Në një demokraci e aq më tepër në një demokraci republikane si kjo e jona, përdorimi i simboleve kombëtarë në politikë është krejt i pavend, sidomos nëse bëhet fjalë për krijimin e një konsensusi politiko elektoral.

Por edhe në rastin e një lëvizjeje siç vetëquhet sot Aleanca Kuq e Zi, është krejtësisht e pavend që të kërkohet të arrihet diçka në emër të këtyre simboleve. Dhe nëse në një të ardhme të afërt kjo do të veprojë si parti politike,

siç është shumë e sigurt që do të ndodhë, nuk do të jetë më vetëm e pavend, por spekullative.

Spekullative sepse kërkohet të arrihet një masivizim dhe mbështetje popullore në emër të flamurit dhe të shqiponjës, për të cilat masat e gjera janë shumë të ndjeshme. Pra kërkohet të preken ndenjat emocionale dhe patriotike tek njerëzit,

sidomos tek shtresat më pak të shkolluara dhe te njerëzit më pak të formuar. Këto elemente simbolikë kombëtarë nuk i përkasin lëvizjeve, grupimeve apo partive politike, por tërë kombit, brenda dhe jashtë kufijve administrativë.

Dhe e tashmja historike e shqiptarëve nuk e kërkon atë, derisa vitet e fundit historia ka punuar shumë në favorin tonë.

Flamurit, shqiponjës, Skëndërbeut dhe Ismail Qemalit i drejtohemi nëse do të shkonim në luftë, ku shqiptarët do të ishin të gatshëm edhe të jepnin jetën, si e kanë bërë në të gjitha luftërat, përfshirë edhe këtë të fundit në Kosovë.

Apo për solidaritet dhe ndërgjegje ndaj një pjese të kombit që mund të diskriminohet më shumë. Por të bësh politikë dhe të kërkosh elektorat me këto simbole duke lidhur marketingun publicitar televiziv me patriotizmin e shqiptarëve, do të jetë më shumë se spekulative.

Një mashtrim politik, të cilit po t’i shtoje edhe mitet e legjendat antike, nuk do të kishte aspak ndryshim nga ajo që bëri Musolini dhe Hitleri me vendet e tyre.

Nga Arjan Konomi