Po pse shteti nuk e ka në vëmendje sportin?

Pse politikat sportive janë në dëm të zhvillimit të sportit?

Deri kur sporti do të vazhdojë të qëndrojë në varësi të politikës?

do të vazhdojnë të largohen më sportistë si Elis Guri për faj të politikave të gabuara?

Politika e ka mbërthyer sportin prej gryke dhe njerëzit e veshur me pushtet flasin me zell të madh, në kohë fushate apo në studio televizive, por kur vjen momenti për të bërë ligje që të përmirësojnë dhe rrisin cilësinë sportive, ata kthehen në  demonë

Largimi i Elis Gurit nga Shqipëria me destinacion Bullgarinë, mund të konsiderohet si një nga goditjet

më të rënda që ka marrë sporti shqiptar në 20 vitet e fundit, edhe pse “shteti” mburret me faktin se është i vetmi sportist që “braktisi atdheun”,

që nga eksodi masiv i fillim viteve ‘90, me Pirro Dhimën, Luan Shabanin, Viktor Mitru, Mirela Manjani, etj.

Madje më paradoksale është kjo ngjarje kur dëgjon ministrin e Sporteve që me krenari thotë se kjo mund të quhet një arritje, përderisa lëvizja e lirë është një mundësi e mirë për të gjithë shqiptarët. Por kjo është një goditje shumë e rëndë.

Nëse 20 vite më parë mund edhe të pranonim faktin, ashtu siç edhe ndodhi, se ishte e pamundur që legjendat e peshëngritjes apo atletikës të bënin sport në Shqipëri, sot pas 20 vjetësh demokraci kjo është e pafalshme.

Vërtetë jemi një vend i vogël dhe me një situatë ekonomike jo shumë të favorshme për të bërë sport apo për të përgatitur kampionë bote, por shteti është në gjendje që të mbajë 10 sportistë cilësorë për aktivitetet më të rëndësishme sportive botërore dhe europiane,

ku ngrihet flamuri dhe këndohet himni, madje duke i krijuar këtyre sportistëve edhe kushtet më të mira të mundshme.

Si të gjitha aspektet e tjera të jetës edhe sporti është mbërthyer në politika prej gryke dhe njerëzit e veshur me pushtet po ia marrin frymën në mënyrë graduale.

Për sportin të gjithë flasim me zell të madh, në kohë fushate apo në studio televizive, të gjithë duan biletën më të mirë në kur stadium vijnë skuadrat më të mira të botës, por kur vjen momenti për të bërë ligje që të përmirësojnë dhe rrisin cilësinë sportive,

politikanët kthehen në demonë dhe devijojnë pretimet, në kurriz të sportit. Madje ka edhe nga ata që kanë bërë për shumë vite sport dhe të veshur me kostumin politik të njërës apo tjetrës parti, ngrejnë në mënyrë barbare kartonin në dëm të sportit.

Po pse shteti nuk e ka në vëmendje sportin? Pse politikat sportive janë në dëm të zhvillimit të sportit? Deri kur sporti do të vazhdojë të qëndrojë në varësi të politikës? A do të vazhdojnë të largohen më sportistë si Elis Guri për faj të politikave të gabuara?

Largimi i Elis Gurit nga Shqipëria

Pak kohë më parë të gjithë mësuam lajmin e jashtëzakonshëm, që Elis Guri u shpall kampion bote. Për fat të keq për Bullgarinë! Politikanët tanë për të hequr prej vetes përgjegjësinë, deklaruan se Elis Gurin e largoi vetë sporti,

më saktë Komiteti Olimpik Shqiptar, që pezulloi sportistin për gjestet antisportive në Asamblenë e KOKSH. Por një dokument i zbuluar nga federata e mundjes mësohet se sporti më i madh në 20 vitet e fundit, i dalë nga sporti shqiptar është lejuar në mënyrën më banale të largohet nga Shqipëria.

Pas kërkesës së vazhdueshme të Bullgarisë, pak ditë përpara zhvillimit të Asamblesë Klubi Dinamo dhe Federata e Mundjes, i kishin dhënë lejen e largimit sportistit, duke ia bërë gati Bullgarisë një kampion të madh.

Edhe në këtë rast Elis Guri u përdor nga politika, për të prishur Asamblenë Zgjedhore të KOKSH, e më pas si shpërblim i dhanë mundësinë të garonte në një vend tjetër, atëherë kur ishte pothuaj gati të shpallej kampion me Shqipërinë.

Vendi i 8-të në Olimpiadën e Pekinit ishte një sinjal jo për trajnerin e tij apo federatën e mundjes, por për shtetin, që me krahët e këtij kampioni të ngrinte flamurin shqiptar në një olimpiadë.

Infrastruktura, asnjë ndërtim i ri

Shteti trumbeton prej kohësh demagogjinë se e ka vëmendjen të lartë te sporti, madje duke investuar në ambiente sportive, por duket se këtu thyhet edhe maja e lapsit.

Thuhet lapsi pasi edhe në ato pak raste kur flitet për sportin, bëhet gjatë fushatave elektorale, ndërsa premtimet mbeten vetëm në kronikat televizive.

Vetë ministri aktual i sporteve pak kohë më parë me mburrje deklaroi se është bërë një investim shumë i madh në infrastrukturën sportive, por edhe në këtë rast gënjeshtra është aq e madhe dhe e dukshme,

sa nëse do të zhvishej nga kostumi i zyrtarit, do t’i vinte zor edhe vetë atij nëse do të dëgjonte këto deklarime.

Asnjë impiant i ri sportiv, asnjë palestër, fushë, apo pista vrapimi nuk janë ndërtuar gjatë 20 viteve të fundit, por më e keqja është se edhe ato ekzistuese janë duke u rrënuar krejt. Prej kohësh kompleksi Partizani nuk ekziston më,

e fatin e tij do të kenë së shpejti dhe ai Dinamo, e shumë të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Sporti nuk luhet e zhvillohet nëse nuk ekziston një infrastrukturë e mirë dhe në Shqipëri një gjë e tillë është krejt e pamundur për t’u bërë.

Ka më shumë se dy vjet që flitet për ndërtimin e një stadiumi të ri kombëtar. Madje u përcaktuan edhe limitet kohore të realizimit, por askush nuk e di sot e kësaj dite nëse do të ketë një impiant të tillë,

ndërkohë UEFA dhe organizmat e tjera ndërkombëtare kanë hequr edhe të vetmin stadium kombëtar nga lista e ambienteve të mundshme për të zhvilluar aktivitete ndërkombëtare.

Federatat me dy koka

Një nga “çmenduritë” që është shfaqur shumë shpesh vitet e fundit është ajo e ekzistencës së federatave me dy drejtues ose e thënë ndryshe nga dy presidentë, duke bërë që përfaqësimi në aktivitete kombëtare dhe ato ndërkombëtare të marrë drejtimin e gabuar.

Mundja, noti, gjimnastika, shahu, por edhe shumë federata të tjera kanë humbur pafund talente dhe sportistë, teksa kapriçot e tekat e njërit apo tjetër president kanë marrë peng disiplinat përkatëse. Shumë sportistë nuk kanë mundur të bëjnë përpara,

e më keq akoma duke mos u përfaqësuar asnjëherë, edhe pse kanë patur shumë për të dhënë. Ka edhe nga ata sportistë që për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve kanë kërkuar largimin nga Shqipëria. Shteti i pafuqishëm për t’i dhënë zgjidhje,

e më keq akoma kur në të shumtën e rasteve favorizon njerëzit e gabuar, i bën një dëm të madh sportit dhe sportistëve, që humbasin stërvitjen, vëmendjen dhe në fund edhe garën. Njerëzit e vërtetë të sportit “bredhin” nëpër dyert e gjykatave, në kërkim të një të drejte që asnjëherë nuk lexohet drejt!

Olimpiada pa sportistë

Përfaqësimi i Shqiprisë në Lojërat Olimpike ka patur një rritje progresive në vitet e fundit dhe ndër të tjera përfaqësimi është bërë falë kualifikimit individual dhe ekipor për sporte të ndryshme, ndryshe nga shumë herë të tjera ku ishim në pritje të ftesave inkurajuese nga Komiteti Olimpik Botëror.

Shqipëria është përfaqësuar në Lojërat Olimpike vetëm 6 herë që nga viti 1972 në Mynih të Gjermanisë dhe përfaqësimi ka qenë gjithnjë shumë modest, duke nisur që nga marrja e ftesave e deri në pjesëmarrjen në aktivitet.

Në vitin 2000 në Sidnej të Australisë Shqipëria u përfaqësua me vetëm katër sportistë, dy atletë, një qitës dhe një peshëngritës.

Katër vjet më vonë në Athinë me shtatë sportistë, dy atletë, dy peshëngrits, dy notarë dhe një mundës dhe në vitin 2008 në Pekin, ku si asnjëherë më parë Shqipëria u përfaqësua me 11 sportistë, dy mundës, dy atletë, një qitës, tre peshëngritës, një xhudist dhe dy notarë.

Madje Olimpiada e fundit ishte një arritje shumë e madhe, duke marrë parasysh që nga këta sportistë vetëm tre prej tyre ishin me ftesa, ndërsa pjesa tjetër erdhi me kualifikim të drejtpërdrejtë dhe ekipor, sipas disiplinave.

Por kur duken më pak se 10 muaj nga Olimpiada e radhës, ajo e Londrës 2012, Shqipëria ende nuk ka asnjë sportist të kualifikuar dhe kjo e bën të shëmtuar situatën. Askush nuk ka punuar me seriozitet në institucionet përgjegjëse, qofshin këto politike dhe sportive.

Nëse federatat rrinë me sytë nga ministria, për të përfituar ndonjë copësh shpërblimi, nga institucioni politik ka vetëm një ngërdheshje, shumë të shëmtuar, pikërisht nga njerëzit që përfaqësojnë sportin në shtet.

Shumë prej sportistëve djersisin çdo ditë më shumë punë, por askush nuk është ‘i ngopur’ dhe i qetë për të arritur suksesin.

Politikat sportive

Është e qartë që lidhja e sportit me politikën është e pandashme, por kjo duhet të bëhet në një kontekst të drejtë. Themi të drejtë pasi politika duhet të jetë promovuese, mbështetëse dhe shtytëse e sportit dhe vlerave të tij, duke hartuar dhe zbatuar ligje dhe politika zhvillimi.

Por një gjë e tillë nuk ndodh, madje edhe ato ligje që politika harton më shumë e dëmtojnë sportin. Njerëzit që mendojnë se hartojnë politikat sportive janë veçse disa demagogë, të veshur me kostumin e partisë në pushtet, që nëpërkëmbin dinjitetin dhe vlerat sportive. Të “mbytur” me një grusht para të “vjedhura” po nga xhepat e sportistëve, këta njerëz që e cilësojnë veten si njerëzit e sportit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë agoninë e tij.

Disa shesin mend me enciklopedira boshe, shumë të tjera me tema shkencore të paprovuara, të tjerë me programe tenderash, e shumë të tjerë me thashetheme zyrash të harruara prej vitesh.

Më të turpshëm këshilltarët e ministrisë, që kur rrota u kishte zënë bishtin të bënin detyrën në pankinat e varfra, luteshin që sporti të binte në duart e sportistëve, e tani që shohin nga tribuna janë kthyer veçse në ca shushunja të pangopura për para e rryshfet.

E shëmtuar është fytyra e tyre, kur luten për një rrugë jashtë shtetit, në duar mbajnë firmën për fondet e aktiviteteve sportive të rëndësishme për disiplina të ndryshme. Rasti më i fundit dhe më banal është ai i peshëngritësit Erkand Qerimaj. Deri në javën e fundit përpara startit të botërorit kualifikues, sportisti që ka sjellë më shumë medalje së asnjë sportist tjetër për Shqipërinë i bën një shantazh të vërtetë.

Mes një vendi krejt absurd dhe arrogant drejtuesit e federatës i hoqën trajnerin personal, duke e lënë në mëshirë të fatit për këtë aktivitet. Çështja mori një jehonë të madhe mediatike dhe shumë shpejt çështja shkoi në veshin e kryeministrit. Vetëm me një telefonatë gjithçka u vendos në vend dhe Qerimaj gjeti drejtësinë. Po për sa kohë sporti do të drejtohet nga këta katilë që politika i vendos jerm për politika klienteliste?