Atelieja e saj ndodhet në një nga zonat kryesore të kryeqytetit. Në një hapësirë jo shumë të madhe janë sistemuar copa, materiale, veshje, stilime që dallojnë nga njëra –  tjetra, por që të gjitha kanë diçka të përbashkët, stilin e rafinuar dhe elegant të Suzana Maranakut.
Teksa hyn në ambientin e saj të punës e kupton se aty çdo gjë është në lëvizje të përhershme. Telefonat nuk rreshtin, shpesh ka radhë tek dera e saj, gjë që tregon se Zana njihet mjaft mirë dhe sepse ajo është shpesh shpëtimi i “minutës së fundit”. Veshjet, e sidomos fustanet, janë pika më e dobët e një gruaje dhe ajo e njeh mirë “thembrën” e Akilit. Me duart e saj, profesionalizmin dhe idetë që e karakterizojnë, çdo punë shndërrohet në një copëz të vërtetë arti.

Ka tridhjetë vite që e ushtron profesionin e rrobaqepëses dhe nëse e pyet për punën, ajo edhe në kulmin e lodhjes, zhurmës, e rrëmujës së një ditë plot peripeci, di të thotë me buzëqeshje se është puna më e bukur që mund të bënte ndonjëherë. Pasioni i shkëlqen sytë, lëvizjet e shpejta reflektojnë ide ë qarta dhe fantazi. Në fund veshjet materializojnë gjithçka. Dhe përsëri Zana, kërkon të ndërhyjë, edhe atëherë kur ka mbaruar, edhe atëherë kur fustani është i veshur në trup. Pasioni i saj nuk gjen paqe. E megjithatë të tërë mbeten të kënaqur. Do të kthehen sërish në atelienë më të njohur, tek Shallvaret, aty ku Zanën e njohin të gjithë.

Tendencë luksi, në rritje

Të qepesh veshje, të përditshme, ato që i përdorim në raste festash apo evente,  sot është një luks që nuk mund të arrihet nga gjithkush.
Vetëm falë një pune të mirë arrin të kesh veshjen që ke dëshiruar, atë të cilën  mund ta kesh parë në katalogët që dalin nga pasarelat më të bukura të stilistëve në emër. Dhe nëse do të bënim një krahasim se si përjetohet fenomeni mes perëndimit dhe Shqipërisë, në rastin e parë luksin e kanë vetëm aristokratët. Pra njerëzit më të pasur apo ata që në gjuhën popullore quhen vipa. Në atelienë e Zanës vijnë kryesisht femra që kanë të ardhura të mira, janë gra në karrierë, të njohura, biznesmene, por edhe ato që i përkasin botës së njohur të spektakleve.
Veshjet që preferohen më shumë janë fustanet, kostumet, këmishat elegante, pardesytë çdo gjë brenda stilit casual dhe atij klasik. Në punën e saj ajo nuk di të imponojë, jep ide, përpiqet t’i shkojë në pështatjen më maksimale dëshirës së shprehur nga personi i interesuar. Motoja e saj është të punojë pa u lodhur, duke respektuar detajet më të vogla të shprehura. Ndaj edhe këmbëngul duke thënë se tendenca për të vajtur te rrobaqepsi nuk ka për t’u zhdukur ndonjëherë. Gjithmonë njerëzit do të kërkojnë diçka ndryshe, jashtë serisë, që nuk e gjen në dyqane. E bukura dhe e veçanta është stili, kur ndryshe të bën më të dallueshëm. Njerëzit janë gjithmonë në kërkim të së bukurës. Kërkesat për të bërë gjëra të veçanta rriten dita ditës. Preferohet unikja. Ndaj edhe të frekuenturit e një rrobaqepsi është luks.

Me klientelë besnikë

Suzanën nuk e frikëson konkurrenca brenda fushës sepse eksperienca e ka ndihmuar në profesion. Atelieja që ajo ka sot, sigurisht, që nuk u krijua rastësisht. E ka të trashëguar nga e ëma. Ajo ka qenë një nga stilistet dhe rrobaqepset e para në Tiranë e cila ka bërë edhe sfilatën dhe katalogun e parë në Shqipëri. Kjo është edhe arsyeja që kjo punë nuk është për të vetëm në kuadrin e zanatit, por më tepër. Është pasioni i kultivuar dhe trashëguar ndër vite. Një traditë familjare që vijohet, e që duke parë kënaqësinë dhe rezultatet që jep duket se s’do të mbarojë kurrë. Ndaj edhe gjetjen e klientëve nuk e ka aspak të vështirë. Puna që ajo ka me njërzit është punë e gjatë, sistematike, si një rreth vicioz. Punon me të njëjtët klientë, të cilët kanë gjetur besimin dhe qetësinë në punën e saj. Sepse ata kanë vërtet nevojë, dhe Suzana duket se ia ka përmbushur më se miri ato. Rikthimi i tyre prej vitesh i ka dhënë asaj suksesin që ka dashur.

Të veshësh me personalitet

Ato që kërkohen më tepër janë fustanet dhe kostumet. Gratë janë ato që ‘shqetësojnë’ më shumë Zanën, nga çdo moshë, që nga gjimnazistet e deri te gjashtëdhjetë vjeçaret. Të parat vijnë për të qepur fustane për mbrëmjet e maturës apo ballot që në këtë moshë nuk kanë të sosur. Preferon të punojë klasiken të cilën e thurr bukur me modernen. Kështu realizon edhe artin e saj unik, duke e bërë atë të veçantë nga të tjerët. Gjithmonë, Zana, synon të përshtasë modelin me personalitetin e brendshëm të femrës. Çdo gjë duhet të jetë në unison sipas saj. Nuk mund të lërë pas dore edhe të përditshmen, që jo rastësisht edhe këtu nuk mund të dalë nga vetvetja. Edhe tek veshjet e tilla rrobaqepsja thurr me perin e klasikes sepse ajo beson që një grua e bukur duket e tillë vetëm nëse reflekton klas. Klientët që vijnë i besojnë këtij stili, që më shumë është shndërruar në një marrëveshje mes saj dhe atyre. Në këtë komunikim të thjeshtë dhe profesional është arritur ajo që synohet.

Nëse do të bënim një krahasim se si përjetohet fenomeni mes perëndimit dhe Shqipërisë, në rastin e parë luksin e kanë vetëm aristokratët. Pra njerëzit më të pasur apo ata që në gjuhën popullore quhen vipa. Në atelie, sot, shkojnë kryesisht femra që kanë të ardhura të mira. Janë gra në karrierë, të njohura, biznesmene, por edhe ato që i përkasin botës së njohur të spektakleve.
Veshjet që preferohen më shumë janë fustanet, kostumet, këmishat elegante, pardesytë çdo gjë brenda stilit casual dhe atij klasik.