Lajmet se në Shqipëri po mbërrinin të huajt për të blerë apartamente dhe toka nuk vijnë më nga agjencitë e pasurive të paluajtshme në vend. Interesi dhe shitjet kanë rënë ndjeshëm dhe ky vit nuk pritet të ketë ndonjë përmirësim.

“Që nga mesi i vitit 2008 pati një stopim të kërkesës nga të huajt dhe kjo po vazhdon edhe sot e kësaj dite”, thotë Marin Le Corre, drejtues i agjencisë imobiliare “Balkimo”. Sipas tij, shitjet te të huajt kanë rënë rreth 90% nëse krahasohen me periudhën pozitive 2007 – gjysma e parë e 2008-s.

Për Stela Dhamin të “Colliers International” në Shqipëri, tashmë është një moment pritjeje, ku edhe ata të huaj që mund të kenë interes real për të blerë, po presin se ç’do të ndodhë, nëse do të ketë apo jo ulje çmimesh.

Rënia e blerjeve nga të huajt është një fakt që konfirmohet nga të gjithë përfaqësuesit e agjencive imobiliare të pyetur nga “Monitor” dhe fakti është që edhe ky vit nuk pritet të sjellë ndonjë përmirësim real në kërkesën dhe interesin e tyre për prona të patundshme në Shqipëri.

Pse ra interesi

Shkaku kryesor që ka ndikuar në rënien e blerjeve nga të huajt është kriza globale financiare që nisi dhe e thellua pikërisht në ato shtete ku jetojnë edhe blerësit më potencialë të pasurive të patundshme.

“Kriza në Britaninë e Madhe apo në vendet e tjera të Europës Perëndimore nisi pikërisht në mars të 2008-s dhe në mesin e këtij viti në Shqipëri ra ndjeshëm interesi nga të huajt”, thotë Le Corre i “Balkimo”.

Shqipëria pati një efekt pozitiv nga marrja e ftesës për aleancën e NATO-s në muajt e parë të vitit 2008, që solli një garanci më shumë për stabilitetin dhe të ardhmen e sigurt të vendit. Por kjo zgjati pak, sepse shumë shpejt nisi kriza financiare në vendet e zhvilluara të Europës.

Faktor kryesor që ka penguar të huajt të vijojnë me blerjet e tyre është mungesa e financimeve nga ana e bankave. Bankat në të gjitha vendet e zhvilluara, por edhe në Shqipëri, kanë hezituar që në vitin 2009 të japin kredi. Situata e bumit, e cila zgjati deri në gjysmën e parë të 2008-s duket se tashmë ka përfunduar. “Kjo vlen edhe për kreditë, por edhe shitjet e pasurive të patundshme, sidomos në vende të caktuara të rajonit, si Mal të Zi apo Kroaci”, thonë agjentët e pasurive të patundshme.

Për Stela Dhamin e “Colliers International”, rënia e shitjeve ka qenë shumë e theksuar tek apartamentet rezidencialë dhe më pak te projektet tregtare. Sipas saj, shkak i rëndësishëm që në vend kanë rënë blerjet është mosluhatja e çmimeve të pasurive të patundshme në Shqipëri, krejt ndryshe nga vendet e tjera të rajonit.

“Nëse hedhim një sy në Kroaci, Bullgari apo Mal të Zi, vëmë re një rënie të ndjeshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitin 2009, por kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri. Megjithëse ndërtuesit ankohen se janë në krizë, çmimet këtu vazhdojë të rezistojnë”, shpjegon Dhami.

Viti 2010, jo rritje të kërkesës

Ky vit nuk pritet të ketë rritje të kërkesës për blerje pasurish të patundshme nga të huajt. Situata pritet të jetë e njëjtë me atë të 2009-s, ku edhe çmimet duket se do të vijojnë të rezistojnë.

“Nuk presim ndonjë risi pozitive apo ndryshim në treg. Mund të themi që do të vazhdojmë të jemi në një situatë konstante”, thotë Dritan Caka i “Dev Information”.

Ky vit duket se do të shtojë në treg edhe më shumë “okazionet”, sepse mjaft individë apo kompani që kërkojnë të shesin do të ulin çmimet për të tërhequr blerës.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Aktualisht në vend, çmimet e trojeve variojnë në varësi të zonës dhe oportuniteteve të zhvillimit që ofrojnë. Në aksin industrial Tiranë-Durrës janë edhe çmimet më të larta, me një vlerë prej 100-200 euro/m².

Çmime të larta ka edhe në zonat turistike të preferuara të vendit, si në disa zona të Durrësit, kryesisht Gjiri i Lalzit apo edhe në Jug. Këtu çmimet luhaten nga 80-150 euro/m².

Ndërkohë, për sa i përket apartamenteve rezidenciale (komplekse luksoze apartamentesh), ato kryesisht shtrihen në Tiranë, në periferi të saj. Këtu çmimet janë nga më të ndryshmet, sepse janë në varësi të hapësirës, komoditetit apo pozicionit, duke u luhatur nga 1500-2000 euro/m2.

Në vend ka një zhvillim edhe të komplekseve të vilave, kryesisht në zonën e Farkës dhe në këto ndërtime synohet pikërisht që blerësit të jenë të huaj apo edhe vendas me të ardhura relativisht të mëdha. Çmimet e vilave luhaten nga 2000-3500 euro/m², ku një vilë shkon nga 200 mijë deri në 1 milion euro.

Dukuria

Në Kroaci, Bullgari apo Mal të Zi, është vënë re një rënie të ndjeshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitin 2009, por kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri. Megjithëse ndërtuesit ankohen se janë në krizë, çmimet këtu vazhdojë të rezistojnë

Në një situatë të tillë, të huajt kanë zgjedhur të presin edhe në ato raste kur ata vërtet kanë interes real për investim. Por fakti që në Mal të Zi, Bullgari, Kroaci e Serbi çmimet kanë rënë shumë, i bën ato vende më me interes.

Agjencitë

Sipas përllogaritjeve tona ka rreth 10,000 apartamente të pashitura vetëm në Tiranë dhe rreth 2,000 të tjerë në Durrës. Gjatë këtij viti, me siguri që do të ketë ulje të çmimeve, sepse situata do të vështirësohet edhe më shumë për ndërtuesit

Ndërtuesit

Ndërtuesit konfirmojnë se nuk kanë ndërmend që të bëjnë ndonjë ulje çmimesh. Indiferentë i lë edhe shtrenjtimi i monedhës me të cilin ata kryejnë transaksionet, euro

Ku ka interes

Kryesisht të huajt në Shqipëri kanë interes në blerje tokash, apartamente rezidenciale si dhe qendra tregtare.

“Kjo është një situatë vëzhguese për të gjithë investitorët, por gjithsesi vijon të ketë interes në zhvillim vilash dhe zona industriale. Është e vërtetë që ka rënie të blerjeve, por këto vihen re më shumë tek ata të huaj nga shtete që janë prekur më shumë nga kriza”, thotë Dritan Caka i “Dev Information”.

Sipas tij, të huajt që po shfaqin për momentin interes në Shqipëri janë italianët dhe kryesisht si investitorë.

Edhe për Dhamin e “Colliers” ka interes në blerje apartamentesh rezidencialë, ndonëse më rënie. “Në fakt, në këtë degë të tregut, do të ketë interes sepse komuniteti i të huajve që jetojnë në Shqipëri sa vjen e rritet, kjo edhe si pasojë e anëtarësimit në NATO dhe hapave që po bëhen drejt Bashkimit Europian”, thotë Dhami. Sipas saj, përfitime në treg pritet të ketë edhe nga futja në vend e fondeve të BE-së, që pritet të vijnë nëse vendi ecën përpara në marrëdhëniet me këtë institucion.

Ndërkohë, vihet re edhe një interes i qëndrueshëm në blerjen e trojeve, por gjithsesi problemet me titujt e pronësisë ende mbajnë larg mjaft të huaj. “Ato raste kur ka blerje apo investime të të huajve në zona industriale apo turistike janë kur ka bashkëpunim me një kompani shqiptare. Kjo ndodh sepse janë pikërisht vendasit që mbulojnë burokracitë në vend dhe janë një garanci, pasi njohin mirë vendin dhe problematikat e tij”, thonë agjentët.